Heroi i qytetit: informaliteti ekonomik

Bardhyl Salihu

Ekonomisti dhe teoricieni libertarian Walter Block shkroi një libër dekada më parë në të cilin u përpoq, me sukses mendoj, t’i mbrojë moralisht disa nga ushtruesit e profesioneve më të urryera në shoqëri. Ndër ata ushtrues renditeshin prostituta, shitësi i drogës, i varuri prej drogës, shpifësi, taksisti i palicencuar, polici i korruptuar, fajdexhiu, spekulatori, etj. Block tregoi se si përkundër neverisë që ata e nxisin tek shumica, roli i tyre ekonomik në shoqëri është tejet i rëndësishëm. Në të njëjtën kohë, Block e dëshmoi se nuk ka asgjë të pamoralshme në ushtrimin e këtyre profesioneve dhe se në një shoqëri të lirë shumica do të zhdukeshin dosido në formë natyrale. Libri i tij quhet “Ta mbrosh të pambrojtshmen” (anglisht: Defending the Undefendable) dhe kjo është një sfidë me të cilën duhet përballur çdo kush që argumenton në favor të informalitetit ekonomik.

Çka është informaliteti ekonomik?

Për ta dëshmuar që informaliteti ekonomik jo vetëm që nuk është ekonomikisht i dëmshëm por madje i mirëseardhur, duhet ta definojmë termin në fillim. Informaliteti ekonomik nuk është asgjë tjetër veçse mosrespektim i rregullave ekonomike që Shteti i ka vënë në fuqi me dhunë. Ndër ato rregulla janë obligimi për t’i paguar taksat (haraçin), rregullacionet ekonomike si licencat, apo çfarëdo kufizimi tjetër që mund t’i vihet një biznesi. Raste konkrete të informalitetit ekonomik janë mospagesa e taksave (evazioni fiskal) apo veprimtaria e një biznesi pa licenca shtetërore, si për shembull taksitë në botën Perëndimore të cilët veprojnë ilegalisht. Si pjesë e informalitetit ekonomik mund të përfshihen edhe aktet e mosdeklarimit të veprimtarisë biznesore edhe atëherë kur taksat janë paguar siç kërkon ligji si dhe rregullacionet janë respektuar.

Me fjalë tjera, informaliteti ekonomik është ikja që bizneset i bëjnë barrës ligjore që Shteti i ka vënë atyre. Ai është funksion i përfshirjes së Shtetit në ekonomi. Sa më i përfshirë që është Shteti — me taksa të mëdha e shumë rregulla — aq më shumë biznese do t’i shmangen atyre duke e rritur kështu informalitetin ekonomik. Në ato vende ku ekonomia është kryesisht e lirë, si për shembull në Hong Kong apo Singapor, informaliteti ekonomik nuk ekziston pothuajse fare për shkak se bizneset nuk kanë arsyeje të rrezikojnë përndjekjen shtetërore për mosrespektim të taksave apo rregullave të cilat në krahasim me vendet tjera të botës si dhe pasurinë e bizneseve janë nominale.

A është informaliteti ekonomik i dëmshëm për një ekonomi?

Si pasojë e propagandës Shtetërore dhe injorancës ekonomike, personi i zakonshëm e imagjinon informalitetin ekonomik si një krim të rëndë i cili është tejet i dëmshëm për ekonominë e një vendi. Por esenca këtu është të kuptohet që respektimi i taksave dhe rregullave që Shteti i ka vënë në ekonomi është pikërisht ai faktor i cili e sjell ngecjen ekonomike. Nëse e shohim qartë që taksat dhe rregullat ekonomike janë problemi thelbësor, atëherë automatikisht do ta kuptojmë që shmangja e këtij problemi nëpërmes informalitetit ekonomik sjell rezultate pozitive e jo negative për ekonominë.

