Kundër hyrjës në Bashkimin Evropian

Bardhyl Salihu

Hyrje

Në Kosovë, ashtu si në Shqipëri dhe në vendet fqinje, shumica dërrmuese e shohin hyrjen në Bashkimin Evropian (BE) jo vetëm si cakun më madhështor të Qeverive tyre por si një privilegj të veçantë. Edhe pse ende vite larg cakut, ata mendojnë që hyrja në BE do t’i përmirësoj të gjitha problemet politike e ekonomike dhe mbi të gjitha do ta mundësonte lëvizjen e lirë. Duke u ushqyer në këtë paradigmë popullore, të gjitha partitë anembanë spektrit politik nuk pushojnë së theksuari rrugën drejt BE-së. Përveç kundërshtimit nominal që e shfaqi një pjesë e qytetarëve në Kroaci, askund tjetër në rajon nuk mund të gjendet ndonjë lëvizje apo parti me pikëpamje Euroskeptike.

Është disi paradoksale, në të njëjtën kohë, që ky interesim kaq i madh për BE-në të mos shoqërohet me një analizë më serioze dhe më të thellë të këtij institucioni gjigant. Në opinionet e ndryshme BE-ja përmendet vetëm shkurt dhe lihet të kuptohet që institucionet e saj jo vetëm që nuk janë për tu kritikuar por janë madhështore dhe çdo diskutim kritik i tyre do të ishte blasfemi. Qëllimi i këtij artikulli është t’i bëjë elementeve politike dhe ekonomike të BE-së një analizë pozitive dhe normative. Qëllimi dytësor është që sadopak t’i sqaroj disa mite në të cilat shumë Ballkanas besojnë kur është fjala te BE-ja. Përfundimisht, artikulli tenton ta shpjegoj pse Kosova, Shqipëria, apo cilido vend tjetër i cili ende nuk është pjesë e BE-së, ka shumë arsyeje të mos inkuadrohet në të.

Bashkimi Evropian

Produkt i nismës së Komunitetit Evropian të Çelikut dhe Qymyrit dhe Komunitetit Evropian Ekonomik, Bashkimi Evropian është zhvilluar gradualisht nëpërmes traktateve të ndryshme të cilat për qëllim kryesor e kanë pasur integrimin e shteteve evropiane në një treg të përbashkët ku lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit të jetë e mundur.  Me krijimin e Zonës Shengen e cila i largoi kontrollet kufitare dhe me anëtarësimin e vendeve tjera, BE-ja vazhdoi të zhvillohet në një organizëm kompleks në të cilin vendimet merren paralelisht nga dy lloj institucione: ato mbi-shtetërore (“të pavarura”) dhe nga vetë shtetet anëtare (27). Traktati i Mastrihtit (1993), i cili formalisht e themeloi BE-në, gjithashtu nxiti krijimin e institucioneve kryesore si Komisionin Evropian, Këshillin e Bashkimit Evropian, Këshillin Evropian, Gjykatën e Drejtësisë, si dhe Bankën Qendrore. Institucioni tjetër i rëndësishëm, Kuvendi Evropian, zgjidhet çdo pesë vite nga qytetarët e BE-së.

Përpos traktatit themelues, i cili në vete i ngërthen principet kryesore të BE-së, mjete tjera tejet të rëndësishme mbeten gjithashtu direktivat dhe rregullacionet. Direktivat janë udhëzime për krijimin e ligjeve shtetërore brenda kornizave të përcaktuara nga Komisioni Evropian, i cili është përgjegjës për shkrimin e projektligjeve. Rregullacionet, në anën tjetër, janë ligje të cilat hyjnë direkt në fuqi në vendet anëtare pa nevojën e ratifikimit. Qartazi, këto dy mjete mjaftë të fuqishme i japin BE-së kontroll shumë të madh mbi vendet anëtare.

