Kundër bonove të thesarit!

Bardhyl Salihu

Në media po qarkullon lajmi që Kosova do të filloj emetimin e bonove të thesarit vitin që vjen. Një hap i tillë është tejet i rrezikshëm për shumë arsyeje dhe si pjesë e politikave qesharake të Qeverisë së Kosovës meriton një kritikë tjetër të ashpër.

Për t’i financuar shpenzimet e tyre, qeveritë i kanë vetëm tri mundësi: 1) të mbledhin taksa; 2) të shtypin para (nëpërmes bankës qendrore); dhe 3) të marrin borxh. Bonot e thesarit i përkasin kategorisë së tretë sepse ato janë letra me vlerë të cilat një qeveri i emeton në këmbim të marrjes hua.

Por ku qëndron rreziku i emetimit të bonove? Ai qëndron tek dy gjëra kryesore: rritja e shpenzimit qeveritar si dhe akumulimi i borxheve.

Shpenzimi qeveritar është barrë për ekonominë

Shumë mendojnë që sa më shumë që Qeveria e Kosovës ka në dispozicion në buxhetin e saj, aq më mirë do të jetë për ekonominë e vendit. Një mendim i tillë është totalisht i kundërt me realitetin. Shpenzimi qeveritar është barrë për ekonominë dhe vepron kundër zhvillimit të saj.

Shpenzimi qeveritar nënkupton tërheqjen e resurseve nga sektori privat (i cili është efikas) në sektorin shtetëror (i cili nuk është). Kur Qeveria shpenzon, për shembull, në ndërtimin e një rruge, resurset të cilat përdoren (si makinat e rënda, punëtorët, betoni, dheu, hekuri, ngjyra, goma, etj.) nuk do të jenë në dispozicion për sektorin privat sepse ato nuk mund të ekzistojnë njëkohësisht në dy vende. Kjo situatë njihet në ekonomi si “tkurrje”.

Duke qenë se resurset nuk janë në sektorin privat, ato nuk mund të shërbejnë për përmbushjen e kërkesave të konsumatorëve. Një biznes i cili do t’i përdorte këto resurse nuk i ka dhe si rezultat nuk mund ta zgjeroj prodhimin. Edhe ato resurse të cilat janë të gatshme shtrenjtohen sepse sasia e tyre zvogëlohet pasi që të jenë tërhequr drejtë shpenzimit qeveritar.

Pra, në vend që resurset të mbesin të menaxhuara në sektorin privat, ku ato do të viheshin në shërbim të konsumatorit, ato barten në kanale politike të cilat nuk e kanë parasysh konsumatorin por interesat e veçanta. Funksion i shpenzimeve qeveritare është edhe korrupsioni: sa më të mëdha që janë ato aq më e korruptuar do të jetë qeveria. Rreziku i emetimit të bonove për të marrë borxh pra qëndron në faktin që ato e mundësojnë rritjen e shpenzimeve qeveritare, gjë që e bënë ekonominë të stagnoj.

Rritja e borxhit rrezikon falimentimin fiskal

Por, rritja e shpenzimeve qeveritare nuk është problemi i vetëm me emetimin e bonove. Problem tjetër direkt është edhe rritja e borxhit. Sa më shumë që Qeveria e Kosovës emeton bono, aq më shumë do të rritet shuma e borxhit të saj.

Kriza e borxhit në shumë vende evropiane duhet të shërbej si shembull konkret kundër akumulimit të borxhit. Me emetimin e bonove dhe rritjen e borxhit Kosova rrezikon t’i futet trajektores së shkatërrimit fiskal.

Nëse investitorët e humbin besimin në aftësinë e një qeverie për ta rikthyer borxhin, boniteti i saj venitet dhe askush nuk i jep borxh në të ardhmen. Pamundësia e një qeverie për të marrë borxh është pozitive sepse e vështirëson rritjen e shpenzimit qeveritar. Por, në proces të falimentimit fiskal dëmtohen të gjithë ata të cilët i mbajnë bonot qeveritare, duke shkaktuar kështu potencialisht një krizë ekonomike.

Problem tjetër me akumulimin e borxhit është barra që do t’i vihej gjeneratave të ardhshme. Kur një qeveri e rrit borxhin e saj, në shënjestër vihen taksapaguesit të cilët në rast të vështirësive për ta rikthyer borxhin taksohen më shumë nga qeveria.

Qeveria e Kosovës nuk ka mundësi të shtypë para por rritja e taksave në rast të vështirësimit në pagesën e borxheve do të ishte më se e pritshme, ashtu siç po ndodh në të gjitha vendet evropiane të cilat kanë probleme me borxhet e tyre. Kjo nënkupton që për borxhin që merret sot duhet të paguajnë gjeneratat e ardhshme kur fatura të arrijë.

Emetimi i bonove të thesarit është ide e keqe e cila duhet të shmanget me çdo kusht në mënyrë që shpenzimi qeveritar të mos rritet si dhe borxhet e mëdha të mos akumulohen. Qeveria e Kosovës duhet t’i ulë shpenzimet si dhe ta zvogëloj sektorin publik nëpërmes privatizimit në mënyrë që sektori privat të funksionoj i papenguar në gjenerimin e pasurisë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s