Një propozim modest për elitën shqiptare

Etjon Basha

 1.  Një mundësi e artë?

Mes shqiptarëve (nuk më intereson dhe aq gjendja e kombeve të tjera) po krijohet një marrëdhënie shumë interesante në lidhje me shtetin. Nga njëra anë, shumica dërmuese e opinionit publik në Shqipëri dhe Kosovë mbështet shtetin e fortë pa rezerva. Nga ana tjetër një pjesë gjithnjë e në rritje e elitës shqiptare duket se po shkëputet nga format më agresive të etatizmit.

Tani, para se të çuditeni me tepri nga kjo fjali, vini re që me ‘elitë’ nuk nënkuptoj të ashtu-quajturit ‘opinion-bërës’, pra pedagogët, gazetarët, opinionistët dhe në përgjithësi ‘ekspertët’ e gjithëditur por thjesht pjesën më të pasur të shoqërisë shqiptare që njihet pak ose aspak publikisht.

Pak a shumë

Sigurisht që pjesëtarët e kësaj elite nuk janë liberalë të mëdhenj, por me sa duket së paku e kuptojnë që një shtet i ngritur sipas qejfit të opinionit të gjerë do i dënonte shqiptarët me varfëri të përhershme, dhe nuk është e lehtë të ruash pasurinë private mes varfanjakëve. Në mos, thjesht po nisin të ndjejnë kundërshtinë aq natyrore në klasat e larta ndaj ideve barazitare.

Sidoqoftë, kjo ndasi në shoqërinë shqiptare po na lejon ndërmarrjen e reformave që nuk do mundësoheshin kurrë pa mbështetjen – dhe madje këmbënguljen – e heshtur të klasës së lartë. Bardhyli me të drejtë ka vënë re që vetëm tendenca disi më pak etatiste mes ‘të fuqishmëve’ në Shqipëri mund të arsyetojë masat jo të nënvlerësueshme liberale të ndërmarra nga qeveria aktuale në vitet e fundit, masa të cilat janë kritikuar me të madhe nga masa e gjerë e popullsisë.

2.  Stili kinez kundër atij gjerman

Duhet pranuar që, sado që këto masa kanë qenë për tu përshëndetur, strategjia e liberalizimit të gjerë është e dënuar me dështim. Tolerimi i përkohshëm i shoqërisë shqiptare duket se është blerë me fryrjen e administratës civile dhe sidoqoftë është thjesht çështje kohe para se një reaksion i fortë i opinionit publik të detyrojë një qeveri të nesërme të kthejë së paku një pjesë të këtyre reformave.

Kundër-reaksioni, i vërtetuar në dhjetëra raste historike që nga Franca e Napoleonit tek Italia e Musolinit dhe Japonia e pasluftës, nuk do mund të jetë veç zbatimi i atij që njihet si ‘modeli Gjerman’ i korporatizmit në Shqipëri (i njohur si fashizëm në kohë më të kthjellëta), megjithëse një model i tillë në një vend të vogël do ishte shkatërrimtar. Kjo nuk do ishte rrugëzgjidhje. Nëse elita shqiptare ka ndër mend të krijojë një rend të sigurt për pasurinë e saj për më shumë se pak vite, duhet të marrë shembull nga elita kineze  e viteve ’70.

I gjendur para nevojës për të liberalizuar ekonominë kineze pa cënuar ideologjinë komuniste të popullsisë së gjerë, Deng Hsiao Pini goditi në idenë gjeniale e ngritjes së Zonave të Veçanta Ekonomike (ZVE). Në thelb, Zonat e Veçanta Ekonomike janë zona ku, për të lehtësuar sipërmarrjen private, aspekte të veçanta të ligjeve kombëtare nuk zbatohen: ndofta kodi i punës abrogohet, ndofta TVSh-ja përgjysmohet, ndofta kërkesat për liçensim lehtësohen, e të tjera si këto.

Nëse masat liberale për të cilat kishte nevojë ekonomia kineze do ndërmerreshin jo në gjithë vendin, por vetëm në pak qendra të veçanta, reaksioni publik do ishte shumë më i kufizuar ndërkohë që reformat do i jepnin gjithsesi frytet e tyre.