Udhëheqësit e BE-së megjithatë nuk kishin ndërmend të ndalen në zgjerimin e fuqive të saj dhe si rezultat filluan manovrat për ta krijuar një Kushtetutë Evropiane me të cilën Traktati themelues do të ndryshohej në favor të zgjerimit të kompetencave dhe centralizimit të BE-së. Kur ky propozim u vë në votim në vitin 2005, qytetarët në Francë dhe Holandë e shqelmuan duke e hedhur poshtë të gjithë nismën. Të vendosur për ta përfunduar misionin e tyre, politikanët evropianë filluan manovrat e reja për ta ringjallur referendumin për Kushtetutën dhe si rezultat në vitin 2007 përpiluan Traktatin e Lisbonës. Kësaj radhe i takoi vendit të vogël, Irlandës, t’i shfaq brengat e saj për sovranitet dhe për rritjen e paprecedentë të BE-së. Në qershor të vitit 2008 më shumë se gjysma e irlandezëve votuan “JO” në referendumin për Traktatin e Lisbonës duke i hidhëruar shumë vendet e mëdha. Disa madje propozuan edhe të anashkalohet vendimi irlandez dhe të miratohet Traktati, praktikë jo e pazakontë për politikanët evropianë të cilët demokracinë nuk e kanë shumë në qejf. Pas presioneve të shumta dhe disa ndryshimeve nominale, irlandezët një vit më vone i thanë “PO” traktatit i cili zyrtarisht hyri në fuqi.

Por cilat ishin ato amendamente që e bënë BE-në më të fuqishme se kurrë më parë? Traktati i Lisbonës i bëri këto ndryshime kryesore: 1) e ndryshoi sistemin e Presidencës nga rotacioni 6-mujor në Presidencë permanente me mandat 2 vjeç e gjysmë, pas së cilës Herman Von Rompuy u zgjodh President; 2) e krijoi një post ekuivalent me Ministrinë e Jashtme në vendet anëtare, qëllimi i të cilit është ta harmonizoj dhe udhëheqë një politikë të jashtme të përbashkët, si dhe udhëheqësi/sja i/e të cilit post të shërbej njëkohësisht si zv. President/e i/e Komisionit Evropian dhe si administrator/e i/e Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes, në krye të cilit u vë Baronesha Catherine Ashton; 3) e politizoi edhe më tej Bankën Qendrore duke i dhënë fuqi Këshillit Evropian ta përcaktoj Guvernatorin e Bankës nëpërmes votimit me shumicë të kualifikuar; 4) e ndryshoi formën e votimit në Këshillin e Ministrave prej unanimitetit në shumicë të kualifikuar, e cila bazohet në popullsinë e vendeve anëtare, dhe duke qenë që Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe i kanë popullsitë më të mëdha në BE, pikërisht këto vende përfituan në kurriz të vendeve më të vogla; 5) i dha fuqi më të mëdha legjislative Kuvendit si dhe e kufizoi maksimumin e anëtarëve në 750, hap tjetër anti-demokratitk sepse e zvogëlon kapacitetin përfaqësues të tij.

Pasi ta kemi pikturuar BE-në dhe të kthehemi dy-tre hapa mbrapa, e shohim që kemi të bëjmë me një institucion gjigant, kompleks e i centralizuar, fuqia e të cilit është rritur pa masë viteve të fundit dhe vendimet e të cilit kanë qenë dhe janë shpeshherë në kundërshtim me dëshirat e qytetarëve evropianë, një burokraci social-demokratike e cila dëshiron të përfshihet në çdo pjesë të jetës individuale në tentim për ta rregulluar atë dhe për ta mbajtur nën kontroll. Nuk janë të paktë individët që e kanë shikuar pikturën e BE-së dhe ju ka ngjarë atyre me një Bashkim tjetër shumë vite më parë, një vend të quajtur Bashkimi Sovjetik.

Arsyejet kundër hyrjes në Bashkimin Evropian

Por, piktura e problemeve të përgjithshme të BE-së nuk mjafton. Në mënyrë që të ndërtohet një argument i mirëfilltë kundër hyrjes në këtë institucion, është e rëndësishme të trajtohen arsyejet veç e veç. Këto arsyeje mund të klasifikohen në dy kategori kryesore: në ato politike dhe në ato ekonomike. Duke qenë se në regjimin e shteteve anëtare është politika ajo e cila i jep formë ekonomisë, në disa raste më shumë e në disa më pak, është e udhës që së pari të diskutohen arsyet politike.

