Për një reformë reale arsimore (pjesa 1 nga 2)

Etjon Basha

Kur në një seri të mëparshme shkrimesh diskutova konceptin e Kompromisit të Madh që mund dhe duhet lidhur mes liberalizmit dhe etatizmit në Shqipëri, ceka shkurtimisht edhe fushat ku duhet të përqendrohet kjo marrëveshje. Nëse herën e shkuar pamë se si mund të reformojmë sistemin aktual të pensioneve në mënyrë që të jetë si efiçent në manaxhim ashtu dhe i pëlqyeshëm për shumësinë e madhe të qytetarëve shqiptarë, tash është çasti të shohim si mund të përmirësojmë në të njëjtën hulli sistemin arsimor në Shqipëri.

Aktualisht në Shqipëri çdokush është i detyruar të ndjekë arsimin 9-vjecar i cili ofrohet “falas” (kupto: financohet jo nga përdoruesit por nga taksapaguesit) në shkollat publike. Kundërshtia liberale ndaj një skeme të tillë, fatkeqësisht universale në botën e sotme, është e njohur. Së pari, si çdo detyrim tjetër i qytetarit nga ana e shtetit, edhe arsimi i detyruar është një thyerje e etikës liberale. Së dyti, kostoja e një skeme të tillë është e madhe, si në terma financiarë ashtu dhe në terma oportune (mendoni se sa më mirë do mund të ishin përdorur vitet e shpenzuara nëpër bankat e shkollave shtetërore ku pakgjë mbahet mend pas provimit të radhës). Së treti dhe më e rëndësishmja, arsimi i detyruar publik përdoret së paku pjesërisht si mjet propagande nga ana e shtetit, propagandë ndaj së cilës fëmijë të vegjël në moshë nuk kanë se si të mbrohen. Kështu, është fare e lehtë për shtetin të risë breza të tërë që do bëjnë shumë pak rezistencë ndaj rritjes së vijuar të pushtetit shtetëror në shoqëri.

Reforma e pastër liberale e arsimit 9-vjeçar do ishte e thjeshtë për tu marrë me mend, por qëllimi i këtij postimi është tjetër. Si mund të përmirësojmë sistemin aktual në drejtim të liberalizmit por pa cënuar me tepri ndjeshmëritë etatistë të shqiptarit mesatar?

Ashtu si  në rastin e sistemit të pensioneve, le të nisemi sërish nga mangësitë “popullore” të sistemit 9-vjeçar. Po të pyetet cilido prind që nuk i lejon dot vetes ti dërgojë fëmijët në shkolla private, mangësia madhore e sistemit publik do rezultojë gjithnjë i njëjti: cilësia skandaloze e shërbimit. Në rastin më të mirë, klasat janë të mbipopulluara, nxënësve nuk u kushtohet vëmendja e duhur, tolerohen rëndom sjellje agresive nga nxënës problematikë dhe cilësia e mësimit (dhe mësuesve) vjen vijimisht në rënie.

Në rastin më të keq dhe fatkeqësisht më të përhapur nëpër rrethe, nxënësit përballen me kushte skandaloze të klasave (ku rëndom mungon ngrohja dhe me raste dhe mbrojta nga elementët atmosferikë) dhe mësues që nuk kryejnë fare mësim dhe përdorin presionin e notës për të fryrë radhët e kurseve të tyre private. Më tej, klientelizmi në emërimin e personelit është tejet i përhapur, meqenëse për shumicën dërrmuese të shqiptarëve me një formim minimal karriera e mësuesit është tejet tërheqëse dhe relativisht komode.

Mësuesi mesatar
Mësuesi mesatar

Këto mangësi pranohen nga kushdo dhe trumbetohen fort gjatë fushatave zgjedhore nga cilado palë gjendet në opozitë. Përgjigja e shtetit për to është gjithnjë e njëjta: retorika jo-efektive dhe bajate, dhe premtimi i vijuar për rritjen e buxhetit të arsimit vit pas viti.

Por ka një mënyrë shumë më efektive për ti dhënë fund “në kohë rekord” këtyre mangësive dhe për ta hapur sistemin e arsimit të detyrueshëm ndaj presionit të konkurrencës, gjithnjë pa rënduar buxhetin (e shtetit si dhe të familjeve) si dhe pa hequr dorë nga “piketat” kryesore të mbarë sistemit. Më tej , ky sistem jo vetëm që është propozuar dekada më parë nga, mes të tjerëve, ekonomisti i madh Milton Friedman, por dhe është vënë në zbatim në vende si Suedia. Ky sistem çudibërës nuk është tjetër veçse sistemi i kuponëve arsimorë (voucher system).

Në kushtet e Shqipërisë, zbatimi më i lehtë do qe i mëposhtmi.

