Reforma disi më pak gjysmake e sektorit energjitik: tri pyetje për ekspertët kundër privatizimit të digave

Etjon Basha

Nuk vajti as dita që kur qeveria shpalli futjen ne proces privatizimi te disa digave të mëdha në vend, dhe ja ku gjendemi edhe në Shqipëri përballe histerisë anti-kapitaliste që u vërtetua në Kosovë me rastin e privatizimit të PTK-së. Dje dhe sot ekspertë të ndryshëm japin argumentet e tyre se pse kjo shitje do jetë gabimi më i madh në historinë e Shqipërisë, ndërkohë që partia më e madhe në vend (në opozitë, tani port tani) kërcënon se privatizimet do anulohen në çast sapo ajo të marrë pushtetin.

Por para se të shtroj tri pyetjet e mia për këta ekspertë, më duhet të shpreh kenaqësinë tepër të madhe që ndjej teksa shoh që blogu ynë modest i ka paraprirë këtij zhvillimi. Tek një postim i mëparshëm një nga rekomandimet që bëheshin për të çuar deri në fund reformën e sektorit energjetik ishte pikërisht privatizimi i plotë i aseteve prodhuese të këtij sektori, kryesisht të digave të mëdha. Tani jo vetëm që kjo është pikërisht ajo që do ndodhë, por madje mendohet që edhe procesi të marrë formën e shitjes së plotë, jo dhënies me koncesion, sërish siç kemi këshilluar në dy-tri postime të ndryshme në këtë blog.

Tani që ia bëmë pak qejfin vetes, ti futemi punës dhe ti shtrojmë tre pyetje para të ashtu-quajturve ‘eskpertë’ që dolën me kaq histeri kundër privatizimit.

1) Argumentohet që digat që do shiten operojnë në fakt me fitim, që është diçka e padëgjuar për një ndërmarrje publike! Të mësuar të pranojnë dështimin vetëm kur ai është i qartë si drita e diellit, etatistët tanë nuk shohin asnjë arsye se pse shteti duhet të shesë një aktiv që del me fitim. Kjo është vetëvrasje financiare, thuhet. Mirë pra, pyetja që shtohet është:

A e keni dëgjuar ndonjëherë në jetën tuaj konceptin a aktualizimit të flukseve të ardhme të parasë, të dashur ekspertë?

Behët fjalë për një koncept që mësohet në vit të parë të çdo fakulteti serioz ekonomik në botë, dhe as që dyshoj që ‘ekspertët’ tanë do kenë studiuar diçka nga ekonomia, derisa flasin me kaq guxim mbi punë ekonomike.

Nëse e njohin konceptin, pse e injorojnë tërësisht kur ngrenë këtë ‘objeksion’ që vetëm një gjimnazist (me respekt ndaj gjimnazistëve) mund ta ngrejë? Nëse nuk u shitkërkan asetet që prodhojnë flukse monetare (dalin me fitim) si na funksionoka bursa në botë, ku çdo aksion pritet të gjeneroje fitime e sërish shitet për bukuri dhe madje me fitim?

Nëse nuk e njohin konceptin, dhe gjasat janë që realisht nuk e kanë idenë, atëherë të ulen e të lexojnë dy faqe financë para se të dalin kundër lëvizjeve të tilla masive fiskale. Po të lexonin ndopak, do dinin që shteti nuk ka për të humbur gjë nga shitja, por thjesht do marrë qysh tani në formë çmimi të ardhurat që diga do gjenerojë në të ardhmen: paranë e nesërme po e marrim që sot! Nga na del humbje për shetin këtu?

2) Argumenti tjetër është që operimi i hidrocentraleve qenka çështje shumë teknike, dhe manaxhimi privat nuk bën shumë ndryshim në rastin e këtyre aktiveve, pasi në çdo rast një mënyrë të vetme ka për të menaxhuar këto diga. Përse po shiten këto diga pra, kur pronësia private nuk ka për të përmirësuar menaxhimin? Pyetja e radhës është,

Nëse menaxhimi i digave qenka punë e mbaruar teknike, perse para jo më shumë se 6 vitesh në vend mungonte energjia për orë të tëra, ndërsa tani rryma ndërpritet vetëm në rast mospagimi?

Ku ishin këta ekspertë të mëdhenj, që e paskan të lehtë fare të manaxhojnë digat, kur ekonomia  e vendit binte në amulli dhe Shqiptarët bëheshin gazi i Evropës për shkak të ndërprerjes endemike të rrymës? Meqë të dashurit ekspertë dështuan dhe dështuar turpshëm dhe publikisht në ‘menaxhimin teknik’ të digave, së paku të kenë mirësinë të heshtin tashmë që më në fund zgjidhja e tmerrit energjetik është gjendur tek tregu i lirë. Më së paku letë dështojë dhe menaxhimi privat sa një e dhjeta e dështimit të atij publik, që çdo shqiptar e mban mend mirë, dhe pastaj le të dalin sërish këta ekspertë e të flasin kundër tregut. Deri atëherë, të kenë mirësinë të heshtin, se kështu bëhen qesharakë.

