Reforma gjysmake e sektorit energjitik (pjesa 1)

Etjon Basha

Shumëkush e mban mend mirë periudhën e lavdishme të para disa viteve kur energjia elektrike mungonte për orë të tëra gjatë ditës, për të mos thënë për pjesën më të madhe të kohës jashtë qyteteve kryesore. Ndërkohë që tashmë, së paku mua personalisht mund të më ketë munguar energjia 20 minuta në vit, gjithë e gjithë. Si arritëm nga gjendja e tmerrshme e para disa viteve këtu ku jemi?

Një reformë e madhe energjetike është ndërmarrë dhe vijon edhe sot. Disa pjesë të kësaj reforme kanë qenë tepër efektive, të tjera tërësisht të kota dhe akoma të tjera (shtimi i importit energjetik) të diktuara nga situata por pa shumë rëndësi afat-gjatë, por në përgjithësi, mund të themi që bëhet fjalë për një reformë të lënë përgjysmë.

U desh një krizë e madhe energjetike për ta bindur shtetin shqiptar të ‘lëshonte pe’ e të largohej deri diku nga fusha e energjisë, ku, në traditën më të mirë etatiste botërore, veç kaos e konflikt po shkaktonte, për ti lënë vend sipërmarrjes gjysmë-private. Që kjo masë është marrë nga shtrëngesa dhe jo duke u nisur nga ndonjë parim i lartë moral, duket nga fakti se vetë reforma ka mbetur përgjysmë, dhe është zbatuar në nivele minimale, aq sa duhet për tu larguar nga tmerri energjetik. Ç’është pra kjo reformë?

Dy pika kryesore duhen diskutuar: prodhimi dhe shpërndarja e energjisë.

#1 Prodhimi i energjisë

Problemi. Që Shqipëria varej në mënyrë thuajse të plotë nga prodhimi i energjisë hidroelektrike në tre centrale më mëdha në veri të vendit, kjo vihej shpesh në pah. Një pjesë e mirë e ‘fajit’ për problemet me furnizimin në të shkuarën i është faturuar motit të thatë. A ishte kjo metoda më efektive e prodhimit? Lexuesit e rregullt tashmë e marrin me mend përgjigjen: nuk kemi nga ta dimë, në kushtet kur prodhimi energjetik ishte monopol total publik. Ama mundësia që ky model të ishte më efektivi i mundshëm, mes mijëra kombinimeve të ndryshme, ishin afër zeros.

Ç’është bërë? Një ide shumë e zgjuar, ndonëse ende pritet të japë rezultatet kryesore, qe angazhimi i sektorit privat në ndërtimin dhe menaxhimin e HEC-eve të vogla, të shpërndara në gjithë territorin e vendit. Tashmë, një ‘treg në miniaturë’ është krijuar me lejet për ndërtimin dhe dhënien me koncesion të këtyre hidrocentraleve, duke futur një masë konkurrence, pra dhe çmimesh racionale, në fushën e prodhimit energjitik. Dhe tashmë që çmimet egzistojnë, mund të shohim, me anë llogaritjesh ekonomike, që tri hidrocentrale të mëdha të përqendruara në një sipërfaqe të vetme ujore nuk na paskësh qenë zgjidhja më efektive për prodhimin energjitik. Shansi në të ardhmen që thatësira të godasë në mbarë vendin është shumë më i vogël sesa mundësia që Drini të vuajë nga një vëllim i ulët prurjesh.

Nga ana teatër, shteti ka investuar drejtpërdrejtë në disa projekte specifike, ku bie në sy TEC-i i ndërtuar në Vlorë. Por ja që ky TEC nuk funksionon veçse për më pak se një orë në ditë, pasi rezulton se nuk ia vlen të vihet në përdorim të vazhdueshëm. Pra, një harxhim i madh parash në këtë rast.

Ç’duhej të ishte bërë? Ndonëse shtimi i licencave për ndërtim HEC-esh të vogla është një vendim më se i mirëpritur që shton një masë sipërmarrjeje dhe racionaliteti në prodhimin vendas energjetik, shohim qartë që nuk ka se si të jetë masa më e mirë. Sa për të filluar, ky sistem përcakton që energjia duhet prodhuar me HEC-e, përcakton kapacitetin e tyre, vendin e ndërtimit, madje rregullon dhe çmimet e shitjes së energjisë tek shpërndarësi kombëtar (shih më poshtë) si dhe jashtë vendit. Pra, asnjë nga këto pika nuk është përcaktuar racionalisht, me anë të llogaritjes ekonomike, por nga tekat dhe hamendjet e burokrateve në Tiranë ose atyre ndërkombëtarë. Kush na siguron që HEC-et e vogla janë forma më e mirë e prodhimit?

