Mungesa kronike e muajit: uji

Bardhyl Salihu

“Nëse e lë Shkretëtirën e Saharës nën menaxhimin e shtetit, brenda 5 viteve nuk do të ketë më zall.”

—Milton Friedman

Mungesa e ujit prej mbrëmjes deri në mëngjes në Prishtinë nënkupton që qyteti evropian është më shumë afrikan sepse është ngjashëm i privuar nga kushtet themelore për jetesë. Tani në vapën më të madhe, kur uji është më se i nevojshëm, mungesat kronike veç sa janë shtuar.

Reagimi i qytetarëve është pasiv dhe mbi të gjitha i drejtuar gabimisht. Pasiv sepse nuk ka organizim të mirëfilltë për ndalimin e përdhosjes së dinjitetit të tyre. I drejtuar gabimisht sepse pak kush ndalet të mendoj pse mungesat kronike (uji, rryma, ngrohja, etj.) nuk janë asnjëherë pjesë e sektorit privat por gjithmonë atij shtetëror.

A është një gjë e tillë rastësi, që asnjëherë nuk ndodhë të përballemi me mungesa kronike të bukës, qumështit, këpucëve, apo Coca-Colave që ofrohen nga shitësit privatë? A është rastësi që shitësit privatë, në vend që të na kërcënojnë me dënim për përdorimin e ujit, na ftojnë të blejmë e konsumojmë më shumë nga produktet e tyre? A është rastësi që në sektorin privat nuk ekziston fare koncepti i “përdorimit të tepërt”, siç llomotitet kur është fjala të uji? Një observim i thjeshtë pra do t’i sugjeronte qytetarit ku qëndron problemi e ku zgjidhja.

Siç kemi shkruar edhe më parë, problemi natyrisht qëndron te fakti që ujësjellësi është nën menaxhimin e shtetit:

Shteti vuan nga dy probleme themelore strukturale: 1) nuk mund të kalkuloj drejtë (ang: calculation problem); 2) nuk ka nxitje për efikasitet (inventive problem).

Ndërmarrësit privatë i përdorin çmimet si sinjale për të parashikuar kërkesën për produktet e dëshiruara nga tregu dhe duke i krahasuar kostot e prodhimit arrijnë në përfundim—jo gjithmonë të qartë e të lehtë—që t’i përgjigjen pyetjeve ekonomike se a duhet të prodhohet diçka, në çfarë sasie, si, dhe për kënd.

Shteti është i privuar nga këto sinjale për shkak se i ofron shërbimet mjekësore “falas”, d.m.th me çmim zero, duke e privuar veten kështu nga sinjalet e rëndësishme të kërkesës. Në anën tjetër, shteti është injorant ndaj kostove të prodhimit për shkak se nuk varet nga tërheqja e të hyrave për të tregtuar për faktorët e prodhimit në treg por i ka ato të garantuara nga taksat e dhunshme. Shteti, pra, në fjalët e Ludwig von Mises, “sillet kuturu në errësirë në tentim për të planifikuar”.

Veç kësaj, në shtet mungon nxitja e ndërmarrësit privat i cili e investon kapitalin e tij për të qenë sa më efikas që është e mundshme. Burokratët shtetëror janë të interesuar vetëm për t’i kryer detyrat në mënyrë sa më formale, pa konsiderata për korrektësi e efikasitet. Madje, në shumë raste ata janë qëllimisht joefikasë në mënyrë që të krijojnë nevojën për korrupsion.

Në rastin e ujësjellësit, megjithatë, problemi vetëm sa bëhet më i madh për shkak se shteti e ka monopolizuar tërësisht tregun e ujit. Për shembull, edhe pse menaxhimi i Post-Telekomit të Kosovës (PTK) vuan nga dy problemet strukturale, megjithatë, PTK-ja lejon që të ketë konkurrentë në treg (IPKO, Z-Mobile, D3) gjë që e sajon sadopak hendekun e shkaktuar nga keq-menaxhimi i saj.

Në anën tjetër, ujësjellësi apo Korporata Energjetike e Kosovës nuk lejojnë fare konkurrentë në tregjet e tyre respektive. Si rezultat, kualiteti dhe çmimi i shërbimeve të tyre nuk mund të mos jetë më i keq (për ata që mendojnë që fatura e fundit e ujit nuk ka qenë aq e shtrenjtë, i ftojmë t’i ri-shikojnë pagesat që i kanë bërë për TVSh dhe taksat tjera respektive).

Zgjidhja, pra, është privatizimi i plotë i sistemit të ujit dhe hapja e tregut ndaj konkurrencës së pakufishme. Me privatizim të tillë, kompani të ndryshme do të futeshin në treg për të gjetur mënyrat më të lira & mira për ta ofruar ujin. Nxitja e tyre do të ishte përfitimi, kurse sistemi i çmimeve do të mundësonte kalkulimin e metodave alternative për sjelljen e ujit. Nëse në Kosovë me të vërtetë nuk ka ujë të mjaftueshëm, atëherë kjo do të reflektohej në çmime më të larta, të cilat do të tërhiqnin më shumë konkurrentë në treg, të cilët do të gjenin alternativa tjera për ta sjellë ujin. Uji do të ishte—ashtu siç i takon një qytetari të botës së civilizuar—i mjaftueshëm në sasi dhe i pastër në kualitet.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s