Parkimi me pagesë: domosdoshmëri ekonomike apo skemë zhvatëse?

1

Miratimi nga ana e Bashkisë së Tiranës i një skeme të gjerë parkimi me pagesë në shumicën e rrugëve të qytetit ka ndezur një pakënaqësi të madhe mes qytetarëve (përfshirë këtu dhe autorin tuaj të dashur), të cilët janë tmerruar nga llogaritë e para që kanë bërë me çmimet e afishuara.

Ndonëse kjo skemë është diskutuar në detaje e ka qenë fare pranë miratimit edhe pak muaj më parë, ajo u la mënjanë në çast të fudnit nga kryetari i shkuar i Bashkisë dhe vetëm tani po ringjallet me pak ndryshime.

Ç’mund të themi mbi domosdoshmërinë e kësaj skeme?

Le të nisemi nga parimet bazë të ekonomisë.

Është e qartë për këdo që ka qarkulluar me makinë në Tiranë që në kryeqytet ka shumë më tepër kërkesë sesa ofertë për vende parkimi me çmimin e deritanishëm të parkimit (zero Lek). Dhe si në çdo rast tjetër ku kemi tepricë kërkese dhe mekanizmi i çmimit nuk vepron, gjenden metoda jo-monetare për të alokuar vendet e rralla të parkimit.

2
“Metodat jo-monetare”

Kështu, kur vjen fjala tek parkimi, kryeqytetasit e shqiptarët në përgjithësi gjenden në një version të zbutur të radhës së famshme të qumështit: kush vjen i pari zë vendin dhe e ruan për aq sa dëshiron. Nëse dikujt i lipset të qarkullojë gjatë orareve të zakonshme të punës mund ti duhen dhjetëra minuta qarkullim për të gjetur ndonjë vend parkimi që sa po lirohet dhe me shumë gjasa do zihet brenda pak çastesh. Sa më afër qendrës të jemi, aq më shumë vështirësohet mbarë kjo sipërmarrje.

Teprica e kërkesës arrin në ato përmasa sa që persona tërësisht të rastit kanë nisur prej vitesh të “zënë” vende publike parkimi duke kërkuar një tarifë orare për këdo që parkon aty, pavarësisht se këta zotërinj nuk anë asnjë të drejtë pronësore mbi copën e rrugës që manaxhojnë. Deri kohët e fundit, kjo sjellje tolerohej gjerësisht.

Është e qartë që Tiranës i duhet me patjetër një mënyrë racionale për të alokuar vendet e rralla të parkimit, dhe sistemi i çmimit është sistemi më racional që njohim. Logjika e Bashkisë është e hekurt deri në këtë pikë.

Madje më tej, një ndër arsyet se përse sektori privat nuk i është përgjigjur aq sa mund të pritej deri më sot mungesës së madhe të parkimit është pikërisht ofrimi me çmim zero të parkimit nga ana e Bashkisë. Nëse nesër, edhe për të parkuar nëpër rrugët e Tiranës do të na duhet të paguajmë diçka, është e pritshme që shumëkush do interesohet për të kërkuar parkime private me pagesë, qofshin këto objekte të ndërtuara posaçërisht, qofshin pjesë të integruara të objekteve tregtare e të banimit. Pra, hyrja e parkimit publik në treg do risjellë konkurrencën edhe në tregun e parkimit.

Ata që ankohen që me vendosjen e parkim me pagesë rriten brenda natës kostot e mbajtjes së një automjeti duhet të kuptojnë që ajo që do ndodhë do jetë thjesht konvertimi i kostos që deri sot paguhet në kohë të humbur, largësi në parkim dhe pasiguri të gjetjes së një vendi me kosto të thjeshtë monetare. Tirana është një qytet jashtëzakonisht i dendur, edhe pas standardeve botërore, dhe kjo dendësi sigurisht që krijon kosto për të gjithë. Parkimi me pagesë është thjesht një ndër mekanizmat që do formalizojnë e monetarizojë këto kosto.

Dhe le kthejmë përgjigje një sërë kundërshtish të llojit “ne paguajmë gjithë ato taksa, bashkiake dhe qendrore, për mirëmbajtjen e rrugëve. Më duan këta?” Tarifa e parkimit nuk “justifikohet” me nevojën për të mirëmbajtur rrugët (ndonëse fondet edhe do mund të përdoren për këtë qëllim), por me faktin e thjeshtë ekonomik të tepricës së kërkesës mbi ofertën për vende parkimi. Duke qenë se këto taksa të tjera, të tilla si ajo mbi qarkullimin apo mbi karburantin nuk mjaftojnë për të ulur qarkullimin në atë masë sa parkimi në Tiranë të jetë i bollshëm, fakti është që duhet dhe një farë tarifimi shtesë për të alokuar këto vende në mënyrë racionale.

Mirëpo do të tregoheshim naivë nëse do ta mbyllnim me kaq diskutimin e do ia faturonim pakënaqësinë e madhe qytetare thjesht mendësisë etatiste të shqiptarëve.