3) Argumenti i radhës është që, me shitjen e këtyre digave, kontrolli i shtetit mbi prodhimin energjetik do zhduket! Shteti nuk do ketë më në dorë ‘rubinetat’ e prodhimit të energjisë, por do ia lërë tregut të tmerrshëm menaxhimin e këtij malli jetik! Pyetja për ekspertët tanë është,

Ku ishin këta ekspertë në vitin 1991?

Nëse kanë qenë në Shqipëri, do e mbajnë mend shumë mirë se si pikërisht kontrolli i rreptë i shtetit mbi prodhimin e bukës në ato vite krijoi radhë të tmerrshme për të blerë një copë bukë. Dhe përballë krizës së bukës, shteti atëherë vepron me mend, dhe brenda natës eliminoi gjithë kufizimet e prodhimit privat të bukës. Dhe ç’tmerr ndodhi? Humbi kontrolli i shtetit mbi prodhimin? Absolutisht po! Buka u zhduk? Absolutisht jo! Në një kohë rekord  buka gjendej lirshëm dhe pa mundim në treg, dhe askujt nuk i vajti më në mend (për ca kohë së paku) që shtetit ti lihej më kontrolli mbi çdo të mirë ose shërbim, mbi të gjitha mbi ata jetikët!

Nëse këta ekspertë nuk kanë jetuar në Shqipëri në atë vit jetik, ose furnizoheshin me preferencë nëse punin në shtet që atëherë dhe pra nuk ndienin vështirësitë e radhëve të gjata,  le të pyesin të afërmit e tyre për këtë mrekulli moderne që nisma e lirë diti të bënte, e të kuptojnë që nëse tregu arriti një sukses të padiskutueshëm e të plotë në vetëm një muaj, në kushte varfërie të skajshme dhe me produktin më jetik që mund të përfytyrohet, atëherë si mund të hidhen më dyshime për produkte të tjera, shumë më pak jetike dhe në kushtet e sotme që as që krahasohen me vitin ‘91?

Ka dhe argumente të tjera që hidhen nga kampi anti-kapitalist, por kot i kemi trajtuar më parë. Pretendimi që këtu po u shiska pasuri publike është hedhur poshtë nga Bardhyli ndërsa alarmin mbi rritjen e çmimeve që do shkaktoka privatizmi e kam trajtuar diku tjetër.

Por së fundi, ekspertët duhet të kuptojnë që fushata e tyre do dështojë, jo sepse ata humbasin turpshëm betejën e argumenteve reale. Sado njerëz të binden nga bombardimi anti-kapitalist që do vijoi pa dyshim në shkallëzim në ditët në vijim, sërish kjo nuk ka për ta ndryshuar vendimin për shitje. Arsyeja është e thjeshtë: ky vendim nuk është marrë mbi baza argumentimi ekonomik dhe pranimi, nga ana e qeverisë, të rrugës së tregut të lirë.

Jo, programi i mirëpritur i qeverisë shqiptare për “privatizimi total” lind thjesht nga ngushtica e madhe financiare që kolapsi i tregjeve të borxhit publik po sjellin në Evropë. Në këtë pikë kundërshtarët e privatizimit të digave kanë shumë të drejtë.

Në këto kushte zgjedhje për qeverinë shqiptare është një: shitje e aseteve publike, ose rritja e normave të interesit mbi borxhin që emeton. Do shohin nesër më në detaj se pse kjo strategji për të mposhtur borxhin me privatizim nuk do funksionojë, por qeveria shqiptare nuk pret të funksionojë.  Thjesht, në panik e sipër, privatizimi shihet si e vetmja zgjidhje, tani port tani, për çështjen e borxhit. Dhe nesër? Nesër do jetë një ditë e re, por të perifrazojmë një libër të njohur.

Pra, sado të çirren me të madhe ithtarët e shtetit, rruga përballë qeverisë shqiptare realisht është vetëm ajo e privatizimit të çdo aseti të mundshëm që mund të shitet pa shkaktua revolucion majtist. Dhe më duhet të pranoj që më bëhet qejfi sa më ska teksa shoh që për një herë të vetme, është zvogëlimi i shtetit ai që është i pashmangshëm, e jo zgjerimi i tij.

Ta gëzojmë pra, tregun tonë energjetik, që pas këtij privatizimi do jetë një hap më afër tregut optimal që meritojmë! Gjitahshtu nëse ndonjë i punësuar në kryeministri apo një nga ministritë e përfshira rastis të lexojë këtë postim, ju përgëzoj pasi një vendim i mirë vlen edhe kur merret për arsyet  e gabuara.

3 thoughts on “Reforma disi më pak gjysmake e sektorit energjitik: tri pyetje për ekspertët kundër privatizimit të digave

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s