Mbi tatimin progresiv të të ardhurave

Etjon Basha

Në programin e saj zgjedhor, partia kryesore e opozitës së majtë në Shqipëri ka hedhur me forcë idenë e rikthimit të tatimit progresiv të të ardhurave vetjake në Shqipëri, i cili duhet të zëvendësojë tatimin e sheshtë aktualisht në fuqi. Megjithëse rrezikoj akuzat e anësisë politike (po të jetë për spektrin aktual politik në vend, ju siguroj që në fakt jam shumë i anshëm), këtu po marr përsipër të diskutoj dy-tri pika të debatit që solli ky propozim, në këndvështrimin e teorisë ekonomike.

1.  A është tatimi progresiv më i mirë se tatimi i sheshtë?

Që prej 2008-ës të ardhurat vetjake në Shqipëri (p.sh. pagat mujore) tatohen sipas skemës së tatimit së sheshtë prej 10%, për sa kohë këto të ardhura janë mbi një nivel minimal. Propozimi i opozitës nënkupton që tatimi duhet shkallëzuar, me pjesë të ardhurash që tatohen me tarifa të ndryshme: p.sh. 10’000 lekët e para mund të tatohen me 10%, 10’000 lekët e dyta me 11%, etj.

Me kaq sa thamë nuk e kuptojmë dot nëse propozimi i opozitës është përmirësim apo jo ndaj gjendjes aktuale. Kjo varet nga përqindjet tatimore të propozuara. Nëse tatimi progresiv do ndante të ardhurat në katër shkallë, që paguajnë 0%, 5%, 7%, 8.5% dhe 10%, ai do ishte progresiv dhe i shkallëzuar më fort se tatimi aktual, por do ishte gjithashtu një përmirësim i dukshëm mbi skemën aktuale, pasi askush nuk do paguajë më shumë nga ç ‘paguan sot. Me këtë propozim do bashkohesha me dëshirë, dhe nëse opozita do rrëzonte idiotësitë që lëshon për privatizimet mund edhe të bindesha të mos votoja në 2013-ën.

Por kjo nuk është ajo që do opozita. Me gjitha gjasat, ajo që opozita po na servir është një shkallëzim ku së paku një pjesë e tatimpaguesve tatohen më shumë nga ç ‘ndodh sot (p.sh. shkallë 0%, 8%, 15% dhe 25%). Kjo taksë do ishe shkatërrimtare për Shqipërinë dhe kundër këtij propozimi do diskutoj më poshtë.

2. Tatimi progresiv është marksist

Një ide e Marksit dhe Engelsit? Nuk shoh se ç’mund të shkojë keq!

Shumëkush ironizoi kryeministrin kur komenti i parë e këtij të fundit mbi idenë e opozitës qe që tatimi i propozuar ishte marksist. Por ja që këtu kryeministri nuk po angazhohej në një nga teprimet e tij skenike, por po tregohej faktikisht shumë i saktë. Tatimi progresiv është propozuar nga vetë Karl Marksi dhe Fridrih Engelsi si pika e dytë mes dhjetë pikave të programit të tyre për krijimin e një shoqërie socialiste, tek Manifesti Komunist i 1848-ës. Marksi dhe Engelsi e dëshironin këtë tatim pikërisht për efektin e tij shkatërrimtar në shoqërinë e lirë dhe pronarët e pavarur.

Që këtu, lexuesi me pak bonsens duhet më së paku ta shohë me shumë dyshim këtë propozim, dhe të kërkojë shpjegime nga propozuesit e këtij tatimi se si mendojnë të distancohen nga origjinatorët e tij.

Deri më sot, propozuesit as e kanë trajtuar fare këtë kritikë të parë.

3. Të pasurit do paguajnë më shumë se të varfrit

Gjatë sponsorizimit të propozimit për tatimin progresiv, opozita ka përdorur shpesh argumentin bazë që na qenka padrejtësi e madhe që i pasuri sot të paguajë po aq sa i varfëri në tatime. Kjo është thjesht e pavërtetë dhe mjafton një edukim shumë bazik aritmetik për ta vërtetuar këtë (por ndofta po kërkoj shumë).