Sovraniteti

Me rritjen e mekanizmave të cilat e kanë bartur shumë vendimmarrjen prej vendeve anëtare e në BE, sovraniteti i vendeve anëtare po venitet. Principi i dikurshëm i BE-së, i cili edhe tërhoqi shumë përkrahës, ishte lokalizmi. Lokalizmi nënkuptonte që vendimet duhet të merreshin sa më afër individëve që ishte e mundur. Sot ky princip është zhdukur pothuajse plotësisht; Komisioni Evropian i cili mblidhet në Bruksel merr vendime për individë me mijëra kilometra larg tij. Këto vendime, të cilat pothuajse gjithmonë i prekin aspektet më jetësore të qytetarëve evropianë, janë produkt i burokratëve shpeshherë të padijshëm dhe i ndikimit të mbi 15,000 grupeve të interesit dhe lobimit. Në anën tjetër, mungesa e afinitetit kulturor, njohjes së kërkesave, gjuhës dhe zakoneve vetëm sa ndikon negativisht në krijimin e ligjeve të cilat s’janë në përputhshmëri me kërkesat e qytetarëve në pjesë të ndryshme të Evropës. Është vështirë të besohet që burokratët evropianë do të përkujdesen për zgjedhësit e tyre kur as vendet anëtare nuk kanë treguar zotim të tillë. Telashet e individëve me pushtetet në vendet e tyre respektive vetëm sa janë komplikuar më tej nga centralizimi i vendimeve në Bruksel. Dikur ato telashe mund të zgjidheshin sadopak brenda vendeve dhe institucioneve përkatëse; tani që ato janë bartur në Bruksel përballja me to bëhet edhe më e vështirë. Politikani brilant i Independence Party në Britani të Madhe, Nigel Farage, përfundimisht e dëshmoi venitjen e sovranitetit të vendeve anëtare kur tregoi faktin shqetësues që 75% e ligjeve të Britanisë vijnë nga BE-ja. Mos harroni, kjo duke pasur parasysh që Britania është vendi më skeptik ndaj idesë së BE-së[1] dhe i cili madje është jashtë Zonës Shengen dhe Euros!

Anti-demokracia

Fakti që burokratët e BE-së kanë treguar në plotë raste se demokracia nuk ju shkon për shtati, si për shembull në rastin e referendumeve, vetëm sa e përkeqëson problemin e sovranitetit. Nëse vullneti i qytetarëve të vendeve të mëdha si Franca apo edhe të vendeve të vogla si Irlanda përdhoset, atëherë vullneti i qytetarëve të një Kosove në BE as që do merrej parasysh. Ligje nëpërmes direktivave dhe rregullacioneve do të hartoheshin nga Komisioni Evropian dhe do të duhej të futeshin në fuqi në Kosovë. Prezenca e përfaqësisë kosovare në Kuvend nuk do të ishte e mjaftueshme për kundërshtimin e këtyre ligjeve për shkak të ndryshimeve në formën e votimit që u cekën më lartë. Edhe në ato raste kur përfaqësuesit e Kosovës do të kishin mundësi të reagonin, ndoshta nuk do ta bënin fare sepse do të pajtoheshin me këto imponime të BE-së ose në princip ose për të mos e trazuar Kuvendin. Edhe pse për këto lëshime elektorati do të mund t’i dënonte, fakti që Kuvendi zgjidhet vetëm çdo 5 vite e komplikon një proces të tillë. Vendet e vogla në BE po vuajnë nga pikëpamja demokratike. Të gjitha vendimet e mëdha merren nga fuqitë kryesore kurse vendeve anëtare me popullsi të vogla po u lihet pak e më pak fuqi për vendimmarrje ose kundërshtim.

