Mrekullia Ekonomike Gjermane Shembull për Kosovën

Të drejtat autoriale i mbanë Gazeta Jeta në Kosovë

Bardhyl Salihu

E pazhvilluar ngjashëm si Gjermania pas luftës, e madje më pak e shkatërruar, Kosova sot gjendet në pozitë shumë të ngjashme ekonomike. Por përderisa 15 vite pas luftës (1960) Gjermania renditej si ndër vendet më të zhvilluara në botë, Kosova ende është më e varfra në Evropë. Dallimi i qartë është natyrisht te politikat që janë ndjekur.

Liberalizmi ekonomik e shpëtoi dhe zhvilloi Gjermaninë, kurse në Kosovë as që duket në radarin politik të dominuar nga debatet personale dhe amatore. Më shumë se kurrë, Kosovës i duhet një Ludwig Erhard, i cili në fund shkroi që shembulli gjerman do t’i dëshmojë shumicës së botës bekimin e lirisë ekonomike.

Por si ishte rimëkëmbur Gjermania?

Epilogu i Luftës së Dytë Botërore ishte rrënimi masiv i Gjermanisë. Si rezultat i shkatërrimit ekonomik, prodhimi industrial në vitin 1945 ishte 1/3 e nivelit të vitit 1938 kurse ai ushqimor për kokë banori vetëm sa gjysma. Sikur kjo të mos mjaftonte, amerikanët që kishin okupuar Gjermaninë bashkë me forcat tjera aleate, shpallën dekretin JSC 1067 (si pjesë e Planit Morgentau) nëpërmes të cilit urdhëruan forcat e tyre ushtarake që të mos ndërmarrin hapa drejt rehabilitimit apo fuqizimit të ekonomisë gjermane.

Viti 1948 ishte vit i ndryshimeve të mëdha. Pas një periudhe të lehtësimit të masave represive ndaj Gjermanisë, drejtor i këshillit për ekonomi në bizonën amerikano-britanike u caktua Ludwig Erhard.

Një ithtar i madh i lirive ekonomike dhe asaj që ai e quante “ekonomi sociale e tregut”, Erhard ishte i vendosur t’i zbatonte reformat liberale edhe përkundër kundërshtimeve më të ashpra nga klasa politike socialiste. Ai besonte fuqishëm në të drejtën demokratike dhe të pacenueshme të individit të blejë dhe shesë në treg pa diktate shtetërore.

Reformat e Erhard-it filluan me adresimin e problemit kryesor të Gjermanisë- sistemin jostabil monetar. Gjermania kishte pësuar hiperinflacion të tmerrshëm në vitet 1920-1923 kur monedha u zhvlerësua 29,525% dhe të gjitha kursimet u zhdukën.

Edhe regjimi nazist i detyroi gjermanët të kalojnë nëpër inflacion të madh në orvatjet për ta financuar luftën duke shtypur para deri në pesëfishimin e sasisë së tyre në qarkullim. Erhardi e kuptonte mirë që i tërë aktiviteti ekonomik do të ishte i kotë nëse nuk ankorohet në një sistem të reformuar të monedhës i cili e garanton stabilitetin e çmimeve dhe rrjedhimisht fuqinë blerëse të qytetarëve gjermanë. Në vitin 1948 me bekimin e aleatëve, Gjermania adoptoi markën gjermane (DM) si monedhë.

Erhard pastaj uli taksat dukshëm. Norma më e lartë u shkurtua nga 85% për të hyrat vjetore mbi 2,400 DM në vetëm 18%. Taksa absurde 95% për të hyra vjetore 6,000 DM u eliminua, duke u aplikuar vetëm për të hyra vjetore 250,000 DM të cilat atëherë nuk i kishte askush.

Taksa e korporatave e cila luhatej prej 35% deri në 65%, u rrafshua në 50%. Erhard pastaj eliminoi të gjitha pengesat ligjore për të bërë biznes, duke përfshirë licencat dhe privilegjet e ndryshme që ishin trashëguar nga sistemi i kaluar ekonomik. Ai u dha rëndësi të veçantë luftimit të monopoleve dhe karteleve duke krijuar ligjin modern kundër tyre. Ai luftoi fuqishëm kundër përfshirjes së subjekteve të ndryshme në politikëbërje, qofshin biznese apo sindikata. Qëllimi i tij ishte të adoptoheshin vetëm ato politika apo reforma të cilat janë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Gjermanisë, e jo në favor të grupeve të ngushta të interesit.

