Obsesione të pamerituara ekonomike

Bardhyl Salihu

Në diskutimet dhe shkrimet e ekonomistëve në Kosovë vazhdimisht del në pah obsesioni i pamerituar me disa ide të caktuara ekonomike. Do të ishte në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit nëse vëmendja nuk shterret duke u obsesionuar gabimisht me këto ide, por duke u përqëndruar në problemet reale ekonomike të cilat kërkojnë zgjidhje.

Deficiti tregtar 

Nuk ka temë ekonomike më të përfolur se sa deficiti tregtar i Kosovës me vendet tjera. Pothuajse cdo diskutim i vështirësive ekonomike të vendit gjenë hapësirë për t’iu referuar kësaj statistike tregtare. Megjithatë, përkundër vëmendjes që i kushtohet, ende nuk kam lexuar apo dëgjuar kudo në opinion publik as edhe shpjegimin më të thjeshtë apo sipërfaqësor pse deficiti tregtar është i dëmshëm për Kosovën. Ndoshta kjo është pasojë e mos-informimit tim, dhe i ftoj lexuesit të më korrigjojnë nëse e kam gabim, me c’rast me shumë interesim do doja t’i dëgjoja shpjegimet.

Fatkeqësisht, ideja që deficiti tregtar është i dëmshëm thjeshtë supozohet, sic është rasti me obsesionet tjera, pa u shpjeguar apo argumentuar, thuajse është e vetëkuptueshme. Cili është mekanizmi se si deficiti tregtar ndikon në ekonominë e vendit? Supozimi është thjeshtë tautologjik: deficiti tregtar është i keq sepse është deficit.

Pa u dëgjuar brengat konkrete për deficitin tregtar është vështirë të ndërtohet një përgjigje pse këto brenga janë të pamerituara, mirëpo nëse ideja është e bazuar në mendimin e vjetër merkantilist që “importet janë të këqija, e eksportet e mira”, atëherë përgjigjja gjendet fare lehtë në konsensusin qindra-vjecar të ekonomistëve që tregtia e lirë e jo proteksionizmi është parakusht për zhvillimin ekonomik të një vendi. Në të vërtetë, deficiti tregtar i Kosovës është simptom e jo problem në vete, që flet për vështirësitë e bizneseve kosovare që të shesin brenda dhe jashtë vendit si rezultat i përparësive krahasuese të konkurrentëve të tyre rajonal. Bizneset kosovare nuk arrijnë t’i mundin prodhimet dhe shërbimet e bizneseve të huaja në vend për nga kualiteti dhe cmimi dhe si rezultat nuk arrijnë t’i tërheqin konsumatorët vendorë. Kurse shitjen jashtë vendit (eksportin) e kanë edhe më të vështirë për të njëjtat arsyeje. Simptomet nuk luftohen por luftohen shkaqet e tyre.

Deficiti tregtar zvogëlohet jo duke duke vënë barriera tregtare në dëm të konsumatorëve apo duke flakur paratë e taksapaguesve në subvencione për eksport, por duke i zgjidhur problemet kryesore me të cilat përballet ekonomia e Kosovës “për brenda”, e që janë sundimi i ligjit (në mbrojtje të pronës dhe zbatimit të kontratave), ulja e taksave, ulja e shpenzimeve shtetërore (dhe largimi i plotë i subvencioneve deformuese), rritja e efikasitetit dhe eficiencës duke privatizuar dhe hapur për konkurrencë shërbimet si uji, energjia elektrike, ngrohja, transporti publik, etj., heqja e licencave dhe rregullacioneve që vëtëm vështirësojnë të bërit biznes, dhe promovimi i investimeve të huaja direkte. Këto reforma do t’i bënin bizneset vendore dhe numrin e madh të atyre që binden të investojnë në Kosovë shumë më konkurrente se sa që janë tani dhe si rezultat do të qonin në një zvogëlim të konsiderueshëm apo edhe eliminim të deficitit tregtar.

Bujqësia dhe prodhimi

Obsesioni i radhës ka të bëjë me dy gjëra tjera të ndërlidhura: “nevojën” për ta orientuar ekonominë kosovare drejtë bujqësisë, si dhe “nevojën” për ta orientuar atë në prodhim e larg tregtisë dhe shërbimeve. Bujqësia është industri e cila simpatizohet kudo në botë dhe e cila zakonisht tërheqë vlerën më të madhe të subvencioneve. Kjo, megjithatë, nuk do të thotë që ndodhë për shkak të ndonjë parimi të shëndoshë ekonomik. Filozofi amerikan Michael Huemer shpjegon në librin e tij The Problem of Political Authority (Problemi i Autoritetit Politik) që bujqësia merr kaq shumë vëmendje për shkak të lobit të fortë në Kongres si dhe për shkak të faktit që ushqimi, një element jetik për njeriun, vjen pikërisht nga kjo industri, gjë që krijon përshtypjen paranojake që në mungesë të mbështetjeve shtetërore për bujqësinë popujt do kaploheshin nga uria masive.

