Kategorikisht kundër reciprocitetit tregtar

Bardhyl Salihu

Si shtesë e dy shkrimeve të mëparshme mbi këtë temë (këtu dhe këtu), ky shkrim ka për qëllim t’i ofroj disa pikëpamje të reja për ta përmbyllur argumentin univerzal kundër reciprocitetit tregtar me Serbinë. Shpjegimi bazë pse pengesat tregtare janë të dëmshme—edhe nëse janë përgjigje ndaj pengesave tregtare të një Shteti tjetër—nuk do të përsëritet, dhe lexuesi ftohet t’i lexoj dy artikujt për ta mësuar pse.

Lëvizja e çmimeve

Para se të fillohet, grafikimi i lëvizjes së çmimeve si rezultat i ndryshimit të sasisë së mallrave që do të rezultoj nga reciprociteti do të ishte ilustrativ. Kjo lëvizje mund të kategorizohet në tri periudha kyçe. Periudha 1 është intervali kur mallrat serbe në tregun kosovar fillojnë të shuhen dhe rritja e çmimeve vrehet vetëm kalimthi. Ne grafik çmimet gjenden në pikën A. Varësisht prej jetëgjatësisë së produkteve dhe kërkesesë për to, zhdukja e tyre do të manifestohet në kohë të ndryshme. Reciprociteti është vënë në fuqi qe 20 ditë, kështu që mund të themi që mallrat gjenden në agim të Periudhës 1 kur rritja e çmimeve ende nuk ka marrë vrull.

 

Periudha 2 është intervali kur mallrat serbe përfundimisht shuhen nga tregu kosovar, me përjashtim të atyre të cilat janë kontrabanduar dhe si rezultat nuk i kanë ngritur çmimet sepse e kanë mbajtur sasinë pothuajse të pandryshuar. Në këtë pikë B, megjithatë, çmimet do ta prekin nivelin e tyre më të lartë duke i dëmtuar rëndë konsumatorët e Kosovës si dhe prodhuesit të cilët varen nga importimi i faktorëve të prodhimit nga Serbia. Zëvendësimi i mallrave serbe me ato të vendeve tjera do t’a rrisë sasinë në qarkullim si dhe do të kontribuoj në zbutjen e çmimeve në Periudhën përfundimtare 3. Kjo zbutje do të arrij në pikën C dhe humbja neto (apo zhvlerësimi real i pagave) të konsumatorëve kosovarë mbetet C-A.

Fitorja e Serbisë ≠ humbje e Kosovës

Ithëtarët e reciprocitetit kanë bërë me gisht nga të ardhurat që Serbia i ka marrë nga tregtia me Kosovën (4 miliardë Euro për 12 vite) si “dëshmi” që Kosova nuk duhet të tregtoj me ta. Keqinterpretimi që ata i kanë bërë realitetit ka bërë të duket sikur blerësit kosovarë i kanë dhënë donacion shitësve serbë pa marrë asgjë në këmbim. Por, shkenca e ekonomisë na mëson qysh në fillim që çdo herë kur në mes dy apo më shumë individëve ndodh një shkëmbim, ai ndodh sepse të gjitha palët përfitojnë nga ai (së paku ex ante). Ato marrin dicka që e vlerësojnë më shumë se ajo çka e japin në këmbim. P.sh., kur dikush i shpenzon 1 euro për një Coca-Cola, ai individ e dëshmon që vlerësimi i tij subjektiv i Coca-Colës është më i lartë se 1 Euro—përndryshe nuk do ta blente fare. Në anën tjetër, shitësi i cili i pranon 1 Euro për Coca-Colën të cilën e shet e dëshmon që vlerësimi i tij subjektiv i 1 Euro është më i lartë se një Coca-Cola—përndryshe nuk do ta shiste.

