Anatomia e papunësisë në Kosovë

Bardhyl Salihu

Nuk mund të mos mendohet për problemet ekonomike në Kosovë pa u gjembuar prej realitetit të shëmtuar të papunësisë. Për shkak se shumica dërrmuese e një shoqërie duhet të prodhoj për të konsumuar, vendi i punës nuk është vetëm mjet i individit për mbijetesë por madje përcaktues i identitetit të tij. Të dëshpëruar nga dështimi i Qeverisë për ta përmirësuar problemin e papunësisë—e madje duke e mos ditur që pikërisht Qeveria e përkeqëson atë—qytetarët e Kosovës janë të etur për t’i ditur shkaqet e këtij problemi.

Matja e papunësisë dhe përcaktimi i pagave në treg të lirë

Për ta matur papunësinë (ose punësimin), në treg të punës përfshihen vetëm ata individë të cilët janë të aftë të punojnë si dhe janë duke kërkuar një vend pune në mënyrë aktive. Kjo menjëherë i përjashton grupet si studentët (të cilët përkundër aftësisë për të punuar kanë zgjedhur ta vijojnë edukimin), pensionistët, fëmijët (zakonisht nën moshën 16 vjeçare), personat me aftësi të kufizuara,  të burgosurit, si dhe pjesëtarët e shërbimit ushtarak.

Nga ata të cilët e përbëjnë tregun e punës, individët që janë duke kërkuar vend pune por të cilëve nuk u pëlqejnë parakushtet e punës (si për shembull paga, ambienti i punës, lloji i punës, vendndodhja, eprori, siguria, etj.) njihen si të papunësuarit vullnetarë. Ky kualifikim mund të duket i vrazhdë, por ekziston një shpjegim i mirë për të. Shpjegimi është që në pagën e përcaktuar nga tregu punëtorëtvullnetarisht vendosin të mos punësohen.

Për shembull, nëse gjysma e punëtorëve në Kosovë e vënë si parakusht të punësimit pagën mbi 1,000 euro në muaj, një pjesë shumë e madhe e tyre do të mbetet e papunësuar pikërisht sepse prodhimtaria e tyre për punëdhënësin nuk e arsyeton këtë pagë. E njëjta vlen edhe për kërkesat jo-monetare të punëtorëve (si p.sh. siguria në vendin e punës), akomodimi i të cilave përbën kosto shtesë për punëdhënësin. Nëse ato kërkesa nuk e arsyetojnë prodhimtarinë e punëtorit (“produktin e zbritur margjinal të vlerës” në terminologjinë e ekonomisë), dhe si rezultat nuk mund të akomodohen, atëherë punëtori mbetet i papunësuar si rezultat i veprimeve të tij vullnetare. Vullnetare, pra, jo sepse nuk ka vende pune por sepse individi vullnetarisht po i anashkalon mundësitë për arsyet e tij subjektive të cilat nuk mund të gjykohen.

Shumica e papunësisë në Kosovë është e kësaj natyre. Me parakushtet e tanishme në tregun e punës, natyrisht shumë të këqija në krahasim me vendet tjera evropiane, një pjesë e madhe e punëtorëve e vlerësojnë kohën e lirë më shumë se sa vendin e punës. Për ta paga si dhe parakushtet tjera nuk janë aq të leverdishme për të abstenuar nga koha e lirë; në zhargonin e përditshëm “s’ka hesap”.  Si rezultat, ata mbesin vullnetarisht të papunësuar.

Në ato rrethana në të cilat ata i pranojnë parakushtet e punësimit por nuk mund të punësohen, atëherë një palë e tretë—Shteti—është përgjegjës për papunësinë e tyre. Por me qenë se papunësia vullnetare është fenomen më i zakonshëm në Kosovë se sa papunësia e shkaktuar nga Shteti, ajo vlen të diskutohet më shumë.