Korrupsioni

Është e njohur që korrupsioni është funksion i madhësisë së shtetit. Sa më i përfshirë të jetë shteti në shoqëri, duke e planifikuar ekonominë apo duke i kufizuar liritë individuale, aq më shumë do të ketë hapësirë për korrupsion. Arsyejet janë të qarta: për ta mbajtur një shtet social-demokratik duhet një aparat gjigant i burokracisë publike i cili natyrisht që do të financohet nga taksat e dhunshme. Sa më shumë që paratë kalojnë nga sektori privat në atë publik, aq më shumë do të rritet mundësia për t’i shpërdoruar ato. Fakti që hyrja në BE do të sillte shtetin tipik social-demokratik të Evropës nënkupton automatikisht rritje në shkallën korrupsionit në Kosovë. Edhe ashtu i ngulfatur në të, shteti i Kosovës do të zhytej më thellë në nepotizëm e korrupsion kur BE-ja do të kërkonte krijimin e agjencive e zyrave të reja rregullative të cilat do t’i jepnin burokratëve vendorë fuqi të reja.[2]

Megjithatë, në Kosovë, Shqipëri dhe pjesë tjera të Ballkanit në të cilat ekziston një frymë më kolektiviste e në të cilat shkalla e korrupsionit gjithmonë ka qenë e lartë, aplikimi i standardeve të BE-së do të ishte edhe më i vështirë. Nuk është habi që disa vite më pare Komisioni Evropian i dënoi Bullgarinë dhe Rumaninë me miliona Euro për korrupsion.[3] Hyrja e tyre në BE nuk e kishte zvogëluar atë, në të kundërtën, rritja e shtetit kishte krijuar kushte shtesë nëpërmes të cilave politikanët keqpërdoruan paranë publike. Është vështirë të besohet që në Kosovë, Shqipëri apo diku tjetër në rajon të nxitet një frymë e shërbimit të ndershëm atëherë kur rrethanat për keqpërdorim vetëm sa shtohen. Të gjithë qytetarët e Ballkanit e dinë që vetëm budallai nuk vjedh dhe çdo premtim i politikanëve për të mos u korruptuar është qesharak dhe pritet me naivitet. Hyrja në BE do t’i rriste mundësitë dhe mënyrat që politikanët ta kryejnë punën e tyre më mirë—të vjedhin në masë popujt të cilët janë të detyruar nga aparati i shtetit t’i nënshtrohen atyre.

Brengat kryesore në rrafshin politik pra mbeten sovraniteti i shteteve anëtare, i cili venitet dukshëm, zëri i popujve të këtyre vendeve, i cili shkon në vesh të shurdhër, dhe rritja enorme në korrupsion, e cila është dëshmuar empirikisht. Por, çka në lidhje me faktorët ekonomikë? A do ta përmirësonte hyrja në BE gjendjen ekonomike në Kosovë? E vërteta është që jo; hyrja në BE vetëm sa do ta nxiste një kontroll gjithëpërfshirës të shtetit në ekonomi i cili do të kishte vetëm pasoja negative.

Social-demokracia

Nga pikëpamja ekonomike, Bashkimi Evropian është i ndërtuar në modelin e shtetit social i cili ekziston në Evropë me shekuj. Në kontrast me anglo-saksonët,  evropianët kanë qenë tradicionalisht tejet skeptik ndaj lirisë individuale. Një liri e tillë, sipas tyre, e rritë “pa-barazinë” në mes kapitalit në një anë dhe klasës punëtore në tjetrën. Tregu i lirë i jep hapësirë krijimit të korporatave—grupeve të kapitalistëve—të cilët qëllimin kryesor e kanë vetëm maksimizimin e përfitimit në barrë të punëtorit të thjeshtë. Pa ndërhyrjen e shtetit si ndërmjetësues, “eksploatimi” i klasës punëtore nuk do të mund të shmanget. Pa kontrollin e shtetit, korporatat do t’i mashtrojnë konsumatorët, kurse shitësit do t’i shesin pleqve polica sigurimi që nuk u duhen fare.

