Legalizoni kontrabandën!

Etjon Basha

Ekziston një institucion publik në Shqipëri që dallon nga gjithë të tjerët, jo nga efiçenca apo puna e mirë që bën, pro nga dëmi i pallogaritshëm që i ka sjellë dhe vijon çdo ditë ti sjellë Shqiptarëve. Mes gjithë anketimeve ku listën e institucioneve ku qytetari nuk ka besim e kryesojnë herë gjykatat, herë Kuvendi, herë degë të tjera të aparatçikëve, ky institucion ia hedh paq, dhe kurrë nuk kritikohet për bëmat e tij, me përjashtim të rasteve kur kritikohet se nuk shkakton dëm të mjaftueshëm! Nëse do më lihej në dorë të ndryshoja një aspekt të vetëm shtetit tonë të dashur, me padyshim do zgjidhja ta kantonizoja, por si alternativë të dytë nuk do ngurroja të eliminoja një herë e mirë këtë institucion të përbindshëm. Padyshim që po flas për Doganat Shqiptare.

Një ndër kënaqësitë e mëdha e të qenit një vend i vogël qëndron tek lehtësia e madhe me të cilën mund të zgjidhen shumë punë. Sado gafa të bëhen me politikat e brendshme dritëshkurtra, me taksa e tatime apo me 1001 kërkesa liçensimi, gjithmonë është tregtia e jashtme ajo që i amortizon dhe përfundimisht i dënon këto gafa të jenë jo-efektive. Nën një regjim tregtie plotësisht të lirë, aftësia e shtetit të vogël për të bërë dëm ulet eksponencialisht. Atëherë përse Shqipërisë i duhet vijimisht të tolerojë idiotësitë e qeverive të ndryshme?

Gjithashtu, shpesh herë më ka rastisur të diskutoj një paradoks të çuditshëm: se si artikuj të caktuar ushqimorë (sigurisht jo të gjithë) në perëndimin e pasur tregtohen më lirë se te ne! Debati vijon se sa Shqiptarë do jetonin shumë më mirë, ose së paku nuk do vuanin për ushqimin elementar me çmime të tilla. Po si ka mundësi që një artikull shitet lirë në Gjermani, dhe shtrenjtë tek ne? A nuk i shkon ndër mend dikujt të blejë në Gjermani e të shesë në Shqipëri? Transaksione të tilla janë baza e ekonomisë,  dhe Shqiptarët janë treguar në të shkuarën tejet të aftë në tregti. Si qëndron puna?

Përgjigja në të dy raste është po ajo: Shqipëria nuk gëzon tregti të lirë! Mos u mashtroni nga titujt e traktateve të firmosura me BE-në, Evropën Lindore e vende të tjera: këto traktate me qindra e qindra faqe, e mijëra nene nuk kanë se si të jenë realisht për tregtinë e lirë, por për atë që njihet si tregti e menaxhuar. Shqipëria ka rënë dakord, në traktatin me BE-në për shembull, se do pranojë x ton të y malli në vit, z ton nga malli c në vit, e kështu me radhë. Tarifat mundet realisht të jenë të ulëta, por ç’rëndësi ka kjo kur nuk lejohet importi mbi sasira të caktuara? Madje, nëse do duhet të kemi ndonjë farë kufizimi mbi importet, tarifat janë kufizim shumë më efiçent, pasi së paku shtrembërojnë tregun shumë më pak, ndërkohë që kuotat janë tërësisht arbitrare dhe i lënë shumë pak hapësirë tregut të vetë-rregullohet.

Por ka dhe më:  detyrimet ndërkombëtare të vendit tonë nuk lejojnë këdo të tregtojë artikuj në Shqipëri:  vetëm prodhuesi ose mbajtësi i të drejtave të ekskluzivitetit mund të importojnë mallin (e markuar) në fjalë. Kështu, askush nuk lejohet të blejë një kamionçinë me lëng frutash jashtë vendit e ta importojë në Shqipëri pa miratimin paraprak të mbajtësit të ekskluzivitetit për atë markë. Kjo kthen importin në Shqipëri në një seri monopolesh (bingo! për opozitën), ku për çdo mall ekziston vetëm një ofrues i cili, s’do mend, mund të imponojë çmimin e tij.

Së fundmi, janë interesa brenda vendit ato që shpesh-herë bëhen pengesë për importin e atyre që mund të kthen në mallra konkurrues, edhe pse markë. Dhe në fakt, nëse Doganat tona të dashura kanë fuqi të pengojnë tregtinë  e lirë në këtë masë, perse të mos shfrytëzohet ky pushtet për të ‘qethur’ konkurrencën në vend?

Këto probleme janë jo vetëm reale, por dhe tejet të rënda pasi, siç thamë më parë, tregtia e jashtme në një vend të vogël është shumë e rëndësishme, dhe dëmi nga kufizimi i saj është shpërpjestimisht i madh. Një shërbim më shumë vlerë do i bëhej Shqiptarëve nëse që nesër Doganat do mbylleshin një herë e mirë në gjithë vijën kufitare të vendit! Kontrolli mbi individët mund shumë mirë të ruhet (për ti bërë qejfin BE-së për vizat, jo për tjetër gjë), por asnjë lloj kontrolli nuk do duhet ushtruar më mbi asnjë mall që hyn bashkë me këta individë.