Përkundër presioneve të mëdha nga sindikatat, Erhard nuk pranoi rritjet artificiale të pagave nëse ato nuk arsyetoheshin nga rritja e produktivitetit. Në anën tjetër, Erhard lejoi zgjerimin e shtetit social (p.sh. pensioneve) vetëm falë përparimit ekonomik.

Pasi u eliminua racionimi shtetëror i ushqimit dhe u largua kontrolli mbi çmimet, gjenerali amerikan Lucius Clay i tha Erhardit, “Zotëri Erhard këshilltarët e mi më thonë që ke bërë gabim të tmerrshëm. Çfarë ke për të thënë?” Erhardi përherë karizmatik u përgjigj: “Mos iu kushto vëmendje gjeneral. Këshilltarët e mi ma thonë të njëjtën” (Edwin Hartrich, The Fourth and Richest Reich, f. 4). Ato masa joliberale që mbetën në fuqi, mbetën vetëm për shkak se Erhardi e kishte të pamundur politikisht ta bindte Bundestagun gjerman që t’i adoptonte, si rezultat i skepticizmit të shprehur nga rrymat tjera politike.

Reformat e Erhardit u panë si të gabuara dhe ekstreme dhe i sollën kritika dhe fyerje. Por ajo që do të pasonte si rezultat i tyre ishte dëshmia më klasike e superioritetit të tregut të lirë dhe ekonomisë kapitaliste mbi format tjera—një ringjallje e pabesueshme ekonomike.

Me kthimin e lirisë për të tregtuar dhe lëvizjes së lirë të çmimeve u ringjall tregtia, raftet e bizneseve filluan të mbushen kurse qytetarët filluan të blejnë me monedhën që tanimë kishte vlerë. Papunësia u zvogëlua nga mbi 15% (1948) në 2.2% (1956) e pastaj 0.2% (1962), përkundër rikthimit masiv të emigrantëve në tregun e punës.

Në periudhën 1948-1960 pagat u trefishuan. Mungesa në punë ra dukshëm. Në vitin 1948 punëtorët punonin 9.5 orë më pak në javë për shkak të pagave të ulëta, kurse jo më larg se 6 muaj pas reformave kjo vlerë u shkurtua në 4.2 orë në javë. Indeksi i prodhimtarisë për orë pune ishte 62.8 (1948) kurse u rrit në 134 (1956). Në të njëjtën kohë prodhimi industrial i përgjithshëm u rrit katërfish.

Ekonomia gjermane tanimë ishte tejet konkurrente dhe deficiti tregtar u shndërrua në bilanc pozitiv 36 miliardë DM (1956) edhe përkundër tregtisë së lirë. Kjo ringjallje ekonomike—të cilën gazeta angleze The Times e quajti “mrekullia gjermane”— zbuti edhe majtistët më dogmatikë dhe dëshmoi që Erhardi kishte pasur të drejtë. Reformat e Erhard-it natyrisht nuk ishin të përkryera, por rezultatet e tyre pozitive ishin të pakontestueshme.

Erhardi në fund refuzoi ta cilësonte ringjalljen ekonomike gjermane si mrekulli, duke shkruar në librin e tij, “Ajo që ka ndodhur në Gjermani 9 vitet e fundit më së paku mund të quhet mrekulli. Ajo është rezultai i përpjekjeve të sinqerta të një populli të cilit, në ndjekje të parimeve të lirisë, i është dhënë mundësia e shfrytëzimit të nismës personale dhe energjisë njerëzore.” (Prosperity Through Competition, f. 116).

Një mit i përhapur është që Gjermania u zhvillua ekonomikisht si rezultat i ndihmës nga Plani Marshall. Edhe pse ndihma ishte natyrisht e mirëseardhur, pak merita i takojnë për suksesin gjerman. Nga Plani Marshall Gjermania morri $1.5 miliard apo vetëm 5% të të ardhurave kombëtare, por u rrit pakrahasim më shumë sesa për shembull Britania e Madhe e cila mori $3.3 miliardë e ende dergjej, për shkak të politikave socialiste të kryeministrit Clement Attlee.

As Franca që mori $2.3 miliardë nuk po kalonte nëpër zhvillim si Gjermania. Po të ishte Plani Marshall vendimtar, këto dy vende do të zhvilloheshin më shumë sesa Gjermania, bashkë me vendet tjera që gjithashtu përfituan nga ndihma, por nuk ndoqën ritmin gjerman. Kur i shtohet fakti që Gjermania po paguante $2.4 miliardë në vit për okupimin aleat(!) si dhe dëme të luftës në vlerë përtej $1 miliard, suksesi gjerman bëhet edhe më i veçantë.

3 thoughts on “Mrekullia Ekonomike Gjermane Shembull për Kosovën

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s