Programi politik i VETËVENDOSJE! dhe të metat e tij (3)

Bardhyl Salihu

Kapitulli 4 – Qytetaria

Ky kapitull është padyshim kapitulli me i mirë në programin politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Qytetaria nënkupton që individët në shoqëri duhet të jenë gjithmonë aktivë në mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe kontrollimit të ekseseve të shtetit. Individët duhet të jenë të informuar për pasojat politike të vendimeve shtetërore dhe rrezikun që këto politika e bartin. VETËVENDOSJE! bukur shprehet kur thotë ,“[…] shteti pa qytetarë aktivë bëhet përbindësh. Një qytetari e fuqishme është garanci e një demokracie të qëndrueshme. Shteti për të cilin kujdesen vetëm pushtetarët, herëdokur shmanget nga demokracia dhe përfundon në autoritarizëm” (pika 27). Pastaj pika 28, “Qytetari aktiv është themeli i një pushteti demokratik dhe i një shteti ligjor. Kur qytetarët janë pasivë dhe ua lënë në duar krejt fatin e tyre dhe të vendit politikanëve, atëherë këta të fundit përfundojnë në udhëheqës të korruptuar e të stërkequr edhe po qe se fillimisht janë të drejtë e të ndershëm. Qytetari duhet të ndjejë që vendimet merren nga ai e për të, dhe se mund të anulohen nga ai. Pushteti duhet t’i jep llogari qytetarit,e jo anasjelltas.”

Edhe pse VETËVENDOSJE! as këtu nuk i shmanget mitologjisë që shteti është sinonim i së mirës (kur thotë p.sh. “Qytetarët e krijojnë, zhvillojnë dhe mbrojnë shtetin për shkak se shteti është garantuesi të drejtave të tyre, sigurisë, zhvillimit ekonomiko shoqëror dhe mirëqenies. Duke e ndihmuar e ndërtuar shtetin, qytetarët i ndihmojnë vetvetes. Qytetarët pa shtet janë të pambrojtur, […]” (pika 27)), megjithatë e pranon që qytetari aktiv e sheh shpesh ndërhyrjen e pushtetit me rezervë (pika 30). Karakteristika e këtij kapitulli është që e përmban militantizmin qytetar që VETËVENDOSJE! e pati kur u formua si lëvizje. Ky militantizëm ishte përgjigjja e rreptë që u jepej politikanëve palaço të cilët abuzonin me pushtetin e tyre në baza ditore. Në vend të kritikave pasive në kolltukë, VETËVENDOSJE! në aso kohe e solli një frymë të re të mosbindjes civile ndaj tiranëve të paskrupullt. Edhe pse i rafinuar për t’ju përshtatur pragmatizmit politik tani që VETËVENDOSJE! ka vendosur të garojë në zgjedhje, ky kapitull megjithatë është reflektim luftës së individit kundër shtetit dhe ndërhyrjeve të tij arbitrare.

