Ç’mund të thuhet mbi grevën e Bulqizës?

Etjon Basha

EDIT: Postimi është përgatitur para një jave, pra mund të falet ndonjë diskordancë me zhvillimet e ditëve të fundit. Thelbi i analizës mbi grevën e Bulqizës nuk ka ndryshuar aspak.

Ankesat e shprehura prej kohësh nga minatorët në veri të vendit kanë kulmuar së fundi në një grevë të përgjithshme të minatorëve në Bulqizë. Ç’mund të themi si ekonomistë për këtë zhvillim?

1) Greva e minatorëve është amorale

Askush nuk mund ti pengojë minatorët e Bulqizës të formojnë apo ti bashkohen ndonjë sindikate, apo dhe të rreshtin punën në mënyrë kolektive e të organizuar. Ama askush nuk u jep të drejtën këtyre punëtorëve të bllokojnë pronën e tjetërkujt, kompanisë pronare të minierës. Drama që shpaloset në ekranet tona ditë pas dite nuk është lufta e punëtorëve të dëshpëruar për kushte më të mira pune, por pengmarrja e pronës së huaj nga një grup minatorësh të dëshpëruar. Nëse minatorët e Bulqizë duan të ndjekin një grevë tërësisht morale, duhet me patjetër ta vijojë këtë grevë jashtë mjediseve të minierës, ku nuk kanë asnjë të drejtë të qëndrojnë.

2) Greva e minatorëve është grevë kundër minatorëve

Kërkesat e minatorëve të Bulqizës përfshijnë rritjen e rrogave me 20-40%. Ç’do të ndodhë nëse shoqëria do detyrohet me dhunë ti pranojë këto kushte? Kostoja e punës për shoqërinë do rritet me 20-40% brenda ditës. Në rastin më të mirë, fitimi do të bjerë, dhe parimet bazë të ekonomisë do e detyrojnë shoqërinë të ulë aktivitetin, duke mbyllur pjesë të minierës e duke pushuar punonjës. Në rastin më të keq, shoqëria do operojë me humbje ose fitim të pamjaftueshëm e do mbyllë aktivitetin për fare.

Pra, punonjësit që janë ngujuar në grevë sot duhet ta dinë mirë që nëse kërkesat e tyre do pranohen, një pjesë e mirë e tyre, ose dhe të gjithë, do gjenden pa punë. A do ishin kaq solidarë sikur ta kuptonin kaq gjë në ekonomi?

3) Greva e minatorëve dëmton shoqërinë Shqiptare

Nëse këto kërkesa pranohen, dhe aktiviteti i firmës ulet, kjo do të përbëjë humbje për shoqërinë shqiptare, pasi niveli optimal i prodhimit është ai i sotmi, dhe jo ai i reduktuari. Nëse shoqëria do tërhiqet tërësisht nga prodhimi, humbja do jetë totale. Në çdo rast, rënia e eksportit të kromit do pasqyrohet lek-për-lek në një rënie të importeve, çka do ulë mirëqenien e përgjithshme.

Gjithashtu është interesante të shohësh se si majtistët që çirren për atë që kuptojnë si ‘tragjedinë e bilancit tregtar negativ’ të Shqipërisë, po mbështesin me gjithë shpirt grevën që do i japë një goditje madhore një prej industrive kryesore eksportuese në vend. Por konsistenca nuk është veti e majtistëve.

4) Greva nuk ka se si të jetë neutrale

Sindikalistët me të zgjuar (të huaj, kuptohet) kanë dalë me teorinë se grevat nuk sjellin rritje artificiale të rrogave, siç kanë arsyetuar ekonomistët prej më se një shekulli. Kjo pasi rroga optimale është shpesh herë jo një pikë fikse, por një bandë vlerash, dhe nga kjo bandë vetëm negocimi mes palëve do përcaktojë pagën faktike. Një grevë mund të ndihmojë që paga të caktohet në kufirin e sipërm të lejuar, e jo në atë të poshtëm. Kështu edhe paga do rritej, edhe prodhimi do vijojë në sasitë e tij optimale.