Shkenca e ekonomisë e shpjegon që cështja se cilat industri të ngriten apo të ulen i mbetet konsumatorit sepse i tërë aktiviteti ekonomik (në cfarëdo fushe) bëhet me qëllim të përmbushjes së nevojave subjektive të konsumatorit. Nëse konsumatorët nuk shpenzojnë në një industri të caktuar, të ardhurat për atë industri zvogëlohen bashkë me përfitimin, dhe kjo qon në largimin e bizneseve nga ajo industri. Në të kundërtën, kur konsumatorët shfaqin interesim për produktet apo shërbimet e një industrie tjetër, të ardhurat dhe përfitimet rriten, duke tërhequr më shumë biznese drejtë saj në përmbushje të kërkesave të konsumatorit. Konsumatori pra është një lloj dirigjuesi ekonomik, i cili duke blerë apo mos blerë produktet dhe shërbimet e tregut, voton apo kundërshton ofrimin e tyre. Kjo nënkupton që nëse një biznes apo edhe një industri e tërë si bujqësia nuk është fitimprurëse, atëherë ai biznes apo ajo industri nuk po bëjnë sa duhet për t’i përmbushur kërkesat e konsumatorit dhe kështu kanë nevojë për përmirësim. Ndryshe, do të ishte tejet joeficiente që shteti në mënyrë artificiale të rishpërndarte të ardhurat e vendit nëpërmes subvencioneve drejtë bizneseve të cilat nuk kanë sukses. Studimet empirike madje tregojnë që riorientimi artificial i tillë nga shteti nuk sjellë fare rezultate pozitive të rritjes, sepse ato biznese apo ato industri të cilat subvencionohen sillen me papërgjegjësi në kurriz të të ardhurave të garantuara. Në fakt, zhvillohen pikërisht ato biznese apo industri të cilat nuk subvencionohen por të cilat duhet të mbijetojnë duke ju përgjigjur kërkesave të konsumatorit në betejë me konkurrentët. Prandaj cështja se a duhet të zhvillohet bujqësia, teknologjia informative, apo cfarëdo industrie tjetër, është cështje si të gjitha tjerat që duhet të përcaktohet vetëm nga konsumatorët.

I njëjti shpjegim vlen edhe për prodhimin, shërbimet, dhe tregtinë. Pse duhet të supozohet që shërbimet apo tregtia nuk krijojnë vlerë për konsumatorin? Me vetë faktin që konsumatorët demonstrojnë preferencë për shërbime dhe produktet tregtare tregon detyrimisht që ato megjithatë janë pjesë e pasurisë ekonomike, pa dallim nga prodhimi. Kjo na kthen tek mësimi fillestar i ekonomiksit, që vlera është subjektive, në mendjën e vlerësuesit, e jo objektive, dicka përbrenda produktit apo shërbimit.

Buxheti i shtetit = zhvillim ekonomik

Të obsesionuar duken analistët edhe me mendimin që sa më i madh buxheti i shtetit, aq më mirë për zhvillimin ekonomik të vendit dhe standardin e jetesës. Shpesh dëgjojmë si masa të ndryshme fiskale marrin komplimente sepse kontribuojnë në buxhet, edhe atëherë kur kanë efekte negative ekonomike për arsyeje tjera. Kundërshtarët e privatizimit të PTK-së madje u mbështetën më së shumti në këtë argument kur thanë që përfitimet e PTK-së nënkuptojnë që ajo nuk duhet të privatizohet.

Por nëse ky mendim është i drejtë, atëherë shtetet me buxhetin më të madh do duhej të ishin gjithashtu ndër vendet me standardin më të lartë të jetesës. Sipas statistikave të CIA-së, shteti me buxhetin më të madh në botë është ShBA, por në Bruto Prodhimin Vendor për kokë banori (që nuk pasqyron standardin e jetesës në mënyrë të përpikët por sidoqoftë na jap ide orientuese) ShBA renditet vetëm e 8-ta në botë. Në anën tjetër standardin më të lartë të jetesës me këtë masë e ka Katari, buxheti i të cilit shtet renditet i 39-ti në botë. Lihtenshtajni, që përafërohet me Katarin për nga standardi i jetesës, renditet edhe më ulët, i 157-ti, sa i përket buxhetit shtetëror. Japonia, e cila e ka buxhetin e dytë më të madh shtetëror pas ShBA-ve, renditet vetem e 26-ta për nga standardi i jetesës, e kështu me radh. Këto vrojtime na tregojnë që dicka nuk është në rregull me këtë lidhshmëri.