Këto pikëpamje Marksiste, megjithatë, u reformuan kur në vitet pas Luftës së Dytë Botërore socializmi e dëshmoi në praktikë që është sistem anti-ekonomik dhe anti-njerëzor i cili morri më shumë jetë se krimet e Nazizmit. Ky reformim erdhi si tentim për t’i kombinuar i të “mirat” e socializmit dhe të “këqijat” e kapitalizmit—një rrugë e tretë, e mesme, në të cilën marrëdhëniet ekonomike në mes njerëzve do të rregulloheshin dhe mbikëqyreshin nga një shtet i fortë, por të cilat marrëdhënie do të vepronin nëpërmes mekanizmit të tregut. Thirrjeve të ekonomistëve si Ludwig von Mises që socializmi nuk mund ta koordinoj prodhimin përshkak të të ashtuquajturit problem të kalkulimit ekonomik,[4] ekonomistë tjerë si Oskar Lange ju përgjigjën me idenë e një “tregu shoqëror”,[5] një kombinim i idealeve socialiste me efikasitetin e tregut, apo siç njihet në gjermanisht “soziale Marktwirtshaft”.

Aplikimi më i mirë i kësaj ideologjie u bë në Gjermaninë Perëndimore në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, nga Ludwig Erhard, atëherë ministër i ekonomisë dhe financave. Erhardi me tu emëruar në postin e tij të rëndësishëm u përball me mbeturinat e ekonomisë-luftë të Hitlerit: monopolet shtetërore, diktimin e çmimeve, dhe privilegjet e veçanta për interesat e ngushta biznesore. Ai i zhduki të gjitha këto dhe filloi aplikimin e rreptë të një agjende e cila udhëhiqej nga principet e tregut të lirë.[6] Ajo që pasoi ishte e ashtuquajtura “mrekullia gjermane”; periudhë historike në të cilën populli gjerman në pjesën perëndimore doli nga varfëria dhe shkatërrimi që i kishte trashëguar nga lufta. Në vitin 1957, Erhardi shkroi një libër të shkëlqyeshëm, të quajtur Mirëqenia Nëpërmes Konkurrencës, të cilin nuk ia dedikoi as politikanëve, as intelektualëve e as konsumatorëve. Librin ia dedikoi klasës së bizneseve të cilat ishin ende të fiksuara pas karteleve dhe diktateve të vjetra, nxitnin inflacionin, dhe kërkonin politika merkantiliste. Në libër, Erhardi shkroi që, “Rehabilitimi i suksesshëm i vendit tim duhet të shërbej si dëshmi e qartë, kundër njerëzve që kanë dyshime dhe lëkundje, e faktit që vetëm nëpërmes refuzimit të dogmave socialiste, të çfarëdo lloji, dhe afirmimit të një rregulli ekonomik të lirisë mund të arrihet mirëqenia dhe siguria e njëmendtë”.[7]