Sikur të merrnin vesh dy koncepte bazë ekonomike, sindikalistët tanë do e përkthenin këtë teori në rastin tonë në këtë mënyrë: është e vërtetë që kostot e shoqërisë ACR do rriten me plotësimin e kërkesave tona, por edhe pas kësaj rritjeje sërish do ia vlejë që shoqëria të mbajë prodhimin e pandryshuar, pasi humbja e saj në rroga kompensohet nga fitimet mbi normale që fitohen nga mungesa e konkurrencës. A mund të qëndroje ky argument?

Parimisht nuk mund ta themi, por shumë tregues dëshmojnë që kjo teori, nëse është vërtetuar në ndonjë rast në historinë sindikaliste (pretendim i dyshimtë), në rastin e grevës në Bulqizë nuk vërtetohet kurrsesi. Së pari, qeveria Shqiptare nuk i jep firmës ACR të drejta monopolistike, kështu që fitimet e kësaj firme nuk kanë si të jenë mbi normalen. Së dyti, nëse fitimet e shoqërisë do ishin realisht mbi normalen, shoqëria do punësonte punonjës shtesë e do hapte damarë shtesë në minierë derisa fitimi marxhinal të barazojë koston marxhinale. Pra sërish greva do sillte pushimin e një pjese të forcës së punës.

Së fundmi, grevistët mund ta vërtetojnë që pranimi i kërkesave të tyre nuk do krijojë disbalanca në treg shumë thjeshtë: mjafton të dalin nga minierat e ta vijojnë grevën jashtë tyre. Nëse shoqëria sërish përpiqet të negociojë me ta, atëherë ndofta realisht jemi para rastit të një greve neutrale. Por grevistët nuk kanë për të vijuar grevën jashtë minierave, sepse në fakt e dinë mirë që nuk është greva që po e vë në vështirësi shoqërinë (që shumë thjesht mund ti zëvendësojë minatorët grevistë me minatorë të rinj), por bllokimi i galerive. Me vetë veprimet e tyre këta minatorë dëshmojnë që nuk kërkojnë të negociojnë, por të vjedhin firmën.

5) Kushtet e punës janë ç’njerëzore?

Ka shumë mundësi që ky pretendim të jetë i vërtetë. Rrogat e minatorëve janë minimale, kushtet në galeri mjerane dhe rreziku gjithmonë i pranishëm, qoftë nga bllokimi në minierë, qoftë nga sëmundjet profesionale. Por greva nuk ka sesi ti përmirësojë këto mangësi.

Paga është e ulët pasi stoku i kapitalit për punëtor në minierë është shumë i ulët. Nëse shoqëria ACR ka pasur plane për rritjen e investimeve në minierë, greva me siguri i fshiu këto plane një herë e mirë.

Kushtet në minierë janë mjerane dhe mirëmbajta është jo-ekzistuese pasi, siç kemi argumentuar në këtë blog, qeveria ka parapëlqyer dhënien me konçesion, dhe jo shitjen e galerisë. Në këto kushte shoqëria nxitet të shfrytëzojë infrastrukturën në minierë sa më shpejt e të mos investojë asnjë qindarkë për mirëmbajtjen e një strukture që nuk është pronë e saj. Nëse minatorët duan të ndryshojnë këtë gjendje, duhet ta zhvendosin grevën para kryeministrisë kundër kontratës konçesionare, e jo kundër shoqërisë.

6) Sindikatat janë shoqata hajdutësh

…siç kam argumentuar me parë

7) Greva e vë shtetin Shqiptar në udhëkryq

Pamë se si greva e Bulqizë jo vetëm që nuk ka se si të përmirësojë situatën e mjeruar të minatorëve, që po flijohen pa arsye për teoritë idiote që janë diskredituar para më shumë se një shekulli, por do përkeqësojë dukshëm këto kushte. Në rastin më të  mirë, një pjesë e tyre do arrijnë paga më të larta në kurriz të kolegëve të tyre dhe pjesës tjetër të shoqërisë; në rastin më të keq të gjithë do gjenden pa punë.

Në këto kushte, ata që besojnë se Qeveria duhet të ndërhyjë në këtë tragjedi, duhet të shprehen qartë për ndërhyrjen e qeverisë në anën e shoqërisë koncesionare!  Minatorët duhen nxjerrë, me hir ose pahir, nga mjediset që nuk janë pronë e tyre. Nëse do duan ta vijojnë grevën jashtë mjediseve kanë çdo të drejtë ta bëjnë. Nëse shoqëria do punësojë minatorë të rinj, grevistët nuk do kenë asnjë të drejtë ta ndalojnë. Forcat e rendit do duhet të garantojë zhvendosjen e tyre jashtë galerive si dhe lëvizjen dhe punën e minatorëve të rinj që mund të merren në punë.

Zgjidhja e grevës së Bulqizë do ketë ndikime më të gjëra se thjesht fatet e prodhimit në aksh galeri. Pas një diskreditimi 20-vjeçar, lëvizja sindikalistë në Shqipëri po merr vrull (ndofta sindikatat Kosovare, gjithnjë me të forta, kanë ofruar një model?). Bulqiza është shenja e qartë e kësaj rilindje. Nëse sindikatat lejohen të dalin nga Bulqiza me një fitore (se minatorët nuk kanë se si të fitojnë), përbindëshi sindikalist që ka mundur kolosin Evropian do mbysë liberalizmin edhe në Shqipëri. Nuk do vonojë dita kur një lëvizje e rijetëzuar sindikaliste do sjellë dhe prodhimin e varfër në Shqipëri në kushtet qesharake që arriti prodhimi Britanik në vitet 80. Dhe nëse nuk ndërmerret sot një hap vendimtar për ta ndalur këtë lëvizje, ju siguroj që nuk ka për të dalë një Thatcher shqiptare për ta ndalur këtë kancer më vonë.  Britania në 70 vjet sindikalizmi galopant humbi “thjesht” pozitat drejtuese në ekonominë globale; Shqipëria e varfër do humbasë shansin e vetëm për të mbyllur greminën ekonomike me perëndimin.

Një ndërhyrje energjike e forcave të rendit, ose më mirë ende një mbështetje publike për shoqërinë ACR që ta lejojë atë të zgjidhe me forca private sigurimi fizik këtë problem, do ti bënte mire madje dhe vetë lëvizjes sindikaliste. Duke parë se si rruga e grevës bllokuese mbyllet, sindikalizmi në Shqipëri do mund të evolojë në drejtime më pozitive. Ndofta këshilla jonë për investim në ekonomi do ndiqet, ndofta sindikatat thjesht do kufizohen në negocimin kolektiv të kontratave dhe grevave paqësore jashtë mjediseve të shoqërive, të drejta këto legjitime të çdo punonjësi. E gjithë shoqëria Shqiptare, dhe punëtorët në radhë të parë, do kishte shumë për të fituar nga një zhvillim i tillë.

Teoria ortodokse e etatzimit pretendon që Shteti ekziston pasi individi është tepër fëminor për të kuptuar interesin e tij më të mirë, dhe që vetëm shteti i mençur mund ta detyrojë me dhunë qytetarin të ndjekë rrugën më të mirë. E pra, ja ku shteti shqiptar ka shansin të vërtetojë këtë pretendim madhor.  Nëse minatorët vetë nuk e kuptojnë që veç po përkeqësojnë gjendjen e tyre mjerane me grevën e Bulqizës, është detyre e ‘shtetit të gjithëditur’, i armatosur me 150 vjet teori ekonomike dhe monopolin e dhunës, ti detyrojë të veprojnë në përputhje me interesat e tyre afat-gjata. A do ngrihet shteti ynë në lartësinë e këtij vendimi jetik? Unë nuk kam iluzionin më të vogël.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s