Fatmirësisht, është e shpjegueshme pse buxheti i shtetit nuk ka efekt pozitiv në standardin e jetesës. Kur shteti e rritë buxhetin, nuk krijon para shtesë por i tërheqë ato para që ekzistojnë nga individët në sektorin privat dhe i bartë në sektorin publik. Me këto para pastaj shteti i tërheqë fuqinë punëtore, lënden e parë dhe mjetet kapitale. Kjo nënkupton që për sektorin privat mbetet më pak sepse dy gjëra nuk mund të ekzistojnë njëkohësisht në dy vende të ndryshme. Pra, nëse shteti e angazhon një makinë të punës në ndërtim, më pak do të ketë për sektorin privat të ndërtimit; nëse shteti paguan për veturën e një politikani, më pak mbetet për individët privatë që të paguajnë për veturat e tyre, e kështu me radhë. Madje edhe ato që mbesin për sektorin privat shtrenjtohen nga kërkesa shtetërore për to. Kjo në terminologjinë ekonomike njihet si ‘tkurrje’ (anglisht: crowding out).

Ju mund të pyesni se cka ka të keqe nëse sheti e tkurrë sektorin privat? Rritja e shtetit në barrë të sektorit privat është e padëshirueshme sepse shteti si institucion vuan nga problemi i stimulimit të politikanëve e byrokratëve shtetëror për të bërë më të mirën në ofrimin e shërbimeve për konsumatorët. Në sektorin privat një gjë e tillë është e zgjidhur nga fakti që nëse bizneset u shërbejnë konsumatorëve, konsumatorët blejnë nga to. Në të kundërtën, bizneset pësojnë humbje. Meqë shteti nuk varet nga paratë e konsumatorëve për shkak se nëpërmes taksave të detyrueshme i ka të hyrat e garantuara, shteti nuk ka nxitje që ta bëjë maksimumin në shërbimet që i ofron. Nuk është cudi pra që sa herë kemi nevojë t’i shfrytëzojmë shërbimet shtetërore, si administratën publike, ndahemi të pakënaqur, sepse kënaqësia ynë nuk është e rëndësishme për ta. Po të sillej një biznes privat si administrata publike e Kosovës, do zhdukej brenda muajit dhe vendin e tij do ta zinte një biznes më konkurrent. Një konkurrencë e tillë është e pamundur në sektorin shtetëror dhe si rezultat i monopolit vuajnë konsumatorët. Prandaj sa më shumë shërbime si uji, rryma, ngrohja, etj. që janë nën kontrollin shtetëror, aq më shumë do të vuajnë konsumatorët nga kualiteti i ulët dhe joeficienca. E sa më i madh që të jetë buxheti shtetëror, aq më shumë do të ketë kontroll mbi këto shërbime. Kësisoji është më e dëshirueshme që në vend të shtetit, paratë të mbesin më shumë në buxhetet personale të individëve të cilët përkujdesen dhe e dinë më mirë se si duan t’i shpenzojnë.

Pa u shkëputur nga këto obsesione dhe pa vënë në fokus temat e rëndësishme të ekonomisë kosovare, është e vështirë të promovohen idetë që përmbajnë zgjidhjet e problemeve ekonomike. Një rirreshtim i tillë pritet jo nga qytetarët por nga ekonomistët e vendit të cilët si autoritet të fushës duhet ta udhëheqin dialogun.

One thought on “Obsesione të pamerituara ekonomike

  1. Përtej simptomës së problemeve të brëndshme me konkurrueshmërinë, deficiti tregtar mund të shihet më së shumti si simptomë e preferencave të larta kohore në Kosovë në krahasim me vendet e tjera (cka e detyron shoqërinë Kosovare të thithë kapital neto nga jashtë, pra dhe të ketë deficit tregtar si balancë).

    Sigurisht, kjo nuk përbën surprizë për askënd po të kemi parasysh faktin që Kosova është fatkeqësisht ende nje vend tejet i varfër, që ndofta vuan edhe më shumë se rajoni nga mungesa e kapitalit. Kuptohet që dyshoj fuqimisht që kjo të jetë analiza që kanë ndërmend opinionistët kur kritikojnë me të madhe deficitet, por le tu dalim përpara me aq sa mundemi 🙂

    Sa I takon fiksimit të cuditshëm me bujqësinë, ende e kam të pamundur të kutpoj se nga lind ai. Ndofta realisht sepse ushqimi shihet si tepër jetik për tiu lënë tregut. Nëse është kështu, e ardhmja nuk duket shumë e ndritur.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s