Për një reformë reale të pensioneve (pjesa 1 nga 3)

Etjon Basha

Ja një fjali me të cilën thuajse kushdo do bie dakord: sistemi i pensioneve në Shqipëri duhet reformuar në mënyrë urgjente. Nuk ka pensionist i cili nuk ankohet për  trajtimin që pëson nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, nuk ka deputet i cili, po të pyetet, nuk kritikon rëndë sistemin aktual të pensioneve dhe nuk ka qeveri e cila nuk ka bërë ndryshime të vazhdueshme në sistem. Si e ka hallin ky sistem pensionesh dhe a mund të reformohet në mënyrë të pranueshme?

Skema e pensioneve në Shqipëri ndjek një nga dy versionet aktualisht të përhapura në botë. Ideja është që çdo i punësuar do investojë me detyrim një pjesë të pagës (bashkë me një shtesë që paguhet nga punëdhënësi) tek sistemi i pensioneve dhe, pas mbushjes së moshës së caktuar, të përfitojë një pagesë periodike. Aty ku ndahen dy sistemet moderne të pensioneve është tek ajo ç’ndodh nga çasti i pagesës së kontributit tek ai i tërheqjes së pensionit. Shumica e vendeve, e këtu përfshijmë dhe Shqipërinë, zbatojnë sistemin “pay as you go”, pas të cilit kontributet e sotme paguajnë direkt pensionet e përfituesve të sotëm (paga ime paguan pensionin e gjyshit). Ndërkohë, një pakicë vendesh investojnë kontributet dhe, kur vjen çasti, paguajnë pensionin nga fondet e akumuluara (paga ime unë paguan pensionin tim).

Shumë është shkruar sesi skema “pay as you go” është delikate dhe cënohet lehtë nga plakja e popullsisë, një fenomen që duket se prek në mënyrë të pashmangshme çdo vend të pasur. Nga ana tjetër, ndonëse sistemi investues mund të cënohet nga luhatjet po aq të pashmangshme të normave të interesit dhe tregjeve financiare, me disa taktika relativisht të thjeshta këto probleme minimizohen.  Kështu, konsensusi është që sistemet investuese janë shumë më të përshtatshme dhe që çdo vend do duhet, nëse mundet (kalimi është i vështirë e i shtrenjtë), të kalojë në sistem investues.

Këto argumente janë tejet të arsyeshme, në pikën që çdo shoqëri private pensionesh padyshim që do zgjidhje skemën e investimeve. Madje, një shoqëri private që do zgjidhte sistemin “pay as you go” do hidhej shpejt në gjyq e do likuidohej si shoqëri piramidale, një akuzë që do qe plotësisht me vend (si shpeshherë, shteti i lejon vetes veprime që privatët do i shpinin në burg). Por problemi praktik i skemave publike të pensioneve nuk është dhe aq që shumica janë në fakt skema piramidale, por vetë administrimi shtetëror.

Le të supozojmë që një vend ngre rishtazi një skemë pensionesh publike dhe, duke ndjekur këshillat e eksperteve, vendos ta ngrejë një skemë investimesh. Që ditën tjetër do nisin presionet e vijuara të garës politike dhe opinionit publik që do tundojnë shpesh qeverinë të prekë fondin e investimeve, të risë kontributet përtej aftësisë së këtij fondi apo të ulë kontributet pa ulur dhe pensionet.  Shkurt, sistemet e investimeve i kanë ditët e numëruara, edhe aty ku vendosen. Është thjesht çështje kohe para se një sistem i tillë të nisë të krijojë një deficit të vogël, i cili me kalimin e kohës zgjerohet në atë masë sa nuk ia vlen më të hiqesh sikur sistemi funksion: e gjithë skema kalohet në sistemin “pay as you go”, i cili nga ana e vetë nis të ketë mangësi kontributesh e duhet të marrë fonde shtetërore për të mbuluar pensionet. Dhe gjatë gjithë këtij procesi, presionet e përditshme për rritjen e pensioneve dhe uljes së kontributeve nuk rreshtin kurrë. Në këtë pikë ndodhet skema shqiptare, e cila ndonëse është e tipit “pay as you go” ka nevojë për influkse të mëdha nga buxheti i shtetit për të paguar pensionet.

Nën këshillat e organeve si FMN-ja, qeveritë shqiptare janë përpjekur të ulin këto deficite duke bërë ndryshime të vogla por fort të kundërshtuara nga opinioni i gjerë si rritja e moshës së pensionit, nxitja e pensione private dhe ato të punëdhënësve, rritja e kontributeve, etj. E megjithë këto ndryshime, parashikohet që ISSh-ja jonë do mbetet përherë defiçitare e që këto deficite do vijnë në rritje. Më tej, edhe me këto deficite, sërish shumëkush ankohet që pensioni është tejet minimal e nuk mjafton për thuajse asgjë, ndërkohë që për një pjesë jo të vogël të shoqërisë shqiptare pensionet janë saktësisht zero, pasi jo kushdo ka paguar mjaftueshëm kontribute për të fituar qoftë dhe 5’000 lekë të reja në muaj. Duket pra, që Shqipëria e mjerë nuk ka rrugëdalje dhe është dënuar “ta shtyjë” me skemën e pensioneve sa të mundet. Apo jo?

Ja që, përkundrazi, me një sistem të vetëm mund të rregullohet problemi i plakjes së forcës së punës, deficitit të pensioneve dhe mos-mbulimit të në pjese të popullsisë. Më tej, ky sistem do jetë shumë i pëlqyeshëm për mendësinë e majtë të shqiptarëve por njëkohësisht shumë i mirëpritur për efektet pozitive ndaj biznesit. Dhe e gjitha kjo brenda realitetit buxhetor! Dhe sot nuk është as 1 Prilli!

Ç’na qenka pra ky sistem magjik?

(vijon pjesa e dytë)

6 thoughts on “Për një reformë reale të pensioneve (pjesa 1 nga 3)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s