Taksat janë shumë të këqija për ekonominë thjeshtë sepse ato e penalizojnë biznesin produktiv. Varësisht prej formës dhe sasisë së përgjithshme të taksave, bizneset dekurajohen nga zgjerimi i prodhimit. Edhe ato biznese të cilat vendosin të mos zgjerohen mendojnë dy herë nëse ja vlen të mbesin në treg për shkak se përfitimi u bie. Bizneset të cilat kanë pasur marzha të vogla përfitimi duhet të largohen nga tregu si rezultat i barrës që taksat i vënë sipër. Ato gjithashtu duhet t’i ulin kostot, e këtë shpesh e bëjnë duke e zvogëluar fuqinë punëtore dhe si rezultat duke e rritur papunësinë. Imagjinoni taksat si një copë të rëndë betoni e cila vihet në shpinën e dikujt gjatë orarit të punës; natyrisht që personi i cili detyrohet ta mbajë këtë barrë do ta pyes veten nëse ja vlen ta bëjë punën që e bënë. Sa më shumë biznese që tërhiqen nga tregu si rezultat i taksave, aq më shumë ulët konkurrenca dhe si rezultat aq më shumë bie kualiteti dhe rriten çmimet. Taksat, pra, përveç që janë moralisht totalisht të papranueshme sepse konsistojnë në marrje të dhunshme të pronës private të një individi, janë ekonomikisht gjithashtu tejet të dëmshme.

Edhe rregullat tjera ekonomike që Shteti i vë kanë gjithashtu pasoja negative. Mendoni për licencat të cilat i reklamohen publikut si masa të “sigurisë” por nuk janë asgjë veçse privilegje monopoliste për një grup të caktuar biznesesh në dëm të konsumatorit i cili duhet të vuaj nga mungesa e konkurrencës së lirë. Pse duhet të ketë licenca për taksitë, për shembull? A nuk duhet që konsumatorët ta përcaktojnë vlefshmërinë e një kompanie në bazë të shërbimit që ajo e ofron? Pse duhet ta bëjnë këtë “vlerësim” burokratët e paaftë e të korruptuar në dëm të konsumatorit? Pse të mos jenë konsumatorët të lirë të mos i frekuentojnë ato kompani që nuk u kanë shërbyer mirë e t’i zëvendësojnë me kompani superiore? Nëse licencat janë të domosdoshme për taksitë sepse e garantojnë “kualitetin” apo “sigurinë”, atëherë pse të mos ketë licenca për çdo shërbim që ekziston? A nuk do të na sillte kjo socializëm të plotë? Ideja e licencave është totalisht absurde sepse e kthen esencën e kualitetit dhe sigurisë mbi kokë; në vend që ato të ofrohen në konkurrencë të lirë, ato mbeten pengje të burokratëve në zyrat shtetërore.

Pra, informaliteti ekonomik nuk është asgjë veçse ikje nga këto veprimtari të këqija të cilat e rëndojnë biznesin. Ajo çka është e mirë për biznesin dhe konkurrencën e lirë është e mirë edhe për konsumatorët si dhe ekonominë në përgjithësi. Prandaj është e qartë që në pamundësi të zvogëlimit drastik (mundësisht total) të taksave si dhe eliminimit të rregullave ekonomike, informaliteti ekonomik si rrugëdalje e vetme duhet të përkrahet fuqishëm. Është shumë mirë kur bizneset nuk paguajnë taksa sepse atëherë do të jenë në gjendje të ofrojnë çmime më të lira, ta zgjerojnë prodhimin e të mos ndihen të rrezikuara. Është shumë mirë kur në tregun e taksive (apo çfarëdo tregu tjetër) ka konkurrencë të plotë e jo privilegje të veçanta për disa biznese që në mënyrë arbitrare i kanë plotësuar “kushtet” për të garuar në treg. Kushtet e vetme të cilat duhet të ndiqen janë ato që i përcakton konsumatori sepse i tërë aktiviteti ekonomik zhvillohet për konsumatorin.

2 thoughts on “Heroi i qytetit: informaliteti ekonomik

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s