Aktualisht i pasuri paguan dukshëm më shumë tatim personal se i varfëri, po ti mbetemi terminologjisë së përdorur. Sipas skemës aktuale, përqindja tatimore është e njëjtë (10%), por sërish një pagë më e lartë nënkupton një tatim më të lartë. Është interesante sesi i punësuari me pagë minimale që paguan fare pak (në mos fare!) tatim mund të ankohet ndaj punëdhënësit të tij që paguan disa herë më shumë në buxhet, se barra tatimore na qenka e padrejtë!

4.  Të varfrit nuk do paguajnë më pak

Ana tjetër e medaljes: është fakt i mirënjohur tashmë që tatimet e forta progresive nuk mbledhin para. Një grusht të pasurish mund edhe të tatohen 100% por të ardhurat në buxhet i sjell tatimi i masës së tatimpaguesve. Kështu, nëse dikush gënjehet që tatimi progresiv do nënkuptojë që një grusht pasanikësh do paguajnë tarifa të larta dhe ne të tjerët do paguajnë fare pak, gabohen rëndë.

Tatimi marxhinal për shumicën e taksapaguesve nuk mund të bjerë shumë, pasi një shumicë që tatohet me 5% kurrë nuk mund të kompensohet nga një pakicë që tatohet 30%, dhe kaq gjë duhet ta di mirë një qeveri e mundshme socialiste nesër.

 Jo, ajo që do ndodhë është që tatimi progresiv do tatojë një grusht të varfërish më pak se 10%-i i sotëm, një grusht të pasurish më shumë, dhe në të tjerëve po 10% sa tatohemi dhe sot, ose në mos diçka më shumë. I vetmi ndryshim nga situata e sotme, do jetë një tatim më i ndërlikuar dhe i vështirë për tu  manaxhuar, si dhe ngadalësimi ose ndalimi i investimeve të huaja në Shqipëri.

5. Tatimi progresiv është parazitar

Një ‘hile’ e mirënjohur në politikë është propozimi i ndryshimeve aq të vogla, sa efektet e tyre vështirë të parashikohen nga qytetari i thjeshtë. Kështu, një politikë shkatërrimtare që kurrë nuk do pranohej si e tërë mund të vihet në zbatim duke u ndarë në disa reforma të vogla të vështira për tu kuptuar. Propozimi i opozitës është pikërisht një rast i tillë: ajo që po propozohet është thjesht të shtohen ca pikë përqindjeje për disa tatimpagues që fitojnë dy lekë më shumë.  Ç’mund të ketë të keqe këtu?

Për ta kuptuar efektin shkatërrimtar që një tatim progresiv do ketë mbi ekonominë tonë, le ta universalizojmë parimin e tatimit progresiv. Ç’do ndodhte nëse për çdo mall në treg  të paguhej një çmim progresiv, pra një përqindje rritëse e të ardhurave? Çdo ndodhte nëse Edi, që ka një pagë prej 20’000 lekësh në muaj të paguante bukën 50 lek (0.25% e të ardhurave mujore), ndërsa Saliu, që ka të ardhura mujore prej 100’000 lekësh të paguante 300 lekë (0.30% e të ardhurave mujore, një progresivitet fare i vogël)? Vini re që Edi mund të blejë 400 buke në muaj, ndërsa Saliu vetëm 333. A do ia vlente të fitoje rrogë më të lartë nëse në fakt me të do mund të blije më pak të mira në treg?

Sigurisht që jo: sikur parimi i progresivitetit të zbatohej universalisht, askush nuk do punonte më.

Ky parim do ta shkatërronte ekonominë e lirë edhe më shpejt se kolektivizimi i pronës. Në pak javë, gjithë aktiviteti prodhues në Shqipëri do ndalonte, dhe përse jo? Me zero të ardhura, sipas parimit të progresivitetit, do mund të blesh ç’të duash pasi çmimi i gjithshkaje do jetë zero!