Përfitimet do ndiheshin menjëherë: çmimet e artikujve kryesorë në vend do binin ndjeshëm ndërkohë që shumëllojshmëria e tyre do rritej. Të çliruar nga kufizimet drakoniane të Doganave tona, qytetarët tashmë do e ishin të lirë të tregtonin, qoftë edhe në sasira të vogla, dhe kështu do hapeshin mundësi të reja jetese për shumë Shqiptarë. Nuk duhet të harrojmë që shumica e pasurive egzistuese në Shqipëri sot janë vënë në periudhën kur, fill pas rënies së komunizmit, shteti Shqiptar ishte tepër i dobët për të ngritur kontrolle reale doganore, dhe kushdo mund të provonte fatin në tregtinë me pakicë (të mallrave të ligjshme e të paligjshme).

Po përfitimet nuk do përfundonin me kaq. Fluksi i investimeve të huaja direkte, aq jetik për rritjen ekonomike, do rritej ndjeshëm nga liberalizimi i plotë i tregtisë, pasi tashmë një prodhues italian do e shihte si më të kollajshëm e të lirë prodhimin në Shqipëri nëse do e dinte me siguri që nga vendi ynë ai do mund të eksportonte lirshëm kudo nëpër botë.

Së fundmi, Shqipëria do kthehej në një aktiv për popullsinë (por jo domosdoshmërish për qeveritë) e çdo vendi: asnjë vend nuk do kishte arsye ekonomike për të vepruar ushtarakisht ndaj Shqipërisë në të ardhmen. Nëse kohët kur përdorimi i dhunës në Evropë tolerohej ju duken si shumë të largëta, mos u mashtroni por prisni të shihni se si gjithë qytetërimi paqësor në kontinent (e veçanërisht në rajon!) do ti lërë vend agresivitetit nacionalist e fetar me thellimin e krizës. Një Shqipëri që tregton lirë do të ishte një Zvicër e re, të cilën nuk ia vlen barra qeranë të sulmosh.

Megjithatë eliminimi i plotë i kontrolleve doganore do nënkuptonte dy vështirësi: së pari, sërish Shqiptarët nuk do gëzonin tregti të lirë edhe në këto kushte, pasi sërish do mbeteshin në fuqi kontrollet e mallrave në dalje dhe hyrje nga dhe për në vendet mëmë. Fatkeqësisht nuk e kemi në dorë ti detyrojmë vendet e tjera të eliminojnë kufizimet qesharake mbi tregtinë, po kjo nuk do të thotë që eliminimi i kontrolleve tona doganore nuk do sillte asnjë përmirësim: përfitimet do ishin të menjëhershme e të dukshme, ndonëse fatkeqësisht jo maksimale.

Së dyti dhe me më shumë rëndësi, kontrollet e ‘harmonizuara’ mbi tregtinë qëndrojnë në themel të strukturës së traktateve globale të ‘tregtisë së lirë’. Duke i thyer njëanësisht këto kufizime, Shqipëria do tërhiqte mospëlqimin e fortë të vendeve që imponojnë këtë strukturë globale. Në rastin tonë Bashkimi Evropian, i ngritur pikërisht për të kufizuar tregtinë e jashtme, do ishte kritiku më i fortë i masave të tilla. Megjithatë mirëqenia e qytetarit Shqiptar duhet padyshim të marrë përparësi ndaj tekave të organizatave korporatiste si BE-ja, dhe presioni ndërkombëtar do duhej toleruar si një çmim për tu paguar për këtë mirëqenie të rigjetur.

Por së fundmi, nëse presioni i jashtëm bëhet i padurueshëm (dhe nuk është çudi që të bëhet), atëherë sërish Shqiptarët nuk do duhet të heqin dorë nga kërkesat për tregti të lirë, ndonëse në masë më të kufizuar: më së paku kontrollet kufitare të çdo lloji me Kosovën do duhen eliminuar në çast! Në këtë pikë qeveria Shqiptare nuk duhet të lëshojë pe përballë asnjë farë presioni të jashtëm, qoftë dhe nga vetë qeveria e Kosovës që do tmerrohej pasi tregtia e lirë me Shqipërinë do nënkuptonte ‘by proxy’ tregti të lirë më Serbinë duke hedhur në erë masat foshnjarake të ‘reciprocitetit tregtar’.

Është e papërfytyrueshme që megjtih dëshirës  së madhe për Bashkim Kombëtar, sërish askush nuk ngre zërin për eliminimin në çast të kufirit me Kosovën: që lëvizja e njerëzve, mallrave dhe kapitalit është më e kontrolluar mes Shqipërisë dhe Kosovës sesa mes Gjermanisë dhe Francës është qesharake!

Në vend që të humbasin kohë duke cytur instiktet vetëvrasëse nacionaliste të Shqiptarëve me plane të pamenduara Bashkimi, nacionalistët e vërtetë duhet të fokusohen në protestat ndaj egzistencës së kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës: le ta kthejmë kalimin mes vendeve tona në kalimin mes Tiranës dhe Durrësit, me një tabelë mirëseardhjeje dhe asgjë me tej! Edhe në këtë masë të kufizuar, tregtia e lirë do bënte shumë për të rritur mirëqenien e kombit Shqiptar.

Si përfundim, mund të themi që Shqipëria gëzon fatin e madh e të qenit një vend i vogël, ku tregtia e lirë mund të mbulojë e të kompensojë shumë gafa të politikës së brendshme. Është pra jetike që ne Shqiptarët të përfitojmë nga ky fat e të eliminojnë, mesa kemi mundësi, institucionin më shkatërrimtar shtetëror që kemi ngritur: doganat duhen flakur në koshin e historisë!

3 thoughts on “Legalizoni kontrabandën!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s