Kundër kulturës së korrupsionit

Të drejtat autoriale i mbanë Gazeta Jeta në Kosovë

Përhapja e gjerë dhe rezistenca e vazhdueshme e korrupsionit në Kosovë gjatë 15 viteve të fundit ka krijuar idenë pesimiste që ai nuk mund të ndalet. Një pjesë e këtij defetizmi është e kuptueshme: korrupsioni është kulturë dhe kulturat ndryshojnë ngadalë.

Mirëpo kulturat megjithatë ndryshojnë. Kapaciteti i institucioneve të mira për ta çrrënjosur korrupsionin është dëshmuar përgjatë historisë, me theks të veçantë në Singapor, i cili në vitet e 60-ta ishte i kriminalizuar si Kosova.

Por për të ndryshuar kultura, duhet të ndryshojnë së pari institucionet. Në Kosovë, termi “institucione” shpesh, por gabimisht, kuptohet vetëm si tërësia e aparateve shtetërore. Institucionet në fakt janë së pari paradigma, forma të mendimit dhe qasjes ndaj problemeve. E institucionet në këtë kuptim duhet të ndryshojnë në dy rrafshe.

Në rrafshin e parë duhet të zvogëlohet madhësia e qeverisë. Korrupsioni është funksion i kësaj madhësie: sa më e madhe që është qeveria, aq më i mundur është korrupsioni.

Qeveritë e mëdha janë burokratike. Punësimi në to devijon në dhënie të favoreve nepotiste në dëm të meritokracisë. Ato gllabërojnë resurse (para, mjete të prodhimit, lëndë të parë, e fuqi punëtore) të cilat mund të përdoren racionalisht në linja tjera të prodhimit. Meqë qeveria varet nga taksapaguesit për këto resurse, gllabërimi i tyre i lë taksapaguesit me më pak pasuri.

Një qeveri e madhe gjithashtu i merr vendimet nga qytetarët dhe ua vë në duar politikanëve. Kur kanë më shumë fuqi, politikanët kanë më shumë mundësi dhe nxitje për ta keqpërdorur atë për përfitim personal. Një shembull i kësaj janë licencat e monopolit të cilat jepen me favorizim, kur në fakt tregu duhet të jetë i hapur.

Për ta luftuar korrupsionin, prandaj, Kosovës i duhet një reformë e thellë administrative që e zvogëlon madhësinë e qeverisë. Duhet një qeveri e mençur, jo e “trashë”, që të ketë më shumë resurse për t’ia dedikuar mbikëqyrjes dhe ndëshkimit të korrupsionit.

Në rrafshin e dytë, duhet të zmadhohet hendeku në mes sjelljes ligjore dhe përfshirjes në korrupsion. Për momentin ky hendek është shumë i vogël sepse shpërblimi për sjellje ligjore është i vogël.  Ata që e respektojnë ligjin nuk kanë ndonjë përfitim të madh sepse nuk paguhen mirë.

Në anën tjetër, as përfshirja në korrupsion nuk bartë ndonjë rrezik të madh të kapjes apo ndëshkimit. Në këto rrethana, njerëzit korruptohen sepse kanë shumë pak për të humbur. Puna në qeveri fillon t’i ngjajë kulturës sovjetike; “ne shtireshim sikur po punojmë kurse ata shtireshin sikur po na paguajnë”.

Krahasojeni këtë me një rast tjetër ku zyrtarët qeveritar paguhen mirë, por edhe mbikëqyren rreptësishtë dhe ndëshkohen rëndë në rast të përfshirjes në korrupsion. Në këtë rast, hendeku në mes të mirës dhe së keqes bëhet shumë i madh, prandaj korruptimi i zyrtarëve qeveritar dekurajohet sepse ata rrezikojnë të humbin shumë.

Pagesa e mirë i bën inspektorët dhe mbikëqyrësit tjerë në qeveri më të motivuar për ta kryer punën e tyre.

Ajo i përmirëson kuadrot sepse i tërheqë profesionistët nga sektori privat. Rritja e pagave bëhet e mundur pikërisht për shkak të zvogëlimit të qeverisë dhe reduktimit të shpenzimeve të panevojshme.

Disa frikohen se luftimi i korrupsionit është i vështirë, apo edhe i pamundur, për shkak të përhapjes së madhe të tij. Në fakt kjo nuk përbën rrezik për reformat institucionale. Numrat nuk janë me rendësi, siç ka thënë strategu ushtarak Sun Tzu, e tëra është çështje e organizimit.

Përderisa qasja të jetë piramidale (apo hierarkike), nuk ka rëndësi se sa individë duhet të monitorohen. Kryeministrit, si personi me fuqinë më të madhe ekzekutive, i duhet vetëm ti monitoroj ministrat e tij, të cilët i monitorojnë zëvendësit dhe shefat e departamenteve, të cilët i monitorojnë punëtorët e tyre.

Çdo kush e ka një shef dhe në çdo shkallë të piramidës ekziston përgjegjësia ndaj shefit. Kryeministrit nuk ka nevojë t’i interesoj puna e disa zyrtarëve në një ministri; mjafton që ai ta mbajë ministrin (shefin e tyre) përgjegjës për ato që ndodhin aty dhe pastaj shefi do ta ketë nxitjen për të vepruar tek subjektet e tij.

Në maje të piramidës qëndron populli, së paku sipas teorisë së demokracisë, ndaj të cilit duhet të japë llogari kryeministri.

Kultura e korrupsionit mundet dhe duhet të ndryshoj, por një gjë e tillë kërkon së pari ndryshime institucionale. Për këto ndryshime kërkohet vullnet në nivelin më të lartë politik. Kurse për vullnet politik kërkohet një popull syçelë që ia imponon politikës dëshirën për ta kthyer shpresën.

One thought on “Kundër kulturës së korrupsionit

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s