Fatkeqësia e intervenimit shtetëror gjithmonë ka qenë dhe do të mbetet pamundësia e shtetit për ta kufizuar vetveten. Kjo fatkeqësi nuk gjeti përjashtim as me Gjermaninë e Erhardit. Bazat e tregut të lirë që Erhardi i kishte vendosur filluan të veniteshin nga hapësirat që ai ia kishte lënë ndërhyrjes së shtetit në ekonomi. Përderisa kombinimi i tij i social-demokracisë funksiononte nga ana e tregut të lirë dhe kapitalizmit, pjesa tjetër e ndërhyrjes shtetërore dhe shtetit social megjithatë po e gravitonte shoqërinë drejtë humnerës. Duke filluar dikur rreth vitit 1950, Gjermania Perëndimore filloi të transformohej nga një ekonomi përgjithësisht e lirë në shtetin social që e njohim sot. Ekonomisti brilant Hans-Hermann Hoppe kujton, “Edukimi, trafiku, komunikimi, shkollat, universitetet, rrugët, lumenjtë, liqet, avio-kompanitë, posta, telefoni, radio dhe televizioni ishin në duart e shtetit. Të gjitha bankat u kartelizuan brenda sistemit të Bankës Qendrore të kontrolluar nga shteti. Sistemi i sigurisë sociale të detyruar i Bismarkut u ri-ngjall dhe u vë nën kontrollin shtetëror. Mihja, qymyri, hekuri, ndërtimi i anijeve dhe tekstili fituan mbështetje të veçantë nga shteti. Me të filluar në vitin 1952, një seri e ligjeve të ashtuquajtura për mbrojtjen e punës u krijuan (që përfshinë subvencione për të papunët dhe negocim kolektiv të detyruar) të cilat e zvogëluan shumë lirinë kontraktuare në marrëdhëniet punëdhënës-punëtor. Me ligjin mashtrues “kundër kufizimeve të konkurrencës”, principi bazë i konkurrencës së tregut—hyrja e lirë dhe e pakufizuar—u dobësua dukshëm dhe të gjitha zhvillimet ekonomike “të rëndësishme” duhet të aprovoheshin nga shteti. Të gjitha këto përderisa qeveria e Gjermanisë Perëndimore nuk mund të rezistonte shtytjen për t’i rritur taksat dhe sasinë e parave në qarkullim. Si rezultat, në vitin 1966 ajo e pësoi recesionin e saj të parë të madh, gjë që i dha fund karrierës së Erhardit, i cili deri në atë moment kishte arritur piedestalin e Kancelarit”.[8] Pra, ngritja ekonomike e Gjermanisë Perëndimore nuk do të kishte jetë të gjatë pikërisht për shkak se ishte ndërtuar mbi bazat e social-demokracisë. Ilustrimi i Hoppe është dëshmi dhe shpjegim se si një ndërtim i tillë i “lirisë ekonomike” është afat-shkurtë dhe i prirë për tu përmbysur në çdo moment. Në fund, mësimi i Ludwig von Mises që intervenimi nuk është rrugë e tretë por rrugë e cila shpije në socializëm u ndriçua më tej.

Por, çka ka të bëjë shembulli i ngritjes dhe rënies së Gjermanisë Perëndimore me social-demokracinë në Evropë? Dy gjëra: a) ngritja dhe rënia e Gjermanisë Perëndimore është ilustrimi më i mirë i dështimit filozofik, ekonomik dhe politik të idesë së social-demokracisë, dhe b) shembulli i Gjermanisë Perëndimore është përcjellë, ndryshuar nominalisht dhe aplikuar në pothuajse të gjitha vendet brenda Evropës. Shembulli gjerman është, thjeshtë thënë, ilustrim i përkryer i Bashkimit Evropian sot: një shtet i cili lindi nga frytet e lirisë ekonomike dhe po ngulfatet nga rritja enorme e ndikimit të shtetit në jetën politike dhe ekonomike. Edhe i verbëri i cili i hedh “shikim” të pashpresë pamjes së vendeve të BE-së i “sheh” këto fakte. Përveç krizës ekonomike në tërë Evropën e cila u shkaktua nga politikat monetare të Bankës Qendrore Evropiane,[9] kriza individuale janë zhvilluar dhe po zhvillohen edhe në vendet anëtare: Greqia pothuajse u dogj e tëra kur qeveria marksiste dështoi t’i mbulonte beneficionet dhe iluzionet e pasurisë që i kishte krijuar tek populli grek; Irlanda po përballet me një krizë të thellë qeveritare e cila i ka bazat në flluskën e ndërtimit që u shkaktua nga normat artificiale të ulëta të interesit; Spanja po përballet me papunësi dyshifrore e cila i ka bazat në politikat e gjelbra që qeveria socialiste i ndoqi në fushën e ndërtimit; Italia, e cila renditet e parafundit në liritë ekonomike në BE, po përballet me shifra marramendëse të borxhit publik bashkë me Portugalinë; Konservatorët në Britaninë e Madhe kanë bërë zvogëlimin më radikal të shpenzimeve qysh nga Lufta e Dytë Botërore në tentim për tu përballur me borxhin e lartë dhe rrëshqitjen e funtës në tregjet e këmbimit; dhe në fund, Gjermania dhe Franca, dy vende bankat e të cilave kanë kapital të konsiderueshëm në vendet në krizë janë të rrezikuara përfundimisht nga një efekt zingjiror i dështimeve bankare në tërë Evropën. Evropa dhe social-demokracia, pra, janë në prag të një kolapsi ekonomik. Krizat nuk po shuhen, vetëm sa po intensifikohen. Në njërën anë kërkohet largimi i vendeve “jo-adekuate” nga Eurozona në mënyrë që ato t’i zhvlerësojnë monedhat individuale e të dalin nga kriza, kurse në tjetrën anë liderë si Nicolas Sarkozy dhe Angela Merkel betohen se nuk do ta lënë euron të dështoj dhe se do të bëjnë çmos që ti subvencionojnë vendet si Irlanda. Çka do që ndodhë, e ardhmja ekonomike dhe politike e Evropës mbetet peng i largimit të politikave social-demokratike the kthimit tek principet e tregut të lirë dhe lirisë individuale. Nëse Kosova, apo Shqipëria dëshirojnë mirëqenie, siguri dhe të ardhme të ndritshme, hyrja në bashkimin social-demokratik është gjëja e fundit që duhet ta bëjnë.