Edhe në kontekstin Kosovë-Serbi e njejta vlenë: blerësit kosovarë e kanë vlerësuar shumën e mallrave dhe shërbimeve të cilat i kanë marrë nga Serbia më shumë se 4 miliardë Euro, kurse serbët i kanë vlerësuar paratë e fituara më shumë se mallrat dhe shërbimet që i kanë dhënë në këmbim. Nga ky transakcion ekonomik kanë fituar të dy palët, përndryshe asnjëra nuk do të bëhej vullnetarisht pjesë e tij. Pra, blerësit kosovarë kanë përfituar po aq sa shitësit serbë përveç që kjo ka ndodhur në mënyra të ndryshme.

Është tragjike që këtë akt vullnetar i cili i demonstron qartë preferencat subjektive të dy palëve në tregti analistët kosovarë e kanë injoruar totalisht duke i bërë shkelje flagrante shkencës së ekonomisë. Këta analistë duket sikur besojnë në mitin merkantilist që çdo pasurim i njërës palë në tregti duhet patjetër të vijë në barrë të varfërimit të palës tjetër. E vërteta është që tregtia nuk është lojë me shumë zero; nga ajo fitojnë të gjitha palët që janë bërë vullnetarisht pjesë e saj në bazë të vlerësimeve tyre subjektive. Analistët gjithashtu duket se besojnë në mitin tjetër që ai vend i cili merr para në këmbim është superior ndaj atij që merr mallra dhe shërbime. Asgjë nuk mund të jetë më larg së vërtetës: janë mallrat dhe shërbimet ato që e mbështesin konsumin si dhe e përbëjnë standardin e jetesës. Paratë shërbejnë vetëm si mjet shkëmbimi dhe në mungesë të mallrave bëhet të kota.

Argumentin e dobët të analistëve mund ta ndjekim deri sa të struket në shpellë duke e shtruar pyetjen: a nuk është kjo arsye për të mos tregtuar me asnjë Shtet nga i cili Kosova nuk fiton para aq sa jep? Kosova ka bilanc tregtar negativ (deficit) me të gjithë partnerët e saj, kshtu që sipas logjikës së analistëve ajo do të duhej të izolohej totalisht në autarki të plotë nëse eksportet e saj nuk barazohen me importet. Me qenë se kjo nuk është e mundshme, sugjerimi i analistëve del të jetë që Kosova duhet të bazohet ekskluzivisht në prodhim vendor, gjë që do të garantonte brenda muajve uri dhe vdekje masive.

Tregtia alternative dhe valuta Euro

Propaganda për rritjen e prodhimit vendor dhe tregtisë me vendet tjera është mashtruese. Së pari për shkak se është mbivlerësuar nga gazetat e pandershme të cilat vazhdimisht dhe me injorancë të plotë ekonomike kanë thirrë për imponimin e reciprocitetit tregtar, të udhëhequra nga Qeveria dhe komuniteti i biznesit. Aleanca Kosovare e Biznesit e ka bërë vlerësimin qesharak që pas reciprocitetit punësimi në vend është “rritur për 20%”. Se dyti, për shkak se çfarëdo prodhimi vendor ose tregtie me vendet tjera që ka lindur si rezultat i reciprocitetit tregtar është nën-optimal. Po qe se mallrat e vendeve tjera do të ishin vërtetë të leverdishme, ato do të bleheshin edhe para imponimit të reciprocitetit. Duke qenë se mallrat serbe ishin më të lira dhe më mirë i pëmbushnin kërkesat subjektive të konsumatorëve, ato e kanë fituar testin e tregut kundër mallrave vendore dhe atyre të vendeve tjera të cilat janë nxitur vetëm falë përkrahjes artificiale shtetërore.

Pra, çfarëdo prodhimi i ri vendor dhe tregti me vende tjera që ka lindur, po bëhet vetëm për shkak se shkëmbimi optimal—më i mirë nga pikpamja ekonomike—është anuluar me dhunë në dëm të mirëqenies së qytetarëve të Kosovës. Si rezultat, qytetarët dhe prodhuesit në Kosovë janë të detyruar të veprojnë me mjete dytësore për nga vlera ekonomike. E tërë kjo nënkupton një regresion dhe një bilanc negativ në zhvillimin ekonomik.

