Si do votoja në referendumin e së Dielës në Greqi

Etjon Basha 1 Qeveria e majtë greke nuk ka arritur dot një marrëveshje të kënaqshme (së paku për të) për mbi rifinancimin e një pjese të borxhit të vendit e kështu ka hedhur në referendum propozimin e partnerëve ndërkombëtarë mbi marrjen e një sërë masash shtrënguese në këmbim të rinegocimit të këstit të rradhës. Që në çastin e shpalljes gjithkush e kuptoi që realisht referendumi do jetë mbi qëndrimin apo jo të Greqisë në eurozonë, pasi në pamundësi për të arritur ndonjë marrëveshje me kreditorët, e vetmja rrugë e hapur për Grekët do jetë rikthimi i një monedhe vendase në qarkullim, monedhë e cila do mundet të prodhohet në ato sasi sa duhen për të shlyer borxhin. Sot për sot sondazhet janë të paqarta, me të dy mundësitë që dalin në krye të tjetrës nga çasti në çast. Sikur autori juaj i dashur të qe qytetar grek dhe sikur ta vriste mendjen ndonjë fije për fqinjët tanë të dashur jugorë, në referendum do votonte “jo”, pra pro daljes efektive të vendit nga eurozona.

Në ketë blog kemi shkruar shpesh kundër eksperimentit të euros (1, 2, 3), dhe dalja e cilitdo vendi prej këtij mekanizmi do jepte shenjën e parë të domosdoshme për vende të tjera që po vuajnë sot për shkak të zëvendësimit të pamenduar të monedhave të tyre me monedhën e përbashkët. Debati i madh që ka nisur që prej thellimit të madh të krizës në eurozonë në 2011-ën ka qenë se kush ka realisht faj për gjendjen e dobët ekonomike (së paku në krahasim me kohët “e arta” të para 2011-ës) të më shumë se gjysmës së kontinentit tonë: grekët, italianët e spanjollët që nuk dinë të punojnë e kanë jetuar për vite (në mos dekada) me borxh të cilin tashmë nuk e shlyejnë dot, apo vendet kreditore si Gjermania që me anë të euros ua kanë bërë të pamundur këtyre vendeve shlyerjes normale të borxhit?

Përgjigja është që “faji” i krizës në eurozonë është kryekëput i gjermanëve, pasi në mënyrën se si po manazhohet euroja sot është thuajse e pamundur për grekët, italianët e spanjollët që të shlyejnë borxhet e tyre, qofshin ato private apo publike. Po si e ndryshuam kështu qëndrimin tonë mbi këtë çështje, kur më parë kemi kritikuar europiano-jugorët për vështirësitë e tyre?

Ja që qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar fare, pasi ndonëse gjermanët sot po manazhojnë keq ofertën e Euros, qenë gjermanët vetë ata që nuk deshën ngritjen e monedhës së përbashkët. Për ta, Europa e “njëmijë valutave” qe më se e pranueshme dhe me një të ardhme të sigurt. Mirëpo qenë pikërisht europiano-jugorët ata që ngulën këmbë fort mbi pjesëmarrjen e Gjermanisë në monedhën e përbashkët, duke shkuar deri aty sa ta vendosnin këtë pjesëmarrje si kusht të panegociueshëm për bashkimin e dy Gjermanive. Me ç’duket, ideja e jugut qe që, e lidhur më një monedhë të vetme, fuqia ekonomike gjermane do rriste edhe mirëqenien e përgjithshme europiane, e ndofta dhe do ti mundësonte pjesës tjetër të kontinentit kreditimin me kushte favorizuese.

Cilatdo të kenë qenë arsyet e këmbënguljes miope të Europës për adoptimin e euros, fakti mbetet që asnjë prej këtyre shpresave nuk u vërtetuan gjatë në praktikë. Fakti është që Gjermania, së bashku me një sërë ekonomish të tjera rreth saj, kanë “evoluar” në mënyrë të suksesshme për të “thithur” valutë të huaj europiane përmes eksportit dhe fluksit të investimeve. Ky fluks hyrës nuk rreshti pas adoptimit të euros, por thjesht u kthye në influks monedhe “vendase” dhe jo “të huaj”. Shkurt, edhe brenda eurozonës, kahu i lëvizjes së parasë mbetet sërish nga “periferia” e kontinentit drejt “qendrës”. Kjo do të thotë që, nëse Banka Qendrore Europiane do kish qenë serioze në ruajten e objektivit të saj nominal, qëndrueshmërisë së çmimeve në mbarë eurozonën, çmimet në përgjithësi do ishin rritur në mënyrë të qëndrueshme, por në Gjermani do kishim parë inflacion të lartë ndërsa në Greqi inflacion të ulët, e ndofta dhe deflacion.Me ç’duket, Europa nuk e llogariti inatin thuajse gjenetik të gjermanëve ndaj inflacionit, dhe që BQE-ja do zgjidhte më mirë të ruante inflacion të qëndrueshëm brenda Gjermanisë, duke dënuar pjesën tjetër të kontinentit të vuajë nga deflacioni i madh.