Në treg të lirë ekziston nxitja e madhe që punëtorët dhe punëdhënësit të vendosin marrëdhënie pune shumë shpejt dhe me pak probleme. Në secilin moment në kohë, në treg ekziston një pagë e tregut për një punë të caktuar. Të gjithë ata të cilët dëshirojnë të punojnë për pagën e tregut gjejnë punë, kurse të gjithë punëdhënësit që e paguajnë atë pagë gjejnë punëtorë. Përfundimisht, paga e secilit punëtor e reflekton produktin shtesë që ai i sjell punëdhënësit të tij—pra prodhimtarinë e tij. Nëse prodhimtaria e punëtorit është 500 euro për muaj, atëherë punëdhënësi do të pësonte humbje po ta punësonte këtë punëtorë me një pagë më të madhe se 500 euro në muaj. Natyrisht, dëshira e punëdhënësit është ta paguaj punëtorin sa më pak që është e mundur, edhe zero euro nëse mundet. Kjo dëshirë megjithatë është e parealizueshme sepse çdo dallim në mes prodhimtarisë së punëtorit dhe pagës që ai e merr nga punëdhënësi krijon mundësi përfitimi për punëdhënësit tjerë. P.sh., nëse prodhimtaria e punëtorit është 500 euro në muaj por ai paguhet vetëm 200, atëherë një punëdhënës tjetër ka llogari të madhe ta punësoj punëtorin për 201 euro në muaj, kurse një punëdhënës tjetër ka llogari për 202, e kështu me radhë derisa paga e punëtorit ta reflektoj përafërsisht produktin e tij margjinal të vlerës që ai i shton biznesit. Pra në treg të lirë—në kontrast të plotë me broçkullat e Karl Marxit—ekziston një tendencë e fuqishme që pagat ta reflektojnë prodhimtarinë e vërtetë të secilit punëtor e jo t’i mbajnë ata në luftë për ekzistencë.

Tre shkaktarët kryesorë të papunësisë

Problemet fillojnë kur ky mekanizëm i tregut pengohet nga Shteti. Nëse Shteti për shembull intervenon në tregun e punës duke i rritur artificialisht pagat nëpërmes zbatimit të kërkesave të dhunshme të sindikatave, atëherë ofertat e punëtorëve për vende pune rriten (sepse pagat janë rritur) kurse kërkesat e punëdhënësve për të punësuar zvogëlohen (sepse punëtorët janë bërë më të shtrenjtë). Dallimi që rezulton është papunësia. E njëjta vlen edhe me pagat minimale. Problem tjetër janë kostot shtesë që Shteti i vendosë mbi punëdhënësit (si taksat, licencat e ndryshme, parakushtet e “sigurisë”, etj.) të cilat e bëjnë biznesin “më të kushtueshëm” dhe e dekurajojnë punësimin e fuqisë punëtore. Pra, shkaktari i parë i papunësisë është intervenimi i Shtetit duke i rritur pagat artificialisht mbi nivelin e prodhimtarisë së punëtorëve apo duke e vështirësuar bërjen e biznesit për punëdhënësin.

Intervenimi i drejtpërdrejtë nuk është e vetmja mënyrë se si Shteti e ç’rregullon tregun e punës. Shkaktari i dytë është manipulimi i çmimeve (si p.sh. normës së interesit) nëpërmes bankës qendrore. Edhe pse procesi këtu është tejet kompleks, mjafton të thuhet që bizneset orientohen gabimisht dhe punësojnë më shumë punëtorë se sa nevojitet. Kur realiteti ri-shfaqet pasi pasojat e intervenimit të kenë kaluar, vërehet që bizneset kanë gabuar dhe duhet ta shkurtojnë fuqinë punëtore në mënyrë që t’i kthehen kombinimit optimal të faktorëve të prodhimit.

Por siç u tha më lartë, këta dy shkaktarë të papunësisë që janë rezultat i intervenimit shtetëror nuk do të diskutohen aq shumë sa ai i treti që ka të bëjë drejtpërdrejtë me papunësinë vullnetare dhe që është problemi kryesor në Kosovë.

Në shekullin 19-të kur Kosova ishte vend pothuajse krejtësisht bujqësor dhe kur kërkesat për produkte ishin të vogla, punësimi nuk ishte aq problematik. Ato të mira që duhej të prodhoheshin—si qumështi, mishi, rrobat, etj.—ishin kryesisht të prodhueshme në ekonominë familjare. Nuk nevojitej njohuri e veçante apo mjete shumë të sofistikuara kapitale për t’i prodhuar këto të mira elementare. Me fjalë tjera, “të gjithë” ishin të punësuar në një formë apo tjetrën.