Është thënë gjithashtu që duke e marrë Euron nga Kosova, Serbia fiton një valutë të “fortë”. Por, e vërteta është që Euro nuk është më valutë stabile dhe e ardhmja e saj është e zbehtë, e zhytur në krizën e borgjeve sovrane të Shteteve evropiane. Euro duket e fortë vetëm në krahasim me monedha në zhvlerësim si dinari serb. Fakti që Serbia operon me një standard të parasë me dekret (anglisht: fiat money) dhe rezerva frakcionale e bënë sistemin monetar të saj qenësisht jostabil në kuptimin makroekonomik. Kjo e bënë llojin e parasë që Serbia e merrë gjatë tregtisë të reduktohet në nominalitet për ka rëndësia ekonomike.

Edhe këtu “argumentin e valutës” mund ta ndjekim deri në absurditet duke e shtruar pyetjen: a nuk është kjo arsye për të mos tregtuar me cilindo vend që e ka valutën më të dobët se Euro? Sipas “argumentit të valutës”, Kosova do të duhej të tregtoj vetëm me vende të cilat nuk përfitojnë diçka shtesë nga marrja e Euros si valutë, gjë që nënkupton eliminimin e tërë Ballkanit përveç Malit të Zi.

Bojkoti vs. Reciprociteti

Në pluhurin që është ngritur mbi çështjen e reciprocitetit ka humbur edhe dallimi tejet i madh e i nevojshëm në mes bojkotit dhe reciprocitetit. Shumë individë, duke përfshirë edhe analistë, i kanë parë këto të dyja gabimisht si sinonime. Si definohen ato?

Bojkoti është akt vullnetar i një grupi apo individi për të mos e konsumuar një mall ose shërbim për një qëllim dytësor. Ky qëllim dytësor mund të jetë çkado; duke filluar nga pikpamjet politike e deri tek mbrojtja e kafshëve. Për shembull, edhe pse dikush mund të përfitoj kënaqësi subjektive nga konsumimi i mishit, ai mund ta bojkotoj këtë mall për një arsye dytësore siç është mbrojtja e kafshëve. Në këtë kuptim, bojkoti është pikë-së-pari ekonomikisht i padëmshëm sepse e dëshmon që individi përfiton më shumë kënaqësi subjektive nga ndjekja e qëllimit dytësor se sa nga konsumimi direkt i mallit. Së dyti, bojkoti është totalisht vullnetar dhe nuk i shkel drejtat pronësore të askujt, gjë që e bënë atë të drejtë nga pikpamja etike. Dikush mund ta bindë e ta nxitë, por askush nuk e detyron individin ta bojkotoj një mall. Ky është një vendim që ai e merr vetë.

Në anën tjetër, reciprociteti tregtar nënkupton imponimin e dëshirave në të gjithë. Nën reciprocitet, askush nuk është i lirë ta bëjë vlerësimin ekonomik në mes konsumit direkt dhe qëllimeve dytësore. Të gjithë detyrohen t’i ndryshojnë preferencat e tyre subjektive në linjë me urdhërin shtetëror, duke i shkelur haptazi të drejtat pronësore të secilit individ për të tregtuar me këdo që dëshiron. Reciprociteti si akt imponues e merr karakterin socialist, atë të komisarit i cili e përcakton në mënyrë të prerë dhe arbitrare se çka dhe sa mund të konsumojnë qytetarët. Nëse të gjithë qytetarët do të ishin në pajtim me vendimet shtetërore mbi reciprocitet, atëherë dhuna nuk do të ishte e nevojshme për implementimin e tij. P.sh. nëse të gjithë qytetarët do të pajtoheshin që konsumimi i produkteve serbe është i “gabueshëm”, atëherë dhuna shtetërore nuk do të ishte e nevojshme në implementimin e reciprocitetit sepse ata vullnetarisht do t’i bojkotonin ato. Por, përderisa ka qytetarë që përiftojnë nga konsumimi i mallrave serbe—dhe ky numër është i madh—atëherë dikush gjithmonë humb në reciprocitet.