Shumë pak nga mbështetësit aktualë të propozimit të opozitës do mbështesnin një skenar të tillë, por ja që ky skenar nuk ishte tjetër veçse zbatimi i plotë dhe i ‘drejtë’ i parimit të progresivitetit që trumbeton opozita. Të mbështesësh tatimin progresiv por jo parimin e progresivitetit është tregues i qartë i boshllëkut ideologjik të këtij propozimi oportunist, dhe aspak i lindur nga besimi.

Progresivitetin po e quaj një parim parazitar, pasi ai ‘funksionon’ (fshihet) vetëm nëse zbatohet në shumë pak fusha, dhe jo universalisht. Duke zbatuar progresivitetin vetëm në fushën e tatimit mbi të ardhurat, e jo mbi gjithë çmimet e tjera, dëmi që ky parim sjell zvogëlohet, por ama mbetet dëm.  

Kushdo mbështet tatimin progresiv, duhet të sqarojë sesi na qenka e mundur që parimi i progresivitetit do shkatërronte ekonominë Shqiptare, por zbatimi i tij selektiv nuk do na sillka asnjë dëm.

6.  Tatimi progresiv dështon në mbylljen e defiçitit

Shumë mbështetës ‘pragmatistë’ (kupto: etatistë) të propozimit opozitar do shprehen që pak rëndësi kanë filozofimet kur buxheti i shtetit ndodhet në gjendje të rëndë të deficitit. Çdo masë që në këto kushte do rrisë të ardhurat është e mirëpritur!

Ky argument dështon në dy kahe. Së pari, praktika globale e manaxhimit të buxhetit dhe teoria e demokracisë tregojnë që qeveritë kurrë nuk e përdorin një rritje të të ardhurave për të ulur defiçitin, por për ta rritur atë edhe më! Nëse të ardhurat buxhetore shtohen me 1 lek, qeveritë demokratike se kanë për gjë të risin shpenzimet me 2 lek. Qeveria aktuale nuk bën përjashtim, dhe aq më pak do bëjë një qeveri socialiste nesër. Tatimi progresiv do mbyllë vrimën buxhetore po aq sa rritja e shpejtësisë mbylli vrimën strukturore që fundosi Titanikun një shekull më parë.

Dhe Titatnikut nuk i eci dhe aq mirë

Së dyti, tatimi progresiv do mbledhë më pak të ardhura në buxhet në afat të gjatë! Realiteti që duhet kuptuar nga ithtarët ‘pragmatistë’ të një tatimi të fortë progresiv është që Shqipëria nuk është ndonjë Perandori Kontinentale, nga e cila është vështirë të ikësh. Biznesi sot e ka fare të lehtë të zhvendoset në vende të tjera, fqinje ose jo, të cilët luftojnë për ditë se kush e kush të tërheqë më shumë investime të huaja. Më  së paku Kosova është (falë zotit!) dy orë larg kufirit. Nëse një tatim i fortë progresiv do mbledhë dy lekë më shumë në vitet e para, ai do shterojë fluksin e investimeve të huaja në Shqipëri, dhe mund të nxisë dhe emigrimin e biznesit vendas në vende që ofrojnë më shumë. Mos harroni që harta e tatimit të sheshtë Evropian është e tillë:

Surprizë!

Një Shqipëri me tatim progresiv do kthehet në vrimë të zezë për biznesin.

Më në përgjithësi, ajo që etatistët nuk kuptojnë, është që në afat të gjatë buxheti vuan nga masat që me mendjelehtësi propozohen për ta ndihmuar atë. Në fakt, etatistët e vërtetë duhet të jenë mbështetës të flaktë të iniciativës së lirë dhe specifikisht tatimeve të thjeshta e të lehta, pasi kështu baza tatimore do rritet dhe buxheti do fryhet.

Nuk është rastësi që filozofi politik që shpiku teorinë e sovranitetit modern, etatisti më i madh i të gjithë kohërave, Zhan Boden, qe në fakt pro-kapitalist i flaktë dhe nuk linte rast pa i këshilluar mbretit të plotfuqishëm që krijoi të mbështeste biznesin në çdo fushë. Etatistët tanë kanë se ç’të mësojnë edhe nga filozofët e tyre, nëse besimin e tyre të shteti e kanë racional dhe jo idhulltar.