Lëvizja e lirë

Miti apo keqkuptimi kryesor tek shqiptarët, posaçërisht në Kosovë, është barazimi i hyrjes në BE me liberalizimin e vizave. Shumë nuk dinë ta bëjnë këtë dallim dhe duke qenë se Kosova ka mbetur vendi i vetëm në Ballkan të cilit i duhen viza për në Evropë është shumë e natyrshme që qytetarët e Kosovës të ndihen të izoluar. Si rezultat i nevojës për të udhëtuar jashtë, kryesisht për të kërkuar një jetë më të mirë, qytetarët e Kosovës e kanë krijuar një përshtypje të gabueshme  që vendi duhet patjetër të inkuadrohet në BE. Edhe pse liberalizimi i vizave për Serbinë, Maqedoninë, Bosnjën dhe Shqipërinë pa hyrjen e tyre në BE e ka sqaruar këtë keqkuptim, ai ende mbetet i përhapur.

Natyrisht që lëvizja e lirë është një parakusht për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik. Hapja e kufijve i kontribuon konceptit ekonomik të ndarjes së punës dhe specializimit. Tregtia e lirë, e cila është funksion i lëvizjes së lirë, e rrit mirëqenien në mes vendeve të cilat shkëmbejnë të mira dhe shërbime. Ajo i nxit investimet e huaja, të cilat janë parakushti kryesor për zhvillimin ekonomik të të gjitha vendeve të pazhvilluara si Kosova. Investimet e huaja konsistojnë në sjelljen e kapitalit (mjeteve të punës) dhe njohurisë profesionale të cilat e rrisin produktivitetin dhe si rezultat pagat. Rritjes së pagave i kontribuon edhe vetë lëvizja e lirë sepse e bënë të mundshëm fleksibilitetin e tregut të punës. Ajo i jep mundësi qytetarëve të Kosovës të ngritën në pikëpamjen profesionale si dhe atë kulturore. Lëvizja e lirë, pra, është karakteristikë e shoqërive të suksesshme në dy anët e kufijve.

Megjithatë, duhet të potencohet që për arritjen e një lëvizje të lirë nuk është i nevojshëm hyrja në institucionet e pakëndshme të BE-së. Ajo mund të realizohet ose nëpërmes liberalizimit të vizave ose nëpërmes të një marrëveshje të ngjashme që vendet si Zvicra, Norvegjia apo Islanda e kanë me BE-në. Përderisa hyrja në BE i ka të gjitha ato anë negative, hapja e kufijve dhe tregtia me ta vetëm sa do ta rriste mirëqenien në Kosovë, Shqipëri apo kudo.