Kështu, miliona planet për të ardhmen që individët, familjet, bizneset e shtetet Europianë kishin bërë duke u bazuar mbi një rritje të qëndrueshme të çmimeve u hodhën në erë kur pas 2011-ës u pa që vëllimi i qarkullimit të euros qe shumë më i ulët nga ç’pritej. Më tej, borxhi privat e publik që deri dje qe i përballueshëm për këto vende, brenda natës u kthye në të pashlyeshëm kur të ardhurat mbi të cilat kishin bërë hesapet grekët e Italianët nuk u vërtetuan në praktikë. Kur kjo i ndodh një biznesi, kemi të bëjmë me një falimentim të mirëpritur të një ndërmarrjeje jo-efiçente. Kur kjo i ndodh një milion bizneseve njëherazi, ka diçka që nuk shkon.Pra, në vend që të importonin mirëqenien gjermane apo kushtet e buta të kreditimit, europianët me anë të euros importuan inatin e skajshëm ndaj inflacionit dhe një Bankë Qëndrore që realisht e vret mendjen vetëm për gjysmën e territorit nën përgjegjësinë e saj.

Dikush mund të mendojë që një shpjegim si i mësipërmi i krizës së eurozonës anashkalon tërësisht mungesën e madhe të efiçensës të ekonomive Greke, Italiane, Spanjolle etj. Aspak! Është fakt që, sot për sot ekonomia gjermane është shumë më prodhimtare se ajo e shumë vendeve të tjera europiane (por jo, si mendohet shpesh, më prodhimtarja në kontinent) dhe që ekonomia Greke është shumë më pak efektive. Të penguar nga një milion ligje e rregullime të pa-arsyeshme, grekët kanë penguar me përdhunë zhvillimin e tyre maksimal ekonomik, duke ngritur barriera biznesi në çdo fushë të mundshme, e duke shkuar në kufi të qesharakes me shtetin e tyre të fryrë.  Ndonëse mund të mos jenë liberalët më të mëdhenj në botë, së paku Gjermanët e kanë të qartë (ose së paku e kishin deri dje) që ka një nivel të caktuar lirie ekonomike nën të cilën një vend i zhvilluar nuk duhet ti lejojë vetes të bierë.

Megjithatë, nuk mund të themi që duke qenë që ekonomia greke është shumë më pak efektive se ajo gjermane, është e drejtë që biznesi grek të shkatërrohet edhe më përmes tharjes së volumit të përgjithshëm monetar. Në të kundërt, mënyra e natyrshme dhe e drejtë e axhustimit të ndryshimeve të mëdha ekonomike mes vendeve është ndryshimi i kursit të këmbimit, siç ndodhte në Europë para adoptimit të Euros. Marka gjermane rritej në vijimësi, ndërsa Dhramia apo Lireta binin në vijimësi (ose thuajse në vijimësi). Shumë ekonomistë (si, për shembull, miku i vjetër i Qytetarit të Angazhuar dhe Mikroborgjezit, Mencius Moldbug-u) kanë vënë në dukje që monedha kombëtare e një vendi është fare e ngjashme me aksionet e një shoqërie private: kështu, aksionet/valuta e shoqërive jo aq të suksesshme  bien gradualisht në tregun e lirë përkundër aksioneve/valutës së shoqërive më të suksesshme.Në këto kushte, vëllimi tërësor i valutës në qarkullim ne Greqi nuk ka përse të bjerë, pasi mbi këtë vëllim janë bërë një milion plane nga grekët. Përkundër, vlera reale e mallrave dhe shërbimeve që mund të blihen me këtë vëllim formalisht të qëndrueshëm paraje do vijë në rënie graduale.

Ndofta ndonjë liberal naiv në Frankfurt ka menduar që të vënë nën urgjencën e madhe të tharjes së vëllimit të parasë, grekët dhe italianët do pranonin  të kryenin në pak vite reforma të mëdha liberale të tilla që nuk ishin kryer në dekada. Ndofta mendohej që euroja do e kthente Greqinë ne Hong Kongun e Europës dhe Italinë në Singaporin  e Mesdheut.