Së pari, Ministria e Arsimit do ndante financiarisht shkollat individuale 9-vjecare nga buxheti i shtetit. Çdo shkollë do duhet të krijojë një buxhet më vete, i cili në shumë tërësore do jetë i pandryshuar nga buxheti që përfiton sot nga Ministria. Mirëpo ky buxhet nuk do i derdhet shkollës nga Ministria, por do paguhet nga prindërit e nxënësve, veçse jo me para në dorë, por me një kupon të posaçëm të lëshuar falas dhe për çdo familje. Në një moment të dytë, cilado shkollë do mund të këmbente këto kuponë me para tek bankat e nivelit të dytë. Deri tani, thjesht kemi vendosur një hallë të ndërmjetme mes shkollës dhe Ministrisë: kuponët e prindërve.

Së dyti, pas pak vitesh të një skeme të tillë, secila shkollë 9-vjecare aktualisht publike do duhej privatizuar në çast. Ndonëse do ishte e pëlqyeshme që privatizimi në fjalë të qe real (pra shkola të dilte në ankand të hapur), kjo nuk do pranohej kurrë nga opinioni publik aktual i cili do ngrihej në protestë për ta ndalur privatizimin e arsimit. Kështu, “privatizimi” në fjalë nuk mund veçse të jetë sindikalizim, pra kalim i pronësisë së shkollës tek stafi i mësuese. Tashmë vetë mësuesit do të mund të emërojnë drejtorin, pranojnë staf të ri, caktojnë pagat e tyre si dhe çmimin që do u ngarkonin nxënësve apo kriteret e tjera të pranimit. Shkurt, vetë stafi mësimor do kryejë çdo funksion që kryhet nga Bordi i Drejtorëve apo Asambleja e Aksionareve në cilëndo shoqëri private.

Kushtet e sindikalizimit do qenë të tilla që të shkëpusin plotësisht shkollat individuale 9-vjeçare nga kontrolli shtetëror, por për pak (le të themi, pesë) vitet e para çmimi i vendosur për nxënësit nuk do mund të rritej me më shumë se 5% në vit. Kufizime të thjerra do mund të viheshin gjatë kësaj periudhe tranzitore, të tilla si ndalimi i pranimit të nxënësve jashtë zonës së ngushtë gjeografike (një masë në fuqi edhe sot për të shmangur mbipopullimin e pak shkollave disi më të mira dhe zbrazjen e shkollave më të këqija), ndalimi i fryrjes së stafit mësimor me më shumë se 10% në vit, ndalimi i shit-blerjes së aksioneve të shkollës tek palë të treta, etj. Pas përfundimit të edhe kësaj periudhe tranzitore, ish-shkollat publike 9-vjecare do çliroheshin përfundimisht nga tutela e Ministrisë së Arsimit, dhe mësuesit/pronarë do qenë tërësisht të lirë të menaxhonin pronën e tyre si ta shihnin më të arsyeshme, pa kurrfarë kufizimi.

Buxheti aktual i arsimit do duhet ndarë  jo më drejtpërdrejt tek këto shkolla por ti jepet falas si kupon arsimor çdo familjeje me fëmijë në moshë shkollimi. Vetë familja do qe plotësisht e lirë të “shpenzonte” këtë kupon te cilado shkollë 9-vejcare që do zgjidhte. Sigurisht që Ministria e Arsimit do rimbursonte vetëm ato shkolla të akredituara zyrtarisht prej saj, dhe kriteret e akreditimit do kishin të bënin në radhë të parë me përmbajtjen e programit arsimor. Kështu, frika e madhe e etatistëve tanë, që privatizimi i arsimit 9-vjecar do nënkuptonte fundin e kurrikulës publike, do shmangej.

Cilado shkollë do qe e lirë të vendoste vetëm çmimin e shërbimeve të saj, dhe nëse do rezultonte që për aksh shkollë çmimi do qe më i lartë nga shuma që i takon fëmijës nga buxheti, familja do ishte e lirë të paguante nga xhepi tepricën.

Me këtë reformë kemi bërë një kompromis të madh në fushën e arsimit të detyruar, duke privatizuar plotësisht çdo shkollë në Republikë e duke nxitur në maksimum konkurrencën mes tyre, por pa cënuar karakterin “publik” të mbarë sistemit, i cili mbetet i detyruar, falas dhe me kurrikul publike. Brënda këtyre kufizimeve, ky sistem do qe më efecienti qo do mund të ngrihej.

Do ishte e tepërt të zgajteshim me diskutime mbi sistemin publik të mesëm, profesional e të lartë, kështu që le të mjaftohemi duke thënë që edhe për këto institucione hapat do qenë parimisht të njëjtat dhe vetëm ndonjë detaj do duhej ndryshuar.

Në fund të kësaj reforme, Shqipëria do mbeste me një sistem arsimor plotësisht privat portë lidhur me Ministrinë e Arsimit me tri fije: financimi përmes kuponëve, akreditimi dhe njohja e Diplomave/Dëftesave të lëshuara si dhe provimet e Lirimit/Maturës që do organizoheshin në mënyrë qëndore nga vetë Ministria.

Mësuesi mesatar pas reformës sonë
Mësuesi mesatar pas reformës sonë

Mbetet të shohim se ç’të mira do i sillte Shqipërisë zbatimi i një sistemi të tillë.

(vijon pjesa 2)

2 thoughts on “Për një reformë reale arsimore (pjesa 1 nga 2)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s