“Reaksion i kufizuar” për standartet e Kinës

Nëse elita politike e partisë komuniste arriti jo vetëm të ruante pushtetin por dhe ta kthente Kinën komuniste në një tigër ekonomik – ndërkohë që reformat homologe të Gorbaçovit në Bashkimin Sovjetik sollën katastrofë politike –  kjo i kushtohet vetëm idesë gjeniale të zbatimit selektiv të liberalizimit në kushtet e opinionit publik armiqësor.

Që nga shembulli kinez, ZVE-të janë zbatuar me sukses në shumë vende të tjera. Koreja e Jugut, India dhe mbi të gjithë Dubai spektakolar dëshmojnë sot për potencialin e kësaj strategjie. Ekonomisti amerikan Paul Romer e ka zhvilluar konceptin e ZVE-së edhe më me idenë e tij të Qytetit Korporativ (charter city), e cila parashikon ngritjen e një qyteti të tërë ku jo vetëm dy-tre ligje të liberalizohen, por ku i gjithë kuadri ligjor të hartohet nga zeroja nga ndonjë vend perëndimor me qëllimin specifik për të nxitur sipërmarrjen: shkurt qëllimi është krijimi i shumë qyteteve si Dubai dhe Hong Kongu nëpër botë. E vetmja kritikë që mund ti bëhet paraprakisht kësaj ideje është që ajo mbështetet mbi një respekt të tepruar për mendësinë liberale të perëndimorëve të sotëm. Sidoqoftë, koncepti është miratuar për zbatim në Honduras.

3.   Një propozim modest

Gjasat që eksperimenti liberal në Shqipëri të përfundojë keq janë të mëdha. Në vend që të përpiqet të ndjekë shembullin unik të Kilit, elita shqiptare duhet të përpiqet të ndjekë shembujt e shumtë të suksesit të ZVE-ve.

Ajo që propozoj nuk është ngritja e dy-tri zonave specifike në Durrës, Rinas, Vlorë a tjetërkund, ku TVSh-ja të jetë 10%. Madje nuk propozoj as zbatimin në Shqipëri të konceptit të Romerit të një qyteti korporativ të ngritur nga qeveria Zvicerane apo Kanadeze (të cilat me gjithë gjasat as që e kuptojnë vetë se pse shoqëritë e tyre janë të pasura). Propozimi është shumë më modest, dhe njëkohësisht i skajshëm.

Qeveria Shqiptare duhet të emetojë në ankand të drejta sovraniteti

 Secili nga këta dokumente do i cedonte blerësit të drejtat e sovranitetit të plotë mbi, le të themi, 1000 m2 të pronës së tij. Kështu, nëse një sipërmarrës do blinte 8 kontrata të tilla, do mund të kthente fabrikën e tij prej 8000 m2në ekuivalentin e një ambasade të huaj. Të drejtat do kishin jetëgjatësi të përcaktuar (p.sh. 20 ose 50 vjet) dhe do ishin të transferueshme. Një regjistër publik do duhej mbajtur me gjithë pronat sovrane në Republikë.

Për të mos i hyrë një analize të gjatë (ndonëse mjaft interesante) të efekteve të emetimit të këtyre të drejtave, mjafton të themi që ato do i linin në dorë tregut të lirë krijimin e Zonave të Lira Ekonomike. Nëse në vendet e tjera parametrat e ZVE-ve janë përcaktuar nga qeveritë, në Shqipëri të drejtat e sovranitetit do lejonin përcaktimin e tyre nga tregu i lirë. Ku duhet të vendosen ZVE-të? Sa të mëdha duhet të jenë? Duhet të përqendrohen apo të shpërndahen nëpër territor? Çfarë aktiviteti ekonomik duhet nxitur në to? Cili kuadër ligjor është më i përshtatshmi? Siç mësojmë nga teoria Misesiane e kalkulimit ekonomik, vetëm tregu i lirë mund ti japë përgjigje optimale këtyre pyetjeve.