Bashkia nuk na ka bërë thjesht me dije që së shpejti do na duhet të paguajmë për parkim, por na ka vënë në dispozicion edhe një skaletë çmimesh (si dhe një sërë lehtësimesh). Janë pikërisht këto çmime që kanë shkaktuar reagim të madh pasi janë dukshëm dhe qartazi të pa-arsyeshme e jashtëzakonisht të larta, ndonëse kompensohen disi nga lehtësimet e tjera, si pagesa zero për parkim brenda zonës së rezidencës.

Tani le ti kthehemi teorisë ekonomike: mirë që u dashka me patjetër alokimi monetar për problemin e parkimit në Tiranë, por si mund ta dimë se çfarë çmimesh duhet të vendosim?

Ky problem është shumë më i ndërlikuar nga ç’duket, pasi përgjigjet e zakonshme bajate të llojit “edhe ne si qytetet e tjera në botë” dhe “le ta vendosin ekspertët” nuk pinë më ujë as për shqiptarin mesatar. Janë pikërisht krahasimi me qytetet e tjera dhe opinioni i ekspertëve të nderuar ato që na dhanë një skaletë të tillë çmimesh.

Pra, tani që ndofta shumëkush e ka mendjen pak “më të hapur” për diskutime ekonomike, le të shohim se ku ka dështuar Bashkia dhe se përse modeli i zgjedhur prej saj do ishte e destinuar të prodhonte me domosdo çmime tepër të larta.

Së pari, le të diskutojmë sa i arsyeshëm është tarifimi zero për parkimin e rezidentëve. Në pamje të parë kjo duket një masë më se e arsyeshme: përse duhet të paguaj pronari i shtëpisë për të parkuar para shtëpisë së tij? A nuk ka paguar mjaftë me blerjen e apartamentit? A mund të trajtohet ai njësoj si ndonjë kalimtar i rastit nga një qytet tjetër që rastis të parkojë aty sot për sot?

Ja që mund dhe duhet të trajtohet njësoj! Nëse dikujt (si, për shembull, autorit tuaj) i duhet të parkojë në rrugën publike para shtëpisë së tij, ai nuk paska paguar për parkim privat. Sa kohë që detyrohet të kërkojë parkim tek prona e tjetrit (“tjetri” këtu është Bashkia) atij i duhet ta paguajë si të gjithë të tjerët, pavarësisht se sa “afër” qenka prona e tij me vendin e parkimit. Përse vallë duhet të penalizohen ata që kanë blerë privatisht një vend parkimi (i cili shkon mjaft shtrenjtë në tregun e sotëm), qoftë si vend tek e qoftë duke kërkuar posaçërisht apartamente në objekte me parkim të përkushtuar? Përse duhet që këta persona (që u treguan largpamës) të paguajnë për parkimin e tyre ndërsa në të tjerët ta përfitojmë falas nga Bashkia?

Ja pra, duhet të tregohemi fare të qartë kur flasim për fillimin dhe fundin e së drejtës pronësore të dikujt. Shtëpia ime është prona ime, ndërsa çdo mjedis tjetër është pronë e tjetërkujt, pavarësisht sa “afër” mund të jetë shtëpisë. Fundja, askush nuk pretendon zbritje nga furra e bukës apo strip klubi i lagjes thjesht sepse jeton afër tyre (apo jo?). Parkimi publik nuk ka përse trajtohet ndryshe.

Përtej këtij objeksioni bazik, përjashtimi i tarifës për rezidentët do krijojë dhe shumë probleme në rrafsh më praktik. Së pari, çdo nxitje që mund të krijohej nga skema për të projektuar objekte banimi ime parkim të nëndheshëm do zhduket duke qenë se këtë shërbim sërish do na e oforuaka Bashkia falas. Kështu, problemi i parkimi do rëndohet, duke ulur ofertën e vendeve të reja. Së dyti, le të përsërisim që Tirana është qytet mjaft i dendur, dhe që edhe vetëm automjetet e rezidentëve janë ende të tepërta në raport me vendet e parkimit. Kështu, nëpër lagjet tona sërish do kemi problemin e sjelljes rrotull me minuta të tëra për të “kapur” të parët një vend parkimi. Së treti, në kushtet praktike të Shqipërisë, lëshimi i vërtetimeve të rezidencës do krijojë nxitje të mëdha për korrupsion, duke pasur parasysh se ç’shumë të madhe parash do kursejë një vërtetim i tillë. Së fundmi, duke përjashtuar shumicën dërmuese të vendeve të parkimit nga kjo skemë, Bashkia mendon se mund dhe duhet të risë shumë çmimet e pjesës së mbetur të parkimeve. Nëse duam një tarifim racional të parkimit në Tiranë, duhet të kuptojmë që përjashtimi i rezidentëve veçse do rrisë çmimin eksponencialisht për të tjerët.

Po mirë pra, le të themi që e bindëm Bashkinë për të hequr dorë nga përjashtimi i rezidentëve. Si mund të zbulojmë tarifën optimale për të ofruar vendin e parkimit?

