A janë shërbimet mjekësore “e drejtë”?

Bardhyl Salihu

Dje Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mori një vendim të madh kur vendosi që ligji për sigurimin shëndetësor të detyrueshëm të propozuar nga Demokratët e Barack Obamës (i njohur gjerësisht si Obamacare) është në pajtim me Kushtetutën.

Obama e nxiti krijimin dhe aprovimin e ligjit si pjesë e agjendës së tij Demokrate e cila bazohet në qëndrime majtiste e progresive, që përkrahin idenë që shërbimet mjekësore janë “e drejtë” e secilit individ. Inspirimin për këtë ligj Obama e mori nga ligjet e ngjashme në Evropë, të ndërtuara mbi parimet social-demokrate me po të njëjtën ide.

Të drejtat dhe “të drejtat”

Një mendim i tillë, megjithatë, sado që duket fisnik në shikim të parë, nuk është fare i saktë. Në vlerësime etike normative është tejet e nevojshme të mbesim të ftoftë e të mos gjykojmë me impulse emocionale por me arsyeje dhe racionalitet. Prandaj kur themi që një “e drejtë” e tillë nuk ekziston, kjo nuk nënkupton që ne nuk kemi keqardhje për të varfrit apo për ata të cilët nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të paguar për shërbime mjekësore.

Kjo thjeshtë nënkupton që nuk mendojmë që qëllimi i arsyeton mjetet; që dhuna dhe detyrimi me taksa nuk mund të përdoret edhe atëherë kur qëllimi është i mirë; që secili individ ka të drejta që nuk mund të shkelen për të përmbushur “të drejta” artificiale. Aq më pak kur një gjë e tillë organizohet nga shteti, që i përmban të gjitha karakteristikat e një organizate kriminale, e privuar krejtësisht nga çfarëdo shtirje që ka konsiderata morale.

Pra, çka qenkan ato kritere që e përcaktojnë nëse diçka është e drejtë apo “e drejtë”? Së pari, për të qenë diçka e drejtë nga pikëpamja filozofike, ajo duhet të jetë e bazuar thellë në natyrën e njeriut dhe realitetin që e rrethon, në mënyrë që të jetë e  mundshme pavarësisht nga koha dhe hapësira. Për shembull, shërbimet mjekësore apo edukimi nuk kanë ekzistuar në kohët parahistorike, kështu që këto “të drejta” që mund të përmbushen vetëm në kushtet moderne industriale nuk janë fare të tilla.

Si kontrast, e drejta tek pronësia e vetvetes apo e drejta në lirinë e shprehjes nuk janë të drejta që varen nga koha e hapësira. Ato mund të përmbushen gjithmonë dhe natyrisht që përbëjnë shembuj të drejtave të mirëfillta.

Së dyti, një “e drejtë” në shërbimet mjekësore nuk mund të ekzistoj për shkak se ajo presupozon që dikush duhet të jetë i detyruar ta përmbushë atë nëpërmes taksave apo çfarëdo mënyre tjetër. “Çdo njëri”, shkruan Murray Rothbard, “mund ta gëzoj të drejtën e pronësisë së vetvetes, pa detyrim të askujt. Por në rastin ‘e drejtës’ në edukim [apo shërbime mjekësore], kjo mund të ofrohet vetëm nëse dikush detyrohet ta përmbushë atë”.

Në filozofi ky dallim njihet si dallimi në mes të drejtave pozitive dhe atyre negative. Të drejtat pozitive janë ato jolegjitime, si kjo e shërbimeve mjekësore, e drejta në edukim, e drejta në punë, etj., për shkak se për përmbushjen e tyre kërkohet detyrimi i një pale tjetër. Në anën tjetër, të drejtat negative (legjitime), janë ato për përmbushjen e të cilave nuk detyrohet askush por kërkohet vetëm të mos përdoret dhuna. Pra, në mënyrë që unë të kem lirinë e shprehjes, askush nuk detyrohet të mi jap mjetet për ta bërë atë, por në të njëjtën kohë nuk ka të drejtë të më pengoj në realizimin e saj.

