Rasti i Tajvanit: Pse mirëqenia nuk varet nga njohjet

Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka qenë thuajse e tërbuar pas konsolidimit të shtetësisë me njohje ndërkombëtare. Nuk është çudi që “politika e jashtme” është tkurrur gati në funksionin e vetëm të shtimit të kësaj liste. Edhe marrëveshja e mirëpritur e MSA-së u kritikua për faktin që BE-ja nuk e gjykon statusin e shtetësisë së Kosovës.

Njohjet janë shumë të rëndësishme dhe të mirëseardhura dhe sa më shumë aq më mirë. Por në Kosovë kjo është shndërruar në obsesion i cili e ka larguar vëmendjen prej asaj që është edhe më e rëndësishme: vet mirëqenia e qytetarëve të Kosovës.

Konsiderojeni rastin e Tajvanit. Tajvani është një shtet ishullor që gjendet rreth 180 km larg Kinës. Ai dikur ka qenë pjesë e Kinës por pasi Komunistët fituan luftën civile kundër Nacionalistëve në vitin 1949, këta të fundit u tërhoqën në ishull dhe krijuan shtetin e tyre. Të dy vendet vazhdojnë të pretendojnë që e përfaqësojnë një Kinë unike por de fakto veprojnë si të ndara. Kina e ka kërcënuar Tajvanin ushtarakisht në rast se e shpallë pavarësinë formalisht apo nëse përfundimisht e kundërshton bashkimin paqësor të dy vendeve.

Për shkak të ndikimit të madh ushtarak dhe politik të Kinës në botë, Tajvani nuk ka arritur të mbledhë më shumë se 21 njohje ndërkombëtare. Për më tepër, të gjitha njohjet kanë ardhur nga vende të vogla apo me ndikim të vogël, kryesisht nga Oqeania dhe Karaibet. Tajvani ka qenë ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën por ne nuk e kemi kthyer favorin.

Megjithatë, përkundër faktit që njohja ndërkombëtare e shtetësisë së Tajvanit është shumë më e dobët se ajo e Kosovës në aspektin sasior dhe cilësor (Kosova ka 112 njohje dhe ndër to vende me shumë ndikim), Tajvani është pakrahasimisht më i zhvilluar se Kosova në të gjitha fushat.

Tajvani është demokraci me sundim të fortë të ligjit dhe nivel tepër të ulët të korrupsionit. Është ekonomia e 21-të më e madhe në botë (pjesë e Katër Tigrave Aziatikë) dhe shquhet për industrinë tepër të avancuar teknologjike dhe elektronike. Ai renditet lart në liritë e shtypit, në sistemin shëndetësor, edukimin publik, liritë ekonomike si dhe zhvillimin njerëzor.

Ta krahasojmë relativisht me Kosovën, gjithashtu. Kosova ka të ardhura për kokë banori $8,000 në vit kurse Tajvani $45,900. Përderisa në Kosovë 30 përqind e popullsisë jetojnë në varfëri, në Tajvan kjo shifër është vetëm 1.5 përqind. Kursimet e përgjithshme kombëtare, të cilat përbëjnë bazën kapitale për zhvillim ekonomik, janë 35.2 përqind në Tajvan kurse vetëm 12.5 përqind në Kosovë. Papunësia 30.9 përqind me 4 përqind—e dini për kënd.

Për më tepër, Tajvani e ka kundërshtar politik Kinën kurse Kosova e ka Serbinë. Kina—vendi i dytë më i fortë ushtarakisht dhe ekonomikisht në botë, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit në OKB, një superfuqi politike dhe ushtarake, do apo nuk do ShBA-ja ta pranojë. Tajvani vështirë të mbijetojë e lëre më të zhvillohet kaq shumë, kurse Kosovën e saboton dhe shantazhon një Serbi edhe në çështjet më të imëta.

Pra rasti i Tajvanit e ilustron qartë që njohjet, edhe pse të rëndësishme, nuk janë parakusht fare për mirëqenie. Në fakt, Tajvani e ka ndërtuar më shumë shtetësinë e tij nga mirëqenia se sa mirëqenien nga shtetësia. Si vend i zhvilluar, ai është bërë atraktiv për vendet tjera që ato të vendosin marrëdhënie diplomatike me të sepse çdo kush dëshiron ta ketë mik një Tajvan e jo një Kosovë. Falë mirëqenies, edhe pse nuk e kanë njohur shumë vende, tajvanezët e kanë fituar besimin të lëvizin pa viza në 153 vende të botës duke përfshirë edhe Evropën. Ata kanë lidhje tregtare me pothuajse çdo vend kurse këmbejnë mallra në vlerë miliarda.

Tek ne deri tani ka dominuar paradigma e kundërt, që ne duhet të presim deri në njohjen e fundit nga një ishull diku në Oqean në mënyrë që të kemi mirëqenie. Që pa shtetësi të konsoliduar ndërkombëtarisht nuk mund të zhvillohemi; që një njohje më shumë bën dallim të madh në jetën e qytetarit të rëndomtë.

Para shpalljes së pavarësisë qeveritë e arