Nacionalizmi, regjistrimi i popullsisë dhe evolucioni kulturor (pjesa 3 nga 3)

Etjon Basha

4) Vetëvendosja si realitet historik

Me siguri shumëkush ka mbetur i tronditur nga skenarët e mësipërme. Si mund të lejojmë që pjesë të vendit të ndahen sepse kjo u kërkoka me referendum? Kufijtë e Shqipërisë janë shënuar me gjak ndër shekuj, dhe janë mbrojtur nga sulmet e ushtrive të huaja ndër breza! Cilët jemi ne për ti cenuar ato? Në fakt, ato duhen zgjeruar!

Diçka e tillë?

Realiteti nuk na lejon të zhytemi në këto iluzione ama. Kufijtë e një vendi, si çdo aspekt tjetër i jetës politike,nuk vendosen as nga precedenti historik, as nga sakrificat e së shkuarës, por thjesht nga vullneti i përgjithshëm për ti mbrojtur, ose mos kundërshtuar ato.

Misesi  dëshmon se si zbulimi i nevojës absolute që shteti ka për mbështetje – ose se paku për pasivitet – të gjerë publike ishte ndër zbulimet më të rëndësishme të bëra nga liberalët e shekullit të XIX. Pa këtë mbështetje, asnjë regjim, asnjë kufi nuk mbrohet dot. Kështu, në çastin që vullneti i gjerë i një rajoni për ndarje formësohet dhe banorët janë gati të përballojnë sakrificat e nevojshme, qëllimi i tyre është arritur.

Hungarezët në Perandorinë Habsburge u mundën tërësisht nga forcat Austriake dhe Ruse në 1848 teksa u ngritën për pavarësi, por sërish fituan pas 20 vitesh një  autonomi të gjerë brenda Perandorisë pa shkrepur pushkë. Hollandezët humbën thuajse çdo betejë ndaj spanjollëve e sërish ia arritën qëllimit. Lufta Amerikane për pavarësi qe një varg i gjatë humbjesh ushtarake, siç qe dhe çdo lëvizje antikolonialiste e shekullit të shkuar. Nga çasti që popullsia e gjerë Shqiptare humbi durimin ndaj Osmanëve, u deshën pak vite kryengritjesh (të shtypura) që Shqipëria të fitonte autonomi të gjerë brenda Perandorisë, fatkeqësisht vetëm javë para se kjo e fundit të shkatërrohej në Luftërat Ballkanike.

Historia flet qartë: nuk ka zëvendësues për vullnetin e qartë dhe të gjerë të popullsisë. Çdo komb që injoron parimin e vetëvendosjes është i destinuar të humbasë turpshëm betejën për tërësi territoriale. Kështu, parimi i vetëvendosjes është real: e gjithë çështja është ta kuptojmë këtë fakt.

5) Evolucioni kulturor i von Hajekut dhe rëndësia e regjistrimit etnik dhe fetar

Në mendimin e ekonomistit dhe filozofit të mirënjohur F.A.Hayek vend të rëndësishëm zë teoria (fatkeqësisht ende e pazhvilluar më tej) e evolucionit kulturor.

Në vija të përgjithshme, Hajeku mbron idenë se në krah të evolucionit gjenetik, njerëzimi jeton dhe falë evolucionit kulturor. Tërësia e normave të pranuara kulturore të një grupi konkurrojnë me ato të grupeve të tjera, derisa tërësia më e mirë e rregullave të fitojë e të përhapet.

Teoria e Hajekut është ende embrionale, po mendoj se mund ta zbatojmë pa frikë në rastin e evolucionit kulturor kombëtar. Duke qenë se kombin e përkufizuam si entitet kulturor,me patjetër që dhe kombi konkurron ndaj kombeve të tjerë kulturalisht.

Nuk ka barrierë mbrojtëse e as mundësi shpëtimi prej ndaj kësaj konkurrence. Çdo komb, kudo dhe kurdo matet me kombet e tjera për supremaci. Fatkeqësisht konkurrenca shpesh kthehet në dhunë, por dhuna nuk është aspak e domosdoshme për evolucionin kulturor. Fitoret më spektakolare të kulturave në votë, si ajo greke e lashtësisë, ajo arabe e mesjetës dhe ajo evropiane (e në veçanti britanike) në dy shekujt e shkuar kanë qenë kryesisht paqësore.

E rëndësishme, kështu, është të kuptojmë që dhe kombi Shqiptar çdo ditë konkurron kulturalisht me të tjerët. Nga çasti që ky fakt pranohet, ndaj këtij proçesi mund të mbahen dy qëndrime.

Së pari, mund të përpiqemi të barikojmë veten nga ky proces me anë të izolimit. Së dyti, mund ti hapemi këtij procesi. Rruga e parë është ajo që, dashur pa dashur, propozojnë nacionalistët. Rruga e dytë është ajo që propozoj në këtë postim.

Rruga që zgjedh gjithsecili varet padyshim nga besimi i tij në superioritetin e kulturë së tij. Kush nuk ka besim se kombi i tij mund të ‘mbijetojë’ kulturalisht gjatë këtij procesi, do kërkojë me patjetër ta izolojë veten nga bota, ti shmanget konkurrencës. Nëse e dimë që kultura kombëtare është aq inferiore sa shanset për ta trashëguar atë tek brezat pasardhës në kushtet e konkurrencës janë të pakta, çdo instance konkurrence duhet eliminuar.

Dhe megjith apologjinë e qeverisë, regjistrimi etnik dhe fetar është një instancë e tillë. Po të lëmë mënjanë vlerën informative që procesi ka, do shohim që në fakt ai do jetë një termometër pak a shumë i saktë i gjendjes së kulturës sonë kombëtare, i pari në mbi 20 vjet. Sa përqind e qytetarëve do ndihen aq të kënaqur në kulturën tonë kombëtare për ta mbrojtur atë në anketim? Të mos i lejosh ata të shprehen, nënkupton kapitullim heshtur ndaj kulturës së kombeve të cilëve i druhemi aq shumë, po ashtu si një qeveri që i shmanget zgjedhjeve do nënkuptonte mungesën e mbështetjes popullore.

Por nacionalistët gabohen kur mendojnë se izolimi do shpëtojë kombin nga konkurrenca. E vetmja gjë që izolimi do bëjë do jetë të ndalojë evolucionin e kulturës tonë, ndërkohë që kulturat konkurrente do përmirësohen dita ditës. Izolimi largon fundin, por po ashtu e bën atë më të sigurt.

Aty ku ndahem me ata që vetëquhen nacionalistë dhe propozojnë izolimin e Shqipërisë nga konkurrenca kulturore në një mijë e një fusha të vogla, është tek besimi që Shqiptarët do dalin të ftuar nga ky proces.

Në afat të shkurtër mund të vërehet një tkurrje e kombit shqiptar, jo në terma kufijsh pro në terma numrash të atyre që mendoje në shqip. Por rezultati afatgjatë do jetë pozitiv.

Nëse kombi ynë arriti rrezikshëm pranë zhdukjes pas 50 vitesh izolimi komunist (për të mos folur për 5 shekuj izolimi osman), dhe nuk dyshoj 50 vite të tjera do e kishin zhdukur tërësisht shqipen në kontaktin e parë me botën e jashtme, situata sot nuk është aspak e njëjtë. Në 20 vjet shqiptarët kanë përjetuar zhvillim të vrullshëm, dhe janë sot në pozita shumë më të favorshme për të konkuruar, megjith pesimizmin e përgjithshëm që çuditërisht shoh tek shumë nacionalistë (“nuk bëhet Shqipëria me Shqiptarë!”).

Gjithkush pra, le të pyesë vetën se ku qëndron në këtë çështje madhore, ku nuk egziston rruga e mesme: optimizëm apo pesimizëm, izolim apo konkurrencë?

Nacionalizmi, që paradoksalisht nuk ka besimin më të vogël te fuqia kulturore e kombit dhe kërkon të ngrejë një mijë e një pengesa ndaj evolucionit të përditshëm, apo patriotizmi (term që e dëgjoj rrallë nëpër debate të tilla) që nuk dyshon që kombi do dalë i fituar nga ky proces?

Përgjigjuni pra, pa merak dhe siklet ndaj pyetjeve të anketuesit, dhe pranoni pa frikë rezultatet, cilatdo qofshin. Rruga e re e kombit Shqiptar, megjith pesimizmin e ultranacionlistëve, sapo ka nisur!

Pjesa 1

Pjesa 2

One thought on “Nacionalizmi, regjistrimi i popullsisë dhe evolucioni kulturor (pjesa 3 nga 3)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s