Që këtu, shohim problemin e përgjithshëm: pse duhen licenca për të ndërtuar këto HEC-e? Në kushtet e ngushticës së madhe enegjitike të vendit, e aq më shumë të ambicies së qeverisë për ta kthyer Shqipërinë në një ‘superfuqi të vogël energjetike’, ç’kuptim kanë licencat që s’bëjnë gjë tjetër veçse ulin prodhimin?

Më tej, përse janë dhënë me koncesion këto mini-HEC-e, ndërkohë që shoqëritë private po i projektojnë, ndërtojë dhe do ti menaxhojnë pa kërkuar e marrë asnjë farë ndihme publike? Pse të mos ‘shiten’ (nëse mund të shitet diçka që i përket pronarit të vetë) direkt? Bardhyli ka shkruar më parë mbi mangësitë e koncesionit në krahasim me privatizimin e plotë.

Por gafa më e rëndë e mbarë reformës së prodhimit qëndron tek investimet e drejtpërdrejta të qeverisë. Nëse, megjith mangësitë dhe kufizimet e mëdha, HEC-et e vogla të paktën nuk do ndërtohen aty ku nuk pritet të sjellin fitim, objektet e ndërtuara ose të ‘porositura’ nga vetë qeveria ndërtohen pa kurrfarë testi tregu. TEC-i i Vlorës është shembulli i dukshëm: pas gjithë fanfarës dhe fjalëve të këndshme të ‘ekspertëve’ qeveritarë, pas gjithë debatit që u shkaktua (për arsyet a gabuara) nga kjo vepër, ja që ajo na rezultoi në vrimë e madhe në buxhet, që ndizet sa për tu mbajtur në gjendje pune (ta ketë fajin Gedafi që na rriti çmimin e naftës?). Por së paku kjo gafë madhore mund të ketë bindur qeverinë të heqë dorë nga ’porosi’ të tjera të ngjashme TEC-esh, fushash prodhimi të energjisë së erës (që kushton një dreq e gjysmë) e deri të projektet bërthamore (nuk kam asgjë kundër energjisë bërthamore në parim).

Ajo që duhet në fakt të ishte bërë, do ishte të eliminoheshin në çast gjithë kërkesat për licencim dhe rregullimet në lidhje me ndërtimin e veprave private energjitike. Secili duhej të qe i lirë të projektonte, ndërtonte, shiste apo operonte çfarëdolloj impianti energjitik, të çfarëdolloj tipi apo madhësie, në çfarëdolloj vendndodhjeje dhe me çfarëdolloj klientësh dhe çmimesh. Vetëm kështu do mund të sillej konkurrenca dhe racionaliteti i plotë ekonomik në këtë fushë (mund të dëgjohen sot shumë histori të sipërmarrësve privatë të cilëve u është mohuar leja për të ngritur mikro-HEC-e rudimentare për të pajisur me energji fshatrat e tyre: kjo do ishte fushatë reale elektrifikimi!). Eliminimi i liçensave gjithashtu do eliminonte korrupsionin e mirënjohur që shoqëron proçesin e liçenismit dhe tenderimit (dhe që i dha shkas 21 Janarit famëkeq), një bonus jo i vogël në këto kohë tensioni të lartë politik.

Pas kësaj mase, do mund të shihnim me kënaqësi dhe kërshëri se cila do ishte forma më e përshtatshme e energjisë për vendin tonë. HEC-et? TEC-et? Turbinat e erës apo energjia bërthamore (personalisht mendoj se një kombinim i mikro- dhe mini-HEC-eve me centralet bërthamore do rezultonte efektiv)? Për të vendosur ‘qershinë mbi tortë’ do duheshin priovatizuar, veç e veç, tre digat e mëdha në veri (si dhe TEC-i i famshëm i Vlorës, i cili së paku do mund të shitej për skrap). Nën menaxhim privat, tashmë ato do fitonin efektivitet maksimal dhe, kam përshtypjen, edhe përmtyjet periodike në veri do shmangeshin, së paku seri diku.

Por, të mbetura me kaq, edhe këto masa do ishin gjysmake. Edhe nëse prodhimi energjitik do racionalizohej në maksimum, do mbetej sërish barra ende e rëndë që sistemi i shpërndarjes përbën për ekonominë shqiptare. Kësaj çështjeje i kthehem në pjesën e dytë të shkrimit.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s