Planifikim qendror

Përveç që “e drejta” në shërbimet mjekësore nuk ekziston, ka probleme tjera me idenë që shteti duhet të jetë në krye të shërbimeve mjekësore. Këto probleme i takojnë natyrës ekonomike dhe kanë të bëjnë me faktin që shteti vuan nga dy probleme themelore strukturale: 1) nuk mund të kalkuloj drejtë (ang: calculation problem); 2) nuk ka nxitje për efikasitet (inventive problem).

Ndërmarrësit privatë i përdorin çmimet si sinjale për të parashikuar kërkesën për produktet e dëshiruara nga tregu dhe duke i krahasuar kostot e prodhimit arrijnë në përfundim—jo gjithmonë të qartë e të lehtë—që t’i përgjigjen pyetjeve ekonomike se a duhet të prodhohet diçka, në çfarë sasie, si, dhe për kënd.

Shteti është i privuar nga këto sinjale për shkak se i ofron shërbimet mjekësore “falas”, d.m.th me çmim zero, duke e privuar veten kështu nga sinjalet e rëndësishme të kërkesës. Në anën tjetër, shteti është injorant ndaj kostove të prodhimit për shkak se nuk varet nga tërheqja e të hyrave për të tregtuar për faktorët e prodhimit në treg por i ka ato të garantuara nga taksat e dhunshme. Shteti, pra, në fjalët e Ludwig von Mises, “sillet kuturu në errësirë në tentim për të planifikuar”.

Veç kësaj, në shtet mungon nxitja e ndërmarrësit privat i cili e investon kapitalin e tij për të qenë sa më efikas që është e mundshme. Burokratët shtetëror janë të interesuar vetëm për t’i kryer detyrat në mënyrë sa më formale, pa konsiderata për korrektësi e efikasitet. Madje, në shumë raste ata janë qëllimisht joefikasë në mënyrë që të krijojnë nevojën për korrupsion.

Këto dy probleme janë të njohura në literaturën ekonomike kurse janë të evidentuara në muzeun e veprave shkatërrimtare të shtetit që quhet Qendra Spitalore e Prishtinës. Në ShBA, intervenimi shtetëror në tregun shëndetësor me rregullacione dhe detyrime të ndryshme e ka rritur dukshëm koston e shërbimeve mjekësore kurse në Evropë edhe pse kostot nuk janë rritur shumë, kualiteti ka rënë kurse radhët dhe ditët e pritjes janë stërzgjatur.

Sa pritet (në ditë) për procedura të zakonshme mjekësore në Kanada (me sistem shëndetësor të stilit Evropian)
Sa pritet (në ditë) për procedura të zakonshme mjekësore në Kanada (me sistem shëndetësor të stilit Evropian)

Para se të përfundohet gjithashtu duhet të ceket hipokrizia epike e majtistëve/progresivëve në ShBA. Si mund ta pajtojnë ata kundërshtimin e tyre të pashoq për kompanitë private të motivuara vetëm nga fitimi personal dhe “lakmia” me faktin që Obamacare kërkon blerjen e produkteve të po këtyre kompanive nën kërcënimin e taksave shtesë për shtresën më të varfër të Amerikanëve? Na thoni, pra, socialistë të dashur, a jeni kundër kompanive private e tregut apo pro tyre?

Por kapakun kësaj teme ja vë një deklaratë gjeniale e bërë në CNN në vitin 2008:  “nëse detyrimi [për të blerë sigurim shëndetësor] do të ishte zgjidhja, ne mund të provojmë t’i bëjmë të gjithë të pastrehët me shtëpi duke i detyruar ata t’i blejnë ato”. Ja që këtë deklaratë e bëri po ai njeri i cili sot është përgjegjës për njërin prej ligjeve më të këqija të aprovuara ndonjëherë: Barack Obama.

2 thoughts on “A janë shërbimet mjekësore “e drejtë”?

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s