100 vitet e ardhme

Etjon Basha

Në pak ditë do festohet 100 Vjetori i Pavarësisë së vendit. Për shumëkënd, përveç atmosferës së festës, kjo ngjarje jep shkas për të reflektuar mbi bilancin e shekullit të parë të pavarësisë, mësimeve të nxjerra nga përvoja dhe, si rrjedhojë, dhe rekomandimeve për një shekull më të mbarë në vijim.

Nëse më lejohet devijimi nga modestia, më poshtë do jap edhe unë nëntë rekomandimet e mia (prej të cilave katër me rendësi jetike) që, gjithnjë sipas mendimit tim, të vetme do siguronin mbarëvajtjen e shekullit të dytë të Pavarësisë Shqiptare. Nuk duhet harruar që një kombi varfër e i pazhvilluar është në vijimësi pre e lehtë e presionit të jashtëm, dhe që në kushtet kur Shqipëria do mbetej vrimë e zezë në Evropë për nga pasuria, mbijetesa kulturore e Kombit nuk do mund të merrej si e mirëqenë. Kështu, jo vetëm për të siguruar jetesën e brezave në vijim, pro dhe tejçimin e vetë Kulturës Kombëtare, mbetem i bindur që gjatë shekullit në vijim, Shqiptarët do duhet të ndërmarrin këto reforma (për lexuesit e rregullt, nuk ka ndonjë surprizë).

Së pari (rëndësi jetike), kufijtë e Shteteve Shqiptare duhet të mos egzistojnë për flukset e mallrave, kapitalit dhe shërbimeve, ndërkohë që kontrolli mbi individët do duhet ruajtur në masën që nevojitet për të mos lejuar hyrjen në vend të personave të shpallur non grata për arsye të ndryshme. Në vende si Shqipëria, Kosova dhe Ilirida, që do mbesin të vogla edhe të bashkuara, dëmin maksimal ndaj zhvillimit ekonomik dhe evolimit mendor e sjell kufizimi i fluksit tregtar dhe kapital. Sado të mundohemi, nuk gjejmë dot asnjë reformë që mund të bëjë kaq shumë me kaq pak mund për mirëqenien e shqiptarëve, sa eliminimi i fuqisë se kontrollit tregtar të Doganave. Nëse qeveritë shqiptare do arrinin të bindnin vende të treta të eliminonin (në frymën e reciprocitetit) kufizimet e ngjashme tregtare, aq më mirë.

Së dyti (rëndësi jetike), eliminimi i sistemit monopolist monetar. Këtu thjesht kërkojmë rikthimin e në traditën e lavdishme të Frangës së Arit, që e vetme i mbijetoi Luftës së Parë botërore në Evropë. Pas (1) balancimit të rreptë (dhe përpjesëtimor) të buxhetit,(2) vlera e Lekut duhet të fiksohet në një bandë në ngushtim ndaj çmimit të arit, (3) rezerva e valutës së Bankës së Shqipërisë të konvertohet tërësisht në monedha ari, (4) Leku të përkufizohet ligjërisht si i kthyeshëm në këto monedha, (5) të eliminohet çdo kufizim mbi çdo bankë të nivelit të dytë lidhur me prodhimin e Lekëve (sa kohë ato kthehen në ar në çast), (6) të eliminohet çdo kërkesë liçensimi, rregullimi financiar apo privilegj tjetër ndaj bankave egzistuese, (7) të privatizohet Banka e Shqipërisë dhe (8) të abrogohet Tenderi Ligjor. Nëse qeveritë shqiptare do arrinin të firmosnin marrëveshje bashkëqarkullimi monetar me vende të treta, aq më mirë.

Së treti (rendësi jetike), kantonizimi i Hapësirës Shqiptare. Në pozitat e Kryeministrit të parë të Shqipërisë së Pavarur, të arkitektit diplomatik që siguroi njohjen ndërkombëtare të vendit, si dhe pas një karriere të gjatë në nivelet më të larta të administratës Osmane, ai që padyshim ka qenë drejtuesi më i kualifikuar i shqiptarëve në fillim të shekullit të shkuar, Ismail bej Vlora, u shpreh me bindje se Shqiptarët mund të qeverisen vetëm në formën e një konfederate të modelit Zviceran. Argumentet teorike, përvoja historike e shtetit më të suksesshëm në historinë bashkëkohore (Zvicrës) dhe dallimi i mendësive tejet të ndryshme mes krahinave të Shqipërisë, Kosovës dhe Iliridës na shtyjnë ti japim plotësisht të drejtë këshillës që vazhdon të skandalizoj etatistët tanë të dashur, të mësuar të trajtojnë gjysmën e Shqipërisë si koloni të përjetshme.