Shqiptarët më shumë se kurrë më parë duhet t’i frikohen fuqisë së politikanëve në krye të shtetit. Edhe nëse nuk e përfshijmë periudhën e socializmit në Shqipëri, historikisht pasojat shtetit i cili nuk ka pasur kufij apo kontroll kanë shkaktuar plagë të thella në shoqërinë shqiptare. Në 11 vitet pas luftës kur politikanët në Kosovë morën në dorë shumë funksione (edhe përkundër pjesës më të madhe e cila mbeti me ndërkombëtarët), ata i shpërdoruan ato në format më të shëmtuara. Paratë e mbledhura nga taksat e dhunshme u vodhën haptazi  (edhe pse shpenzimi nëpërmes programeve publike do të kishte pasoja edhe me të këqija për ekonominë në përgjithësi) kurse fuqia e re ekzekutive solli korrupsionin, nepotizmin dhe shkoi deri në krim të organizuar. Në shoqëri gjithmonë do të ketë individë të këqij; por shteti është forma më e organizuar e krimit. Veprimet kriminale e shantazhuese të politikanëve shtetëror ndaj përpjekjeve produktive të individëve nuk janë të vetmet arsyeje pse shoqëria shqiptare është e varfër dhe e hutuar. Përkundër mendimit të përhapur që shteti i Kosovës është pasiv dhe nuk vepron, ekzistojnë shumë fusha në të cilat veprimi i lirë nuk mund të realizohet pa kontrollin e politikanëve të cilët i ndjekin politikat merkantiliste. Merkantilizmi është një sistem ekonomik në të cilin elita, e cila është në krye të shtetit, e mban monopolin e interesave të ndryshme industriale nëpërmes dhunës. Një politikë në të cilën nisma individuale private përcjellët, rregullohet, taksohet, e shantazhohet nëse i cenon interesat monopoliste të elitës në pushtet. Edhe në Kosovë njëjtë veprohet. Interesat tregtare të disave mbrohen duke u dhënë atyre privilegje ligjore dhe subvencione zyrtare e jo-zyrtare (nën tavolinë), kurse konkurrenca e lirë e individëve që janë jashtë këtij sistemi merkantilist dekurajohet, taksohet, rregullohet me licenca idiotike, apo edhe ndërprehet me kërcënime e dhunë. Shteti dhe politikanët në Kosovë nuk janë pasivë, ata janë shumë të përfshirë në rregullimin dhe zhvatjen e shoqërisë. Megjithatë, kjo nuk është karakteristikë e veçantë e Kosovës; në çdo vend ku nuk kontrollohet fuqia arbitrare e shtetit aty ka prirje që kjo fuqi të rritet në dëm të mirëqenies shoqërore. Duke i parë e jetuar këto, shqiptarët duhet ta kundërshtojnë idenë e përhapur që shteti i zgjidh problemet sepse më shumë nga ajo që kanë tani nuk u duhet. Për ta bërë këtë, shqiptarëve i duhet më shumë se kurrë militantizmi qytetar i cili i jep fund shtrirjes së dhunës dhe kontrollit mbi ekonominë dhe i lejon individët të veprojnë të lirë.

Kapitulli 5 – Integriteti i Territorit

Integriteti i territorit të Kosovës është një gjemb i madh në politikën e brendshme. Show pavarësia ishte, si të themi, show. Ajo ndër të tjera e njohu formalisht klasën politike në Kosovë, i de-shqiptarizoj shqiptarët me simbole që s’kanë të bëjnë aspak me ta dhe mbi të gjitha nuk e solli përmirësimin kryesor të cilin qytetarët e prisnin—rimëkëmbjen ekonomike. Por nominaliteti i pavarësisë mbi të gjitha e la edhe një problem tjetër të pazgjidhur—atë të përcaktimit të kufijve të shtetit të Kosovës. Si rezultat, në Kosovë mbeti vakumi politik i juridiksionit mbi territorin. Përkundër rëndësisë së problemit, VETËVENDOSJE! ja ka përcaktuar çështjes vetëm 4 pika nga të cilat vetëm 3 të parat kanë të bëjnë me të.

Në pikën 34, VETËVENDOSJE! shprehet që fajtor për formimin e “strukturave paralele”  është mosfunksionimi i ligjit në veri. Shumë mirë. Por, si do të shtrohet ligji atje? VETËVENDOSJE! nuk merret me këtë diskutim. Si gjithmonë, në pah del prirja e tyre për t’i identifikuar problemet por asnjëherë për të dhënë deklarata normative në lidhje me atë se çka duhet të bëhet. Edhe një plak i moshuar diku në një odë në Drenicë e di që ligji duhet të shtrihet në tërë Kosovën. Prapë, pyetja është, “Si?” Duke qenë se veriu është i banuar me shumicë serbe, dhe duke qenë se ajo shumicë ka treguar dukshëm prirje militante që kanë shkuar deri në agresion kundër të pafajshmëve (shqiptarë e serbë), vendosja e rregullit do të kërkonte një proces delikat në të cilin të gjithë faktorët merren parasysh. Nuk jam i gatshëm të spekuloj mbi mënyrat më të mira për ta shtrirë kontrollin atje, megjithatë do të duhej të isha po ta shkruaja një program politik. Ky kapitull patjetër duhet të ri-shkruhet nëse VETËVENDOSJE! dëshiron të merret seriozisht në lidhje me çështjen e kufirit të cilën besoj se shumë qytetarë e konsiderojnë si tejet të rëndësishme.

(Në shkrimin tjetër do të diskutohet kapitulli 6 dhe 7, përkatësisht, Decentralizimi dhe Politika e jashtme).

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s