10 ekonomistët më të mirë të të gjitha kohërave

Etjon Basha dhe Bardhyl Salihu

1. Ludwig von Mises (1881 – 1973)

Vendi i parë i takon gjeniut të shkencës i cili e ri-ngjalli liberalizmin klasik dhe pothuajse individualisht e kompletoj Shkollën Austriake të ekonomisë. Mises është ai i cili për herë të parë në mënyrë të sofistikuar na shpjegoi pse në ekonomi ndodhin kriza dhe si duhet të kalohen; na shpjegoi pse socializmi dështon vetëm 3 vite pasi u vu në praktikë dhe pa e shkelur asnjëherë këmbën në një vend të tillë; na shpjegoi çka është roli i ekonomisë si shkencë dhe çfarë metodologjie na duhet ta studiojmë atë; se si intervenimi shtetëror nuk është “rrugë e mesme” por vetëm rrugë që shpije në socializëm; se si devijimi nga standardi i arit dhe rezervat 100% në një sistem të centralizuar monetar do të shkaktoj ç’rregullime ekonomike; në mes shumë gjërave tjera të cilat ekonomistët e kohës ose i lanë anash ose nuk arritën t’i shpjegojnë me fuqinë dhe qartësinë e Misesit.

I lindur në Lemberg, Austro-Hungari (sot Lviv, Ukrainë), Ludvig von Mises u rrit në një familje fisnike hebreje. Me vetëm 25 vjet, Mises kreu doktoratën në fushën e juridikut në Universitetin e Vjenës në vitin 1906. Gjatë viteve 1904 dhe 1914 ai i ndoqi ligjëratat e ekonomistëve tjerë austriakë—Menger-it dhe Bohm-Bawerk-ut—të cilat ia zgjuan interesimin e tij në shkencën e ekonomisë.

Kontributi i parë i Mises do të jetë edhe njëri prej më të rëndësishmëve. Në vitin 1912, Mises shkroi një libër të quajtur Teoria e Parasë dhe Kredisë (Theorie des Geldes und der Umlaufsmittel (1912, 1953)) në të cilin përshkoi funksionimin e sistemit monetar dhe pasojave që shkaktohen nga intervenimi shtetëror në të. Duke u bazuar në mësimet e vlefshme të austriakëve tjerë si Menger, Bohm-Bawerk e Friedrich von Wieser, Mises e përshkroi se si paraja lind në treg dhe si e merr vlerën e saj si produkt (teorema e regresionit). Pastaj vazhdoi duke e shpjeguar funksionimin e sistemit deri në momentin kur paraja merret nën kontroll nga shteti dhe vihet nën dirigjimin e bankës qendrore, me ç’rast lind mundësia e zhvillimit të cikleve të biznesit apo siç njihet më botërisht recesioneve ekonomike. Me pak fjalë: norma e interesit është çmim i cili e reflekton balancimin e individëve në mes konsumit dhe kursimeve. Atëherë kur kursimet janë të mjaftueshme, që do të thotë norma e interesit është e ulët, biznesmenët janë të gatshëm ta zgjerojnë investimin e tyre. Në ato raste kur norma e interesit është e lartë, për shkak se individët më shumë janë të koncentruar në konsum, kursimet e pamjaftueshme i kufizojnë vendimet e biznesmenëve për t’u zgjeruar. Kur banka qendrore e ulë normën e interesit në mënyrë artificiale (d.m.th. në kundërshtim me kërkesat e individëve), atëherë biznesmenët mendojnë që në ekonomi ka mjaftë kursime dhe se investimet afat-gjata (si ato në tregun e shtëpive, për shembull) bëhen të arsyeshme ekonomikisht. Megjithatë, vetëm pse banka qendrore i ka ulur artificialisht normat e interesit nuk do të thotë që në ekonomi lindin më shumë kursime; përkundrazi, më shumë individë janë të gatshëm të konsumojnë për shkak të akomodimit të kërkesës për shpenzim e cila mundësohet nga “kredia e lirë”. Më vonë kur normat e ulëta të interesit e rrisin sasinë e parave në qarkullim, çmimet rriten në atë masë të tillë sa nëse banka qendrore nuk i ulë normat e interesit ekonomia përfundon në hiperinflacion. Si rezultat i rritjes së normës së interesit, mungon kredia gjithmonë në rritje e cila ishte e nevojshme për përfundimin e investimeve të cilat kanë filluar në fazën e parë dhe si pasojë shumë nga ato biznese që janë zgjeruar nuk mund t’i përfundojnë investimet duke e lënë procesin në gjysmë (si për shembull shtëpitë e gjysmë të ndërtuara në Irlandë e Spanjë gjatë krizës së fundit). Pastaj, bizneset duhet të përballen me gabimet e tyre që kanë ardhur si rezultat i manipulimit të normës së interesit nga banka qendrore dhe në proces shumë punëtorë duhet të dëbohen e shumë banka duhet t’i “ri-shpërlajnë” bilancet e gjendjeve në mënyrë që investimet e këqija të likuidohen dhe rezervimi i faktorëve të prodhimit të restaurohet. Kjo me pak fjalë është ajo që njihet si Teoria Austriake e Cikleve të Biznesit (TACB) që ne e konsiderojmë si shpjegimin më të mirë për krizat ekonomike, duke e përfshirë atë e cila po vazhdon sot në ShBA. Murray Rothbardi e cilësoi librin e Mises si, “librin më të mirë mbi teorinë e parasë të shkruar ndonjëherë”.

