Protesta e 21 Janarit: ç’nuk mund të fshihet më

Etjon Basha

Në përgjithësi këtu përpiqem sa më shumë të shmang trajtimin e temave ‘të nxehta’ e aktuale politike, pasi për sa kohë debati politik vijon është thuajse e pamundur të dëgjohet arsyeja mbi sloganet.  Do kishte qenë pra e udhës të kisha pritur pak ditë para se të postoja diçka në lidhje me situatën e krijuar gjatë protestës së djeshme në Tiranë. Mirëpo nga çasti i parë që ndoqa lajmet e deri tani, mu tipos në mëndje një përfundim të cilin dua ta ndaj. Përgjegjësi për të është e imja, pasi jam i sigurt që Bardhyli nuk do bie shumë dakort me mua.

Nuk jam tifoz i shtetit apo përrallave të “rendit ligjor e kushtetues”.  E shoh shtetin si organizatën e dhunës që është. Do gëzohesha sa më s’ka nëse që nesër shteti në Shqipëri e Kosovë do binte për të mos u ngritur më, duke i lënë shqiptarët të lirë të ndiqnin zhvillimin perëndimor që aq shumë kërkojnë.

Por ja që ideali etatist aq është ngulitur në mendësinë kolektive, sa prospekti i humbjes së shtetit në të ardhmen e afërt është zero. Pra, duam apo s’duam, shtetin do vijojmë ta kemi mbi krye.

Në këto kushte, më e pakta që duhet të përpiqemi të arrijmë është të ruajmë aq sa mundim paqen e brendshme, nga e cila varet, si Ludvig von Misesi vinte në dukje këtu e një shekull para, ndarja e punës që mban qytetërimin njerëzor në këmbë.

Në këtë këndvështrim sistemi i demokracisë ka një të mirë, dhe një të vetme, kundrejt çdo sistemi tjetër shtetëror (me përjashtim të atij që do propozoj më poshtë): shmang deri diku ndërrimin e pushtetit me dhunë. Por ja që dje hija e dhunës civile u shfaq sërish.

Emri i mirë është jashtëzakonisht i vështirë për tu vendosur, siç mund t’ju thotë çdo biznesmen. Duhen vite punë që reputacioni të lindë. E njëjta gjë ndodh për shoqëritë si për biznesin më të vogël. I detyruar nga gjendja e përgjithshme e financave në kontinentin tonë, shteti shqiptar ka ndërmarrë reforma me jo pak vlerë për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri. Këto reforma dhanë fryt, pasi biznesi i huaj ka nisur të tregoj interes në rritje për vendin tonë (këtu nuk dua të them që është bërë më e mira e mundshme).

Bardhyli e ka trajtuar këtë pikë më parë, dhe unë po e përsëris këtu. Duhet ta kuptojmë mirë që pa kapitalin e huaj Shqipërisë do i duhet më së paku një shekull për të arritur nivelin e mirëqenies të perëndimit. Vetëm e vetëm falë investimit të huaj mund të shohim mrekulli zhvillimi në vendin tonë, mrekulli që kanë ndodhur në Hong Kong, Singapor, Kili e Dubai në kohe rekord.

Dhe ja që në një pasdite të vetme u hodh poshtë imazhi që sapo niste të përmirësohej i Shqipërisë si një vend i varfër por i qetë e në zhvillim, imazh që po tërhiqte gjithnjë e më shumë biznesin e huaj. Se sa afatgjat do jetë dëmi që pamjet e djeshme, që bënë xhiron e botës, i bënë këtij imazhi, kjo mbetet për tu parë. Por të pretendojmë që biznesi i huaj nuk u ndikua fare nga kjo ngjarje do ishte marrëzi.

Shumë është luajtur loja e fajit për ngjarjet e djeshme. Dikush akuzon opozitën si nxitëse të asaj që ishte projektuar që në nisje si protestë e dhunshme, dikush tjetër vë gishtin drejt provokimit të forcave të policisë që sollën përleshjen. Për mua këto konsiderata nuk kanë rëndësi.

Ajo që ka rëndësi është që ende mund të binden njerëzit të nisin një luftë civile në emër të politikanëve e të Shtetit. Ajo që ndodhi dje mund të përsëritet sërish, më rëndë e më gjatë. Ndarja e punës në Shqipëri dhe vetë shoqëria jonë nuk do i rezistonin trazirave të gjata, siç e dinë mirë ata që mbajnë mënd ndopak nga 1997-a. Është pra, shumë e rëndësishme të kuptojmë se si mund të shmangen situata të tilla në të ardhmen.

Dhe që dje, kur ndoqa zhvillimin e protestës në televizion, që dje mu ngulit në mëndje një mendim: një vijë e padukshme ndan Shqipërinë në dysh, jugun nga veriu.

Kush nuk e ka kuptuar këtë deri tani, kujt nuk i mjafton një shikim i shpejtë hartës së fundit zgjedhore, apo një debat politik mes dy shqiptarëve nga anë të ndryshme të kësaj vije, realisht mbete i tronditur nga ngjarjet e djeshme. Por ja që këtu, fatkeqësisht, nuk a gjë për tu çuditur: jugu i Shqipërisë nuk do pranojë kurrë të drejtohet nga një parti me bazë në veri pa mbajtur mëri, sikurse veriu nuk do pranojë kurrë të drejtohet nga një parti me bazë në jug pa mbledhur në heshtje inat. Mbarë jeta politike shqiptare, që në 1912-ën e gjer më sot sillet rreth këtij konflikti të hershëm. Le të dalë dikush e ta hedhë poshtë këtë përfundim!