Nga këndvështrimi i qeverisë, të mirat e kësaj politike do ishin të shumta.

Së pari, të ardhurat nga shitja e këtyre të drejtave do ishin të konsiderueshme. Nuk do më dukej fare e habitshme sikur, në kohë, ato të ktheheshin në burimin themelor të buxhetit.

Së dyti, gjithë reformat liberale që duhen ndërmarrë për vitalizminin e ekonomisë shqiptare tashmë do hartoheshin dhe zbatoheshin nga tregu, pa ndërhyrjen e qeverisë. Kështu, Këshilli i Ministrave do mund t’ia kushtonte kohën shkëmbimit të batutave me gazetarët duke ia lënë detyrën e modernizmin ekonomik në dorë tregut.

Së treti, qeveria do mund fare mirë të reshte reformimin e pjesës tjetër të territorit, duke shmangur koston e madhe zgjedhore që programi i domosdoshëm i liberalizmit nënkupton.

Nga këndvështrimi i elitës shqiptare, këto të drejta do e imunizonin së paku kapitalin e pjesëtareve të saj aktualë nga masat majtiste të së nesërmes. Sado etatsite të mund të jetë një shumicë e nesërme, ajo do ishte e detyruar të respektonte kontratën e lidhur me blerësit e të drejtave të sovranitetit brenda territorit të tyre (përfshirja e klauzolave të arbitrazhit mes qeverisë dhe blerësit nga një gjykatë e mirënjohur ndërkombëtare do e shtonte mjaft vlerën e shitjes së të drejtave).

Për publikun e gjerë, politika e emetimit të të drejtave të sovranitetit do krijonte kushtet optimale për pasurimin e ekonomisë shqiptare, në masën që kjo lejohet nga mendësia e përgjithshme.

Mund të shtoja që këto të drejta do na lejonin të kuptonim se sa i vlen lëkura realisht shtetit tonë të dashur, pasi çmimi në treg i këtyre të drejtave do ishte treguesi më i qartë i cilësisë së shërbimeve që ofron shteti: çmimi i lartë do tregonte që cilësia e ligjeve publike është realisht e ulët, dhe anasjelltas. Por etatistët kanë fituar imunitet ndaj kritikave, kështu që vlera e këtij testi do ishte tepër e vogël.

E vetmja anë negative e kësaj politike do ishte presioni i mundshëm ndërkombëtar që mund të ushtrohej mbi Shqipërinë nga shtete të cilat do frikësoheshin nga suksesi i saj. Se sa serioz do ishte ky presion, kjo do duhej parë në praktikë. Në rastin më të keq, qeveria do detyrohej të ngulte këmbë në zbatimin e disa ligjeve edhe në pronat e blerësve të të drejtave të sovranitetit. Ndonëse kjo do cënonte të mirat e kësaj politike, sidoqoftë nuk do ti eliminonte tërësisht ato.

4.  Përfundim

Nëse ndërgjegjësimi i elitës shqiptare mbi rrezikun e etatizmit popullor po krijon një mundësi të artë për liberalizimin e ekonomisë kombëtare, taktika e zgjedhur e liberalizimit të përgjithshëm nuk mund të funksionojë në afat të gjatë. Nëse duan të sigurojnë imunitetin afatgjatë të kapitaleve të tyre, vetëm një politikë e emetimit të të drejtave të tregtueshme të sovranitetit duket të jetë alternativë serioze dhe e provuar historikisht.

Do jetë pa dyshim ironi e madhe nëse mirëqenia e shqiptareve do sillej nga pushteti shpërpjesëtimor i shtresave të pasura në politikë, pushtet që shumëkush aq shumë e kritikon. Në fakt, motoja e politikës së të drejtave të sovranitetit mund fare mirë te jetë (duke perifrazuar moton e Qemalistëve turq të një herë e një kohe): mirëqenie për popullin, megjith popullin.

PS: Ideja e të drejtave të sovraniteti është diskutuar shkurt më parë kur binte fjala për Bursën e Shqipërisë dhe rrugën Durrës-Kukës.

2 thoughts on “Një propozim modest për elitën shqiptare

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s