Por Mises nuk përfundoi këtu, ai do të vazhdonte me kontribute të tjera sikur eseja e vitit 1920 (e cila më 1922 u shëndrrua në librin e quajtur Socializmi: Analizë ekonomike dhe sociologjike). Në një periudhë kur pothuajse të gjithë intelektualët e respektuar e shihnin socializmin si sistemin e ardhshëm të drejtë për njerëzimin, Mises u ngrit në këmbë pothuajse i vetëm dhe formuloj njërën prej kritikave më shkatërrimtare të ekonomisë Marksiste (pas asaj të Bohm-Bawerk-ut në librin Karl Marx: Përfundimi i Sistemit të Tij (1898, 1976, 2009)). Në socializëm, e gjithë prona është nën kontrollin e shtetit dhe si rezultat tregu nuk mund të ekzistoj. Treg mund të ketë vetëm atëherë kur individët kanë në pronësi diçka të cilën mund ta ofrojnë për shitje. Duke qenë se mungon tregu, mungojnë edhe çmimet sepse çmimet janë reflektim i ofertës dhe kërkesës e cila shfaqet në treg. E duke qenë se çmimet mungojnë, kalkulimi ekonomik është i pamundshëm. Si është e mundur që një biznes i cili nuk mund t’ju qaset çmimeve si sinjale ta di nëse investimi i tij është profitabil apo jo? Nëse nuk ka çmime për faktorët të cilët përdoren për prodhimin e një produkti nuk është e mundur të dihet nëse çmimi i shitjes është më i lartë se ai i kostos së prodhimit. Pra, ekonomia socialiste është në një errësirë të plotë sa i përket koordinimit në mes burimeve të pamjaftueshme, kërkesave të konsumatorëve dhe strukturës së prodhimit (e cila nuk ekziston fare në një situatë të tillë). Më vonë, ekonomistë si Oskar Lange e Abba Lerner (formuluesit teorik të idesë së ‘tregut shoqëror’) iu kundërvunë idesë së Mises dhe (më vonë) asaj të Hayek-ut duke thënë se kishte mundësi teorike që socializmi të aplikohej nëse çmimet për faktorët e prodhimit përcaktoheshin nga tregu kurse ato të mirave konsumuese të ishin nën kontrollin shtetëror. Korrespondenca në mes dy palëve qoi në atë që sot njihet si debati ekonomik i kalkulimit në të cilit ishin austriakët ata të cilit e thanë fjalën e fundit në kuptimin teorik. Në kuptimin empirik, realiteti e tregoj absurditetin e socializmit i cili i la në uri të mjerueshme miliona njerëz dhe qoi në njërën prej periudhave më të errëta në historinë e njerëzimit duke e diskretituar Marx-in tërësisht nga diskutimi serioz ekonomik.