Përfundim

Shqiptarët janë tejet të dhënë pas idesë së BE-së por pak kush është lodhur t’i bëjë këtij institucioni një analizë sadopak serioze. Shumë e kanë injoruar një gjë të tillë duke lënë të kuptohet që institucionet e BE-së s’kanë vend fare për kritikë. Ky besim i verbër i ka shtyrë të gjitha partitë anembanë spektrit politik, edhe ashtu pa ndonjë substancë të qartë politike në programet e tyre, të na flasin vazhdimisht për “idealin e BE-së” sikur të ishin gramafona të prishur. E vërteta është që një analizë pak më serioze për BE-në e shfaq fytyrën e vërtetë të saj: një shtet social-demokratik që çdo ditë po centralizohet shumë e më shumë në dëm të mirëqenies dhe sovranitetit të vendeve anëtare. Ka shumë mënyra se si Kosova dhe Shqipëria mund ta rrisin mirëqenien e tyre, por asnjëra nga to nuk e përfshinë hyrjen në BE.


[1] Vetëm 20% e të anketuarve nga Eurobarometer 2009 në Britani të Madhe i “besojnë” BE-së. http://europa.eu/rapid/pressReleasesAction.do?reference=IP/10/1071

[2] Siç po ndodh tani në shumë fusha në të cilat hyrja është peng i licencave të kota që u jepen sipërmarrësve ose me vonesë ose pasi t’i kenë dhënë ryshfet “shefave” të cilët vendosin për to. Për një analizë të efektit negativ të licencave në ekonominë e Kosovës si dhe rolit të përgjithshëm që Qeveria e Kosovës po e luan në pengimin e zhvillimit ekonomik, shikojeni: Bardhyl Salihu, “Kush po e pengon zhvillimin ekonomik të Kosovës?”, Ideas on Liberty, (analizaekonomike.wordpress.com).

[3] Lidhja në mes korrupsionit dhe hyrjes në BE është shumë e fortë në rastin e Rumanisë: Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit ishte 3.1 para hyrjes kurse në vitin e hyrjes (2007) kërceu në 3.7 dhe tani luhatet deri në 3.8. Në rastin e Bullgarisë, kjo lidhje është pothuajse inverse mirëpo jo shumë domethënëse përshkak se Bullgaria ende mbetet pas Greqisë vendi më i korruptuar në BE.

[4] Ludwig von Mises, Socialism: A Economic and Sociological Analysis, J. Kahane, përkth. (1922; Indianapolis, Ind.: Liberty Fund, 1981).

[5] Oskar Lange, “On the Economic Theory of Socialism,” Review of Economic Studies 4 (October 1936): 53–71; dhe ibid. 5 (February 1937): 132–42.

[6] Komisionari i lartë i trupave amerikane të vendosura në Gjermaninë Perëndimore asokohe,  Gjeneral Lucius D. Clay, reagoi ndaj planeve të Ehardit për liberalizim duke thënë:  “Këshilltarët e mi më thonë që janë shumë kundër kësaj”. Erhardi u përgjigj: “S’ka lidhje, Gjeneral, edhe të mijtë më thonë ashtu”, cituar në Hans-Hermann Hoppe, “De-Socialization in a United Germany,” The Review of Austrian Economics, Vol. 5, Nr. 2, (1991): 77-104, fq. 79.

[7] Ludwig Erhard, Prosperity Through Competition, Edith Temple Robert and John B. Wood, përkth. (1958; New York: Frederick A. Praeger, Inc.), fq. XII.

[8] Hans-Hermann Hoppe, “De-Socialization in a United Germany,” The Review of Austrian Economics, Vol. 5, Nr. 2, (1991): 77-104, fq. 87-88.

[9] Philip Bagus, The Tragedy of the Euro, (2010; Auburn, Alabama: Ludwig von Mises Institute).

6 thoughts on “Kundër hyrjës në Bashkimin Evropian

  1. Fare e kisha harruar që një herë e një kohë BE-ja trumpetotnte parimin e ‘lokalizmit’. Ja që kjo gënjeshtër me bisht tërhoqi në radhët e eurokracisë individë të shkëlqyer si Otto von Habsburg-u dhe Nigel Farage-i që i falin BE-së shumë më tepër prestigj nga ç’meriton. Shkrim i shkëlqyer!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s