Singapori i vërtetë i Mesdheut
Singapori i vërtetë i Mesdheut

Ja që këto “plane” u vërtetuar me saktësinë e të kundërtës: të vënë para panikut të madh të shkërmoqjes së ekonomisë së tyre, europianët jugorë po kërkojnë çdo ditë e më shumë rritjen e madhe të ndërhyrjes së shtetit në ekonomi. Grekët ndihen në tradhtuar nga tregu kur shohin se si bizneset e tyre falimentojnë pa arsye brenda natës dhe se si borxhi kthehet në përbindësh të papërballueshëm sot për nesër. Italinët humbasin besimin tek “dora e padukshme” kur shohin që rajoni i Lombardisë humbet fare arbitrarisht pozitën e tij kryesues në prodhimin europian, pavarësisht dekadave të përpjekjeve e kursimeve të miliona qytetarëve që vetëm deri dje dukeshin se po funksionin, ndërkohë që çuditërisht Ruhri apo Bavaria vijojnë të sigurta në pozitat e tyre dominuese. Është e qartë që edhe një goditje tjetër monetare e ndan Greqinë nga socializmi i pastër. Italia nuk mund të jetë shumë pas.

Këtë herë të paktën grekët  do i mundin
Këtë herë të paktën grekët do i mundin…

Kështu, liberalët naivë në Frankfurt duhet ta kuptojnë që vetëm rënia graduale  e vlerës së monedhës vendase dhe rëndimi gradual i borxhit të jashtëm mund ti nxisin vendet drejt marrjes së masave liberale, në masën që kjo lejohet nga mendësitë e tyre përkatëse. Nëse sistemi monetar nuk është i qëndrueshëm, besimi në treg zhduket po aq shpejt sa  liberalizmi nga mendja e njerëzve. Kështu pra, mund te thuhet që euroja qe një eksperiment i dështuar i cili iu imponua me përdhunë gjermanëve por rezultoi fatal për këdo përveç tyre.

Nëse kriza në jugun europian nuk është edhe  më e rendë, kjo vjen thjesht falë fatit të madh të moszbatimit të plotë të projektit europian me hyrjen ne eurozonë të vendeve Skandinave dhe Britanisë, të cilët janë edhe me efiçentë se Gjermanët e Hollandezët kur vjen çështja tek thithja e flukseve të valutës.

Është çasti që të pranohet kotësia e këtij eksperimenti, e të nisë “çlirimi monetar” i vendeve që kanë vuajtur pa shkak në diktatin e Frankfurtit. Le të mbeten të lirë grekët, italianët, spanjollët, portugezët e  irlandezët (më së paku) të prodhojnë më pak për orë pune së gjermanët a austriakët. Lë të bie gradualisht vlera reale e monedhave të tyre, e le të shtyhen po gradualisht drejt rrugës së liberalizmit.

Për këto arsye, nëse do e kish unë në dorë, në referendumin e së Dielës do votoja “jo”.

...apo jo?
…apo jo?

2 thoughts on “Si do votoja në referendumin e së Dielës në Greqi

  1. Greqia eshte ne pozite teper te keqe, pa marre parasysh se a arrihet marreveshja apo jo. Nese ka marreveshje, atehere bankat greke do te kene likuiditet si dhe qeveria do ta ripertrij borxhin duke marre borxh te ri, mirepo problemet strukturore te cilat e kane shkaktuar krizen ne radhe te pare (mendesia socialiste si dhe EMS-ja) do te mbesin prezente.

    Nese nuk ka marreveshje, Greqia nuk e paguan borxhin, bankat nuk mund t’i permbushin obligimet ndaj depozitoreve, ri-instalohet dhrahmia, monetizohen borxhet, paraqitet inflacioni shumeshifror, i cili se bashku me pasigurine e fillojne nje periudhe te re te aktivitetit te ulet ekonomik, varferise, dhe krizes sociale, pas se cilave SYRIZA i humbe zgjedhjet e ardhshme apo te parakohshme. Qeveria e re e pranon nje marreveshje edhe me te ashper se sa ajo qe po i ofrohet Greqise sot.

  2. Do isha pak më optimist mbi perspektivën e Greqisë në rast daljeje nga Eurozona, ndonëse me zhvillimet e fundit duket që as qeveria Greke nuk e do këtë dhe dalja apo jo do mbetet në dorë të Gjermanëve.

    Por nëse supozojmë që vendi do dalë nga Eurozona, edhe unë pres një zhvlerësim të Dhramisë dhe inflacion relativisht të lartë (po jo hiperinflacion) për pak vite, një farë rimëkëbjeje dhe një ecuri të vijueshme me inflacion mbi 5% por nën 10% dhe rritje rreth 4-5%.

    Sigurisht që grekët do përfitonin nga kjo rimëkëbje jo për të reformuar sektorin e tyre të stërmadh publik, por për ta fryrë atë edhe më, dhe bie dakort që brënda dekadës do gjendes sërish në siklete ekonomike.

    Por kjo krizë e dytë do jetë graduale dhe e dukshme vite më parë, duek i dhëne mundësi grekëve të marrin masa (lexo: largim të tyrin dhe të kapitaleve të tyre nga vendi).

    Shkurt, dalja nuk do i kthejë grekët në liberalë, por do u dhurojë krizën që meriotjnë: graduale dhe në përputhje me mendësinë e tyre.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s