Bashkia e Tiranës ndodhet sot në kushtet e monopolistit praktik të parkimit në Tiranë. Parkimet publike (kryesisht ato anës rrugëve tona) përbëjnë një pjesë të stërmadhe të gjithë “stokut” të vendeve të parkimit në qytet, dhe janë të gjithë në pronësi të një njësie të vetme, pra Bashkisë. Çdo student ekonomie do mund të na parashikonte që në kushte monopoli, ofruesi do e gjejë të arsyeshme të ofrojë më pak vende nga çka në dispozicion me çmime të larta. Kështu, po të interesohej thjesht për maksimzimin e fitimit, Bashkia do vendoste të tilla çmime që do linin një pjesë të vendeve të parkimit vazhdimisht bosh!

3

Në kushtet kur bashkia është një korporatë publike (por edhe për arsye të tjera më të thella që nuk mund ti hetojmë këtu), asaj nuk duhet ti interesojë maksimizimi sipërfaqësor i fitimit, por aplikimi i një skeme të tillë çmimesh që, në kushte ideale, do barazonte përsosmërisht ofertën me kërkesën. Pra, ajo që synohet është një skaletë e tillë tarifash që të lejojë gjithnjë në numër të vogël (të vogël!) vendesh të lira kudo.

Mund të propozohen dy metoda praktike për t’iu afruar këtij ideali.

Së pari, Bashkia mund të nxjerrë në ankand të drejtën për të manaxhuar të ardhurat nga parkimi në një zonë të caktuar. Mirëpo, ndryshe nga një ankand i zakonshëm , fituesi nuk do shpallej në bazë të ofertës më të lartë, por në bazë të tarifës më ulët për qytetarët. Në fakt, asnjë ofertues nuk do duhej të afishonte çmim blerjeje: Bashkia le të përftonte një përqindje të paracaktuar të të ardhurave të konçesionarit.

Një skemë e tillë do e nxiste manaxhuesin e parkimit të ofronte tarifa më të ulëta se ato që maksimizojnë fitimin. Në fakt, nxitja do jetë për të ofruar një tarifë jo më të lartë se ajo që mbush të gjitha vendet e parkimit, pra idealit tonë. Problemi i kësaj skeme do qe që, në përpjekje për të fituar sado pak të ardhura, mund edhe të krijohej nxitja për të ofruar tarifa tepër të ulëta, që sërish do krijonin tepricë kërkese ndaj ofertës, ndonëse ky problem do qe më i butë në krahasim me situatën e sotme.

Tjetër problem i kësaj skeme do qe vështirësia e gjykimit të tarifës më të ulët: asgjë nuk do e ndalonte ofertuesit të mos paraqiste një tarifë të vetme, por një skaletë tarifash në bazë të kohës së qëndrimit. Nëse disa nga këto tarifa janë më të ulëta e disa më të larta mes dy ofertuesve, si do mund të vendosim se cila është realisht oferta më e ulët (pa krijuar shumë hapësira për favoritizëm)?

Një skemë alternative sërish do parashikonte dhënien me koncesion me ankand të hapur (këtë herë sipas skemës së zakonshme, ku fituese do qe oferta më e lartë). Mirëpo, për të shmangur nxitjen për të vendosur tarifa të larta monopolisitke, kontrata do qe e tillë që vetë shoqëria do i paguante Bashkisë të njëjtën tarifë që vetë i ngarkon automjeteve për çdo orë që një vend parkimi mbetet bosh. Ideja është që të krijohet nxitja financiare për të vendosur tarifa të tilla që të mbushin gjatë gjithë kohës të gjithë vendet, ku më pak e ku më shumë. Problemet e kësaj skeme do qenë ndërlikimi në operim, dhe nxitjet që skema do krijonte për korrupsion në marrëdhënien mes Bashkisë dhe shoqërisë koncesionare.

Të dy këto skema do kishin vështirësitë e tyre. Një zbatim i matur pra do kërkonte testimin e të dyjave në dy sektorë të ndryshëm për një kohë të shkurtër, le të themi 18 mujore. Duke gjykuar mbi bazë të rezultateve pas këtij afati, skema fituese do mund të shtrihej për një afat më të gjatë në mbarë qytetin.

Si përfundim, mund të themi që tarifimi i parkimit publik në qytetet tona është domosdoshmëri ekonomike që do sjellë një shpërndarje më të drejtë të kostos së qarkullimit tek ata që e krijojnë si dhe do sjellë nxitjet e duhura nëpër familje dhe shoqëri private për të optimizuar kërkesën (përmes uljes që qarkullimit) dhe ofertës (përmes rritjes së parkimeve private) për parkim. Duhet pasur kujdes ama që të mos krijohet një skemë e tillë që nuk trajton gjithë qytetarët njësoj, zbatohet jo vazhdimisht por me hope dhe “aksione” dhe ngarkon çmime tejet të larta për qëllimin e saj.

Gjasat janë që skema reale e Bashkisë së Tiranës do bie në të tri këto gabime. Në këto kushte nuk mund të themi apriori nëse ajo do jetë përmirësim apo jo në krahasim me “tarifimin” aktual zero.

2 thoughts on “Parkimi me pagesë: domosdoshmëri ekonomike apo skemë zhvatëse?

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s