Së katërti (rëndësi jetike), dhënia fund e pasigurisë pronësore lindur nga pretendimet e ish-pronarëve të tokave, duke mos pranuar vlefshmërinë juridike të titujve të pronësisë të para viteve 90’, shoqëruar me kompensimin monetar të ish-pronarëve.

Sikur këto katër reforma të ndërmerren, shekulli në vijim do jetë padyshim tejet i mbarë për shqiptarët, që do zënë vendin e tyre të merituar ndër kombet e pasura, sovrane e të zhvilluara. Me një rëndësi disi më të ulët, janë reformat e mëposhtme.

Së pesti (rëndësi e mesme), shitja në ankand e të drejtave të sovranitetit, çka do i linte në dorë tregut të lirë krijimin e Zonave të Lira Ekonomike, një model zhvillim i vërtetuar disa herë në çdo vend ku është testuar.

Së gjashti (rëndësi e mesme), vitalizimi i Bursës së Tiranës, pa të cilën ekonomitë e shqiptarëve do mbeten gjithmonë disi irracionale dhe kapitali i rrallë do shpërdorohet.

Së shtati (rëndësi e mesme), privatizimi i vijuar i aseteve publike, në vijim të privatizimeve të shumta e të mirëpritura të qeverisë aktuale. Planet për privatizimet (jo koncesionet) e aseteve prodhuese dhe transmetuese energjetike, autostradave, pyjeve, minierave, porteve etj. duhen çuar deri në fund. Monopolet ligjore në fusha si shpërndarja e energjisë, transporti ajror dhe telekomi duhen abroguar.

Së teti (rëndësi e mesme), tenderimi i funksioneve të mbetura shtetërore, pikë mbi të cilën do ndalemi në detaje në të ardhmen. Tani për tani, le të mjaftohemi duke thënë që sikur administrata civile të kufizohej në 500 të punësuar nëpër pak ministri qëndrore dhe kantonale, dhe çdo funksion tjetër gjysmë-legjitim i shtetit ti tenderohej sipërmarrjes private, cilësia e shërbimit do përmirësohej dukshëm dhe barra tatimore do binte.

Së fundmi (rëndësi e mesme), negocimi i daljes nga Marrëveshja e Stabilizm-Asocimit (mundësisht pa cënuar lëvizjen e lirë në Zonën Shengen), e cila i ka imponuar Shqipërisë gjithë kostot e rregullimit korporatist Evropian, pa na siguruar të mirat e Tregut të Përbashkët. Çdo hap i mëtejshëm në rrugën integruese duhet rreshtur dhe ministria e Integrimit duhet shkrirë. Të mos i zërë shumë meraku miqtë hollandezë, se shqiptarët kanë se çka të bëjnë edhe pa qenë pjesë e BE-së.

Nëse këto reforma sot për sot na duket fare larg zeitgeist-it dhe të pamundura politikisht, të mos harrojmë sa e pamundur ngjante 100 vjet më parë mbijetesa e një kombi të përgjysmuar, të rrethuar me armiq të fuqishëm e aleati i vetëm i së cilit ishte në grahmat e fundit të jetës. Nëse pas një jave do festojmë Jubileun e Pavarësisë në shqip, atëherë padyshim qo mund të gjejmë brenda vetes forcën dhe vitalitetin për të ndërmarrë, në kohë,  reformat e domosdoshme që të vetme mund të sigurojnë mbijetesën e vijuar dhe zhvillimin e Kombit Shqiptar, në shekullin e ri të popullsive në rënie, tensioneve të brendshme dhe Perandorive monolitike. Le ti lëmë diçka më shumë brezit që do festojë 200 vjetorin e Pavarësisë nga ç’na u la ne.

Dhe ndërkohë, ta gëzojmë 100 Vjetorin e Pavarësisë!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s