Trazirat e vitit ’97 dhe ’98 janë provë e mjaftueshme. Çdo palë zgjedhje në Shqipëri janë provë e mjaftueshme, e megjithatë askush nuk guxon ta diskutojë këtë tabu bashkëkohore. E pra injorimi i kësaj të vërtete bazike na ka sjellë argëtimin e djeshëm, ku kryeqendra ekonomike e vendit dhe rrugët e saj u kthyen në fushë betejë. Ndodhi dje, dhe mund të ndodhë sërish. Mirëqenia e shoqërisë shqiptare, që kaq shumë e përflasim si qëllimin tonë të përbashkët, varet nga ruajta e paqes së brendshme.

E pra, sado e çuditshme të duket, një dhe vetëm një zgjidhje egziston: Shqipëria duhet të ketë më së paku dy qeveri!

Nëse ky ju duket një propozim fëminor, mendoni sërish. Kemi parë se si logjika ekonomike favorizon shtetet e vogla. Kemi parë se si kombi dhe shteti janë koncepte që nuk duhen ngatërruar kurrë. Shohim përditë se si Kosova dhe Shqipëria, ndonëse një komb i vetëm, gëzojnë dy shtete mes të cilave gjallon tregtia dhe lëvizja e lirë. Nëse idenë e decentralizimit politik të Shqipërisë nuk e kam hedhur që në artikullin tim “Nëse historia na mëson ndonjë gjë” (1, 2 dhe 3), këtë e kam bërë vetëm në interes të shkurtimit të tij. Por përfundimi praktik i analizës që shpalosa aty është një dhe vetëm një, që Shqipërisë i duhen sa më shumë qeveri që të jetë e mundur!

E pra analiza ekonomike jo vetëm do na e falte, por do na nxiste të ndanin qeverisjen e Shqipërisë në dy pjesë. Impasi polik që egziston, duke nisur nga numrat në Kuvend që nuk do ndryshojnë shumë në çdo zgjedhje të ardhme, mes dy poleve politike kështu dhe vetëm kështu mund të zgjidhet. Mospërputhja e pandërgjegjshme mes preferencave politike të dy gjysmave të Shqipërisë kështu dhe vetëm kështu mund të tejkalohet. Trazirat e mëtejshme kështu dhe vetëm kështu mund të shmangen.

Për ata që nuk e konceptojnë dot kombin të ndarë nga shteti, mund shumë mirë që këto dy qeveri të ruajnë një president të përbashkët, shërbim të marrëdhënieve me jashtë dhe ushtri të unifikuara. Shkurt, një shtet dualist, nën shembullin e Protektorit  historik të kombit tonë, Perandorisë Austro-Hungareze. Modalitet nuk kanë rëndësi, por rëndësi ka që vendimmarrja politike të decentralizohet, pasi përqendrimi i saj vetëm tension do vijojë të pjellë.

Mos u gaboni: e djeshmja qe vetëm shfaqja e një tensioni që ka që në 2005-ën që mblidhet . Para tij, gjysma tjetër e vendit mbajti mëri për 8 vjet rresht.  Nëse shkarkimi përfundoi (dhe kjo është e dyshimtë), ky tension sërish do nisë të akumulohet e do shkrehet në rastin e parë. Të mos gënjehemi me uljen aparente të tensioneve. Fshehja e pluhurit nën rrogoz nuk është zgjidhje. Nëse duam paqe e një shoqëri të fortë e të bashkuar Shqiptare, nëse duam mirëqenie për brezat e ardhshëm, duhet të dimë të shohim përtej krizës fasadë të çastit që mbulon arsyen e vërtetë të pakënaqësisë e duhet sa më herët të zhdukim këtë burim fillestar ndasie: Shqipërisë i duhen dy qeveri, tani më shumë se kurdo!

5 thoughts on “Protesta e 21 Janarit: ç’nuk mund të fshihet më

  1. Etjon,

    Pikepamje interesante. Nuk eshte qe jam kunder, preferenca ime per nje vend te bashkuar nuk mbizotron mbi idealin tim anarkist qe te gjithe duhen te jene te lire te vendosin per fatin e tyre. Ajo thjeshte mbetet nje preference, nje imazh qe e kam pasur qe kur kam qene femije. Nese populli shqiptar vullnetarisht do te donte dy qeveri, une s’kam asgje kunder perpos imponimit te saj tek ata qe nuk deshirojne. Kjo me sjelle edhe tek mesazhi im kryesor: sa here qe mundohet njeri te gjej zgjidhje brenda kornizave te Shtetit, gjithmone do te hase ne probleme. Vetem anarkia eshte konsistente me lirine dhe te drejtat natyrore. Te gjitha format tjera jane thjeshte llojshmeri te agresionit dhe dhunes.

    Protesta natyrisht qe eshte nje fatkeqesi e madhe. Eshte edhe me keq, sic the ti, t’i shohesh njerzit duke luftuar ne emer te politikaneve apo Shtetit, ne emer te skllavopronareve te tyre. Logjikisht dhe empirikisht, e ardhmja yne eshte e zymte.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s