“Mjaft me idiotësira, etatistë shqiptarë!” (fjalim në Parlamentin e Parisit, 1555)

7.  Përfundim

Zëvendësimi i tatimit aktual të sheshtë mbi të ardhurat me një tatim progresiv kompleks dhe me tarifa më të larta marxhiale do nxisë rritjen e defiçitit në afat të shkurtër e do ngadalësojë rritjen ekonomike në afat të mesëm. Shumica dërrmuese e taksapaguesve nuk do paguajnë tatim më të ulët ndërkohë që nxitja për të krijuar biznese të suksesshme do cënohet. Nëse ky tatim nuk do ndalojë tërësisht zhvillimin ekonomik në Shqipëri kjo do jetë vetëm sepse do zbatohet pjesërisht dhe jo universalisht, në mënyrë oportuniste dhe intelektualisht të pandershme.

Kështu, pa i hyrë fare konsideratave morale, ku ai dështon edhe më turpshëm, tatimi progresiv i propozuar nga opozita duhet flakur në kosh si një ide marksiste, parazitare dhe oportuniste. Nëse opozita do të sjellë një program mirëfilli pozitiv fiskal, le të përqendrohet në uljen e shpenzimeve për të mbyllur deficitin (ku shumica aktuale ka dështuar turpshëm), ose në kthimin e deklarimit të të ardhurave të krijuar rishtazi, dhe jo në rrjepjen e atij grushti biznesmenësh që ka mbetur pa u anëtarësuar në PS, puna e të cilëve është gjithshka që qëndron mes Shqipërisë dhe botës së tretë. Sa më shpejt të ndahemi nga mendësia e zilisë që frymëzon propozime të tilla, aq më shpejt do arrijmë nivelet e zhvillimit që synojmë.

EDIT: një diskutim më i thelluar i tatimeve vijon këtu, e veçanërisht këtu mbi tatimin e të ardhurave.

6 thoughts on “Mbi tatimin progresiv të të ardhurave

  1. Shkrim i shkelqyer Etjon. Dua ta theksoj qe me me rendesi eshte shkalla se sa forma e tatimit. Ndoshta do te kishte qene mire te ripermenden edhe pasojat e pergjithshme te tatimit, te cilat vlejne per te gjitha format.

  2. Ke shumë të drejtë Bardhyl dhe në fakt shkrimi trajton vetëm një pjesë fare të vogël të problemeve që lindin nga tatimi i propozuar, e jo më pastaj nga taksat e tatimet në përgjithësi. Por, si gjithnjë, në interes të kufizimit të gjatësisë së shkrimit (që dhe kaq sa është e ka tepruar ca 🙂 ), mu desh të përmëndja vetëm argumenetet bazikë.

  3. Etjon,

    A mund ta besh edhe nje shkrim te ri mbi kete teme aktuale, por tani ne lidhje me tatimin e sheshte dhe si krahasohet me tatimin progresiv. Gjithashtu, sa i perket formes, a eshte taksa per koke banori (poll tax) me e drejta?

    1. Ne fakt duhet shkruar dicka me shume mbi temen e tatimit ne pergjithesi, por kam nguruar kryesisht ne pritje te zbulimit te tarifave faktike te propozuara nga Qeveria. Megjithate po i dalim punes perpara 🙂

      Sa i takon poll takses, ka disa pika ku kjo forme tatimi nuk me pelqen, qofte dhe krahasuar me forma te tjera. Per mua format me te arsyeshme te tatimit jane ato mbi vleren e vete-deklaruar te pasurise se paluajtshme, pasi, vec tre tjerave, i japin shtetit nje nxitje te madhe per te miremenaxhuar teritorin. Do shkruaj me gjeresisht ne postim, dhe sigursiht qe do ishte e arsyeshme te shkruaje dhe ti mbi pikat ku mund te mos biem dakort

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s