Armiku i madh i qytetërimit: çmimi i diskutueshëm!

Etjon Basha

Nga përvoja e hidhur e kërkimit të një shtëpie për tu blerë, një tjetre me qera dhe të një automjeti, mund të them me siguri që rastet kur në Shqipëri gjen një çmim të afishuar që e meriton emrin “çmim” numërohen me gishtat e dorës. Sa herë me ka ndodhur të jem tërhequr nga një automjet por jam shkurajuar nga çmimi i afishuar, vetëm për të parë me tej sesi pronari ishte i gatshëm të zbriste qindra euro prej këtij çmimi pa nisur mirë diskutimin! Dhe në fakt çmimi përfundimtar i makinës që bleva ishte dukshëm më i ulët se ai i afishuari. Përvoja pra, na mëson që është e udhës të flasës kokë më kokë me shitësit për të ‘zbuluar’ çmimin real të mjetit, i cili shumë mirë mund të ishte afishuar që në fillim.

Dhe nëse zakoni për të operuar me çmime praktikisht fiktive përkthehet thjesht në një bezdi për blerësin individual, ç’efekt ka ai tek aftësia e biznesit për të llogaritur në mënyrë racionale? Në fakt, çmime të tilla “reklamuese” nuk përmbushin dot (ose e përmbushin shumë keq) funksionin parësor të çmimit: tejçimin e informacionit. Si mendohet të jetë i aftë të llogarisë racionalisht një pronar biznesi aktivitetin e tij nëse ngado që sheh gjen çmime fiktive, që me tregimin e interesit më të vogël nga çdo blerës bien me mbi 10%? Në krahasim me kaosin llogaritës që ky zakon sjell, efekti i inflatimit nga Banka e Shqipërisë ose i mungesës së Bursës dalin në plan të dytë!

Të jetë e qartë që nuk po kritikoj negocimin e çmimit në parim. Teoria ekonomike parashikon plot raste kur negocimi jo vetëm që mund, por duhet ti zë vendin çmimit “të padiskutueshëm”: raste të tilla kemi kur ofruesit (shitësit) dhe kërkuesit (blerësit) janë aq të rrallë, sa tregu nuk arrin do të vendosë një çmim fiks për mallin apo shërbimin në fjalë, por një bandë çmimesh. Se cili nga çmimet e kësaj bande do zgjidhet më tej, kjo varet pikërisht nga negocimi, që në këto raste është i pashmangshëm.

Mirëpo rastet ku negocimi vërehet në Shqipëri (e sigurisht në plot shoqëri të tjera, për të cilat megjithatë nuk na prishet puna shumë) nuk janë raste të tilla: jo vetëm që tregjet e automjeteve të përdorura, banesave me qera dhe punës janë  – po të përdorim termin ekonomik – “të thella”, pra me shumë shitës e blerës, por negocimi është kthyer dukshëm në një qëllim në vetvete, jo mjet për të arritur çmimin më të mirë.

Shumëkush në këtë pikë mund të mendojë që negocimi është e vetmja mënyrë për të arritur një çmim të arsyeshëm në treg. Pa harxhuar orë të tëra duke u zënë me shitësit, tregu do na ngarkonte çmime të papërballueshme!

Ky pretendim nuk qëndron pasi thyen parimet më bazike të ekonomisë. Shitësit nuk na ‘falin’ çmime të ulëta sepse bezdisen nga negociatat e gjata. Çmimi caktohen në pikën ku oferta barazon kërkesën, dhe ne çastin kur një mall është i rrallë, çmimi i tij do rritet pavarësisht negociatave. Anasjelltas, nëse tregu është plot me FIAT­-e të lirë, sado kokëfortë të tregohet shitësi i një Polo-je në negociata, çmimi nuk do mund të rritet. Sado të arrijë të punësojë dikë me pagë nën-normale falë aftësisë negociuse, një biznesmen nesër sërish do humbasë kur të shohë se si, pa bërë mirë vitin, punonjësi i ri largohet për diku tjetër. Logjika ekonomike si dhe bonsensi praktik tregojnë të njëjtën gjë: negociatat, në rastet kur tregu është i thellë, thjesht harxhojnë kohën e gjithsekujt dhe vështirësojnë llogaritjen ekonomike.

Mendësia e ‘pazarit’ me çmimet është mendësi tipike Lindore, dhe tendenca e negocimit të çdo çmimi bie shpesh në sy të perëndimorëve që udhëtojnë në këto vende. Nga shumë shqiptarë që kalojnë pushimet në Turqi dëgjoj shpesh që mjafton një pazar i shkurtër për të ulur çmimin e çdo artikulli, sado i parëndësishëm apo i lirë. Autorë të ndryshëm qysh herët kanë krahasuar tendencën e japonezëve për të hyrë në negocime të gjata  për të “shpëtuar nderin”, ndonëse secila palë e kupton që çmimi përfundimtar nuk do ndryshojë. Në këto vende, pazari është qëllim në vetvete, jo mjet.

Nuk do ishte çudi që, i ngarkuar me këtë mendësi “pazari”, tregu në Lindje të ketë qenë gjithmonë sklerotik dhe i palëvizshëm, edhe kur shteti ka qenë tepër i dobët për ta rregulluar atë. Ndofta, kjo është arsyeja (ose një prej arsyeve) që na e bën tregun të huaj e të pabesueshëm në Shqipëri e Kosovë: tendenca për të punuar me çmime fiktive dhe negociata të pafundme nuk e lejojnë tregun të punojë dinamikisht tek ne, duke na shtyrë të thërrasim të madhe për ndihmën e shtetit. Teoritë e mëdha ekonomike, me kurba oferte dhe kërkese na duken formalizma që nuk kanë lidhje me realitetin, kur “çmimi i tregut” që na rregulloka gjithë aktivitetin ekonomik na ndryshoka rrënjësisht pas pak minutash debati. Të tilla janë efektet e kësaj mendësie.

Kështu, zakoni për të negociuar pafund është realisht një ndër zakonet më dëmtuese në Shqipëri. Ndofta nëse secili prej nesh do mund të ngute këmbë që në fillim tek çmimi i padikskutueshëm, dhe do ta ndryshonte nëse do vërente mungesë interesimi, do lëviznim pak më pranë shoqërisë që meritojmë të kemi.

One thought on “Armiku i madh i qytetërimit: çmimi i diskutueshëm!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s