Krahasojeni këtë periudhë me periudhën bashkëkohore ku kërkesat e individit i tejkalojnë nevojat elementare. Individi modern ka kërkesa tejet komplekse që përfshijnë telefonat mobilë, televizorët, kompjuterët, frigoriferët, veturat, etj. Kërkesat e tij janë më shumë se elementare, madje edhe luksoze. Por tani prodhimi i këtyre produkteve nuk është më aq i thjeshtë sa ai në shekullin 19-të. Për t’i prodhuar këto produkte duhet njohuri e veçantë teknologjike dhe mbi të gjitha mjete kapitale (makineri) të sofistikuara.  Përderisa kjo njohuri dhe këto mjete nuk janë në dispozicion, puna e individit do të ketë vlerë shumë më të vogël sepse pa këto dy mjete prodhimtaria e tij është tejet e ulët.

Rëndësia e mjeteve kapitale për punëtorin

Pra sot në Kosovë, arsyeja pse ekziston një papunësi vullnetare kaq e madhe është për shkak se nuk ka njohuri teknologjike si dhe mjete kapitale të mjaftueshme për t’i prodhuar produktet që i shërbejnë konsumatorëve. Si rezultat i prodhimtarisë së ulët, pagat janë gjithashtu tejet të ulëta. Dhe si rezultat i pagave të ulëta, nxitja e individëve për tu punësuar është gjithashtu tejet e ulët. Për punëtorët, me këto paga dhe kushte pune do të ishte më mirë të rrinë në shtëpi. Por edhe në ato raste kur kërkesat e punëtorëve janë tejet të ulëta, ato mund të mos akomodohen për shkak se bizneset nuk janë të gatshme të punësojnë në mungesë të mjeteve kapitale. Për ta punëtorët janë të pavlefshëm nëse nuk ekzistojnë makinat e nevojshme të cilat punëtorët duhet t’i manovrojnë. Është thjeshtë fizikisht e pamundur të prodhohen disa produkte pa ndihmën e të mirave kapitale sado që e kualifikuar dhe e bollshme është fuqia punëtore. Mu për këtë ankesat për “kapacitete të kufizuara” janë aq të shpeshta në mesin e sipërmarrësve kosovarë.

Nga kjo e shohim që mjetet kapitale janë edhe më të rëndësishme se njohuria teknologjike sepse pa ato jo vetëm që nuk mund të prodhohet, por ato edhe e përcaktojnë prodhimtarinë e secilit punëtor. Arsyeja pse punëtori amerikan ka standard më të madh të jetesës se ai kosovar nuk është sepse amerikani është super më i mençur. Dallimi është tek mjetet tejet të sofistikuara me të cilat amerikani mund të punoj dhe ta rrisë prodhimtarinë e tij për një orë, mjete të cilat punëtori nga Kosova nuk i ka dhe si rezultat duhet të përballet me një prodhimtari dhe një pagë shumë më të vogël. Pra në vend se punëtorët të ndihen të rrezikuar prej mjeteve kapitale, ashtu siç thërriste lëvizja Ludite kundër teknologjisë gjatë Revolucionit Industrial, punëtorët duhet ta përqafojnë akumulimin e kapitalit sepse ai e mundëson punësimin e tyre duke i rritur pagat në nivelin në të cilin për ta është i arsyeshëm e i cili i garanton punëtorëve në Kosovë punësim në masë.

Se si mund të akumulohet kapitali është temë tjetër që meriton diskutim të ndarë, por tani mjafton të thuhet që papunësia në Kosovë është simptomë e varfërisë së kapitalit fizik. Ekonomisti legjendar Ludwig von Mises nuk pushoi së theksuari që “ekziston vetëm një metodë për t’i rritur pagat për të gjithë punëtorët dhe ajo është të rritet sasia e kapitalit të investuar për kokë dhe si rezultat prodhimtaria e secilit punëtor.” Kjo bashkë me largimin e çfarëdo barre që Shteti i shkakton tregut të punës janë jetike në mënyrë që papunësia në Kosovë të zvogëlohet. Çdo tentim tjetër është iluzion dhe çmenduri.

2 thoughts on “Anatomia e papunësisë në Kosovë

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s