Forcimi ushtarak i Serbisë

Është thënë që shkëmbimi tregtar me Serbinë e mbështetë forcimin politik e ushtarak të saj, por kjo nuk është patjetër e vërtetë. Rritja e përfitimeve mund të nënkuptoj që kompanitë serbe taksohen më shumë për t’i mbështetur aparatet shtetërore të dhunës—policinë dhe ushtrinë. Por, në të njejtën kohë, taksat shtesë janë gjithmonë kundërproduktive sepse e dekurajojnë prodhimin dhe e zvogëlojnë sasinë e mallrave duke i rritur çmimet si dhe duke e ulur standardin e jetesës për qytetarët serbë. Ato gjithashtu e rrisin shpërdorimin ekonomik duke i transferuar burimet nga sektori privat (kompanitë serbe) që është efikas, në sektorin shtetëror (policinë dhe ushtrinë serbe) që është joefikas.

Në anën tjetër, edhe po të forcohej ushtarakisht Serbia, lufta eventuale me K-FOR-in do të ishte katastrofë politike dhe ushtarake për të. E vetmja zgidhje për Serbinë do të ishte forcimi ushtarak përtej kapaciteteve të NATO-së, gjë që i përket sferës së utopisë.

Përleshjet në veri janë të izoluara dhe janë toleruar si pjesë e vakumit që K-FOR-i dhe i gjithë faktori ndërkombëtar e ka ndarë për ta amortizuar konfliktin shqiptaro-serb. Trajtimi i këtyre përleshjeve të izoluara si shenjë që Serbia ka kapacitete ushtarake për ta pushtuar Kosovën—dhe pastaj si argument që qytetarët e Kosovës nuk duhet të bëjnë tregti me Serbinë—është naiv dhe absurd. Tek e fundit, pse nuk është avancuar ky argument që nga fillimi—kur “rreziku ushtarak” nga Serbia ka qenë gjithmonë “prezent”—por po potencohet vetëm tani në kohën e bllokadës tregtare serbe?

Kamuflimi i politikave ekonomike

Interesat e vërteta të politikave ekonomike të një Shteti pothuajse gjithmonë kamuflohen me pretekste që i nxisin masat. Këto pretekste të rrejshme janë të nevojshme për t’i garantuar politikave përkrahjen popullore dhe për t’i shtypur ata që nuk pajtohen me to. P.sh., kur 3 vite më parë në Amerikë Shteti i plaçkiti taksapaguesit amerikanë për ta shpëtuar kartelin bankar që kishte pësuar humbje të mëdha nga gabimet gjatë krizës, preteksti zyrtar ishte “mbrojtja” e sistemit financiar nën moton “shumë i rëndësishëm për të dështuar”. Edhe reciprociteti tregtar e ka ndjekur një strategji të përafërt.

Duke qenë se në Kosovë nacionalizmi patetik është tepër i përhapur si ideologji, Qeveria e ka mbështjellur reciprocitetin nën petkun e nacionalizmit. Rezultati ka qenë fantastik: të gjithë masat e kanë përkrahur në mënyrë të gjerë e në injorancë të plotë për pasojat që do t’i vuajnë. Kontradiktat e nacionalizmit janë shfaqur edhe në këtë rast. Nëse reciprociteti është i dëmshëm për qytetarët e Kosovës, shumica e të cilëve janë shqiptarë, atëherë qfarë qëllimi nacionalist është arritur? Reciprociteti del të jetë anti-nacionalist sepse i dëmton e nuk i ndihmon shqiptarët e Kosovës. Megjithatë, kontradikta të tilla janë pjesë e zakonshme e një ideologjie të dështuar kurse Qeveria është mësuar duke e kundërshtuar vetveten dhe duke punuar kundër interesave të qytetarëve të Kosovës.

8 thoughts on “Kategorikisht kundër reciprocitetit tregtar

  1. Absolute pleasure me i lexu qeto shkrime te tujat, kbregut, edhe Etjonit. Thumbs up edhe veq perpara. Nder te tjera, shume mire qe po i demantoni disa mitologji te njerzve qe vijne prej “mendjes shnoshe”, ta pabaza.

    Bravo djema.

    Keep ’em comin’ 😉

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s