Më vonë, Mises vazhdoi me kontributet e tij në metodologjinë e shkencës duke e shpjeguar ekonominë si shkencë e cila merret me studimin e veprimit njerëzor dhe prirjes së tij për ta racionalizuar përdorimin e burimeve të pamjaftueshme të cilat kanë përdorime alternative e të cilat mund t’i shërbejnë caqeve të vëna subjektivisht. Duke u bazuar në metodologjinë individualiste e cila e ka individin e jo grupet parasysh (sepse vetëm individi vepron me vetëdije), Mises e ndërtoi argumentin që ligjet ekonomike mund të nxirreshin vetëm nëpërmes deduksionit logjik nga aksiomat e pamohueshme. Për shembull, një aksiomë e pamohueshme është ajo që individi vepron sepse çdo tentim për ta kundërshtuar këtë aksiomë nënkupton veprim në vete dhe si rezultat do të ishte kundërthënës. Duke u bazuar në këtë sistem, Mises e kundërshtoj empiricizmin, pozitivizmin dhe metodat matematikore e statistikore për nxjerrjen e ligjeve ekonomike duke i cilësuar ato si mjete të cilat gjejnë përdorim në shkencat natyrore e jo ato shoqërore në të cilat studiohet njeriu veprimet e të cilit nuk mund të kuantifikohen apo parashihen për shkak të pasigurisë dhe subjektivizmit. Kjo metodologji përfundimisht e veçoj Shkollën Austriake nga paradigma joreale dhe mekanike e neo-klasicizmit ku njeriu shihet si homo economicus, qëllimi i vetëm i të cilit është ta maksimizoj përfitimin.

Më vonë, në vitin 1949, Mises e shkroi magnum opus-in e tij të quajtur Veprimi Njerëzor (Human Action (1949, 1998)) në të cilin i përmblodhi të gjitha konceptet e tij mbi shkencën e ekonomisë në më shumë se 900 faqe. Aty Mises e vazhdoi kritikën e intervenimit shtetëror në ekonomi duke e shpjeguar superioritetin e marrëdhënieve vullnetare të individëve (tregut të lirë) drejt cakut të arritjes së një standardi më të lartë të jetesës. Ndër të tjera, Mises e shpjegoi që intervenimi si “rrugë e mesme” nuk është një sistem ku kombinohen “të mirat” e socializmit dhe reduktohen “të këqijat” e kapitalizmit, por një sistem në të cilin procesi i tregut dëmtohet (jep rezultate të pakënaqshme) e të cilit pastaj i vihet faji duke i dhënë shtytje ekonomisë dhe gjithë shoqërisë më afër socializmit.

Mises vdiq në vitin 1973 në New York City, në moshën 92 vjeçare. Ai la pas një pasuri të pafund të njohurive mbi ekonominë të cilat e bënë të pashoq në periudhën e kur i shkroi. Fatmirësisht, zhvillimi i këtyre ideve u morr përsipër nga shumë ekonomistë të zgjuar që vijuan në traditën e tij. Në vitin 1982 u formua Instituti Ludwig von Mises në Auburn, Alabama të ShBA-së. Sot, Shkolla Austriake është gjithmonë në rritje dhe idetë e saj që me dekada janë injoruar po dalin në shesh si të vërteta të cilët nëse s’merren si të tilla, duhet së paku të merren parasysh. Megjithatë një gjë është e qartë: mesazhi i Mises është ai i lirisë civile e ekonomike dhe secili që e injoron këtë mesazh do t’i bartë pasojat herëdokur.

8 thoughts on “10 ekonomistët më të mirë të të gjitha kohërave

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s