Vetëvrasja me ngadalësim e Vardarskës

“Lum kush të rrojë/ ta shohë Zonjë”

Etjon Basha

Ndonëse mund të shkasim pak nga tematika e zakonshme e blogut, nuk më rihet pa i thënë dy fjalë mbi situatën në ‘Maqedoni’.

U bënë ca kohë tashmë që sulmet fizike mbi pronën dhe shëndetin e shqiptarëve atje u janë shtuar repertorit të zakonshëm të provokimeve të hapura. Me ç’dëgjoj më krijohet përshtypja se fqinji ynë i dashur po shket në atë që njihet si ‘low intensity warfare’. Në shqip termin mund ta përkthenim fare mirë si ‘prag lufte civile’.

Dy teori kam dëgjuar për nxehjen e gjakrave në ‘Maqedoni’. E para thotë që këto janë shpërthime spontane dhune të shumicës sllave. Në qoftë kështu, kjo tregon që shoqëria ‘maqedonase’ po kaloka një krizë të madhe të brendshme, pasi kemi parë se si dhuna masive dhe spontane lind në shumicën e rasteve nga shkatërrimi i ndarjes së punës. Një shoqëri pa ndarje pune nuk e ka të gjatë.

Teoria e dytë thotë që këto shpërthime janë në fakt të mirëmendura e të programuara nga qarqe të caktuara. Shpesh dëgjoj që vetë Serbia i nxit vëllezërit sllavë në jug të krijojnë një situatë të patolerueshme për shqiptarët në mënyrë që tërthorazi të nxisë ndarjen e veriut të Kosovës.

Tani, e kam thënë më parë që në fakt Shqiptarët në Kosovë po marrin spunto nga gafat e Serbëve duke mos e lejuar veriun të ndahet sipas po atij parimi që përdori vetë Kosova për tu ndarë. Nëse deklaratat e krerëve kosovarë mbi ‘shenjtërinë e tërësisë territoriale’, ‘ruajtjes së Republikës’ dhe ‘mos-negocimin me kriminelët’ do përktheheshin në serbisht, dyshoj që ndokush do mund ti dallonte nga deklaratat e qeverisë së Beogradit në vitet ’90 drejtuar shqiptarëve të Kosovës. Por kjo në asnjë mënyrë nuk justifikon nxitjen e dhunës në ‘Maqedoni’. Fundja, askush nuk po i prek fizikisht Serbët në veri, të cilëve u është dhënë mëvetësia de facto në mos ende de jure.

Cilado nga këto teori qoftë e vërteta, pasojat do jenë po ato. ‘Maqedonia’ po grumbullon armiq në progresion gjeometrik. Grekët e shohim këtë shtet me aq përçmim sa do e shihnim ne Shqiptarët Kroacinë sikur nesër ta ndërronte emrin në ‘Iliri’ (sigurisht kroatët nuk kanë komplekse inferioriteti në atë masë sa të hedhin poshtë kulturën kombëtare në favor të miteve të vijimësisë gjeografike). Tashmë që hesapet me Serbinë janë në zgjidhje e sipër, Shqiptarët po shtyhen ta shohin ‘Maqedoninë’ si armikun numër një. Nëse tani për tani si qeveria e Tiranës ashtu dhe ajo e Prishtinës me maturi po përpiqen të ruajnë marrëdhëniet miqësore, me siguri që vijimi i situatës në ‘Maqedoni’ do i detyrojë këto qeveri, herët a vonë, të ndjekin valën e opinionit publik.

Fakti është që së shpejti Greqia do zhytet në një krizë shoqërore edhe më të thellë se ajo që po përjeton sot për sot. Në këto situata, shpesh ajo që ndodh është që juntat ushtarake marrin pushtetin për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet. Shpesh këto qeveri përpiqen të zhvendosin vëmendjen nga problemet e brendshme duke nxitur aventura ushtarake. Mjafton të mbajmë mend gafat e ishujve Folklend dhe bashkimin e dështuar Qipro-Greqi, nëse duam shembuj. Dhe kur Greqia të nisë të kërkojë aventura të tilla ushtarake, ‘Maqedonia’ po punon fort që të vihet në qendër të shënjestrës.

Kush do ngrejë një gisht atëherë? Shqipëria dhe Kosova do jenë më se të lumtura të shohin ndarjen e pjesëve shqiptare dhe besoj se po ashtu do mendojë qeveria në Sofje. Turqia do lumturohej mjaft ndërsa Evropa do ketë probleme të mjaftueshme së brendshmi për ta vrarë me tepri mendjen. Nëse Serbia do binte dakort apo jo është me pak peshë. Nëse do arrijë ta përdorë ndarjen e ‘Maqedonisë’ si arsye për të kërkuar veriun e Kosovës, që me të drejtë i takon (duke lënë Preshevën, pa dyshim), aq më mirë për të gjithë.

Problemi i vetëm afat-gjatë që unë shoh do jetë specifikimi i statusit të Iliridës së krijuar rishtazi. Ajo nuk i duhet bashkuar Shqipërisë dhe Kosovës në një mbi-shtet me një qeveri unike. Vetë do isha për pavarësimin e saj të plotë, me një komandë ushtarake të përbashkët e sovrane për të tre shtetet shqiptare. Por këtë çështje do ta diskutojmë në detaje herë tjetër.

Tani për tani, është jetike që Shqiptarët e Iliridës të bëjnë veç pak durim, e të mos nxiten në marrjen e masave të skajshme që do dëmtonin imazhin e shqiptarëve në përgjithësi.

Në këtë pikë duhet ndjekur shembulli i jashtëzakonshëm i Shqiptarëve të Kosovës, epopeja për pavarësinë e së cilës qe një zinxhir i gjatë masash të kalibruara dhe të menduara më së miri, thuajse pa asnjë teprim. Shqiptarët e Maqedonisë mund dhe duhet të ndjekin po këtë precedent.

Krijimeve fiktive të Versajës po u vjen fundi pak e nga pak. Edhe ato pak mbeturina që gjenden nuk e kanë të gjatë. Së paku të kishin mirësinë të largoheshin si popuj të qytetëruar, e jo si fise të lashta. Por ja që realisht vesi dilka me shpirtin.

One thought on “Vetëvrasja me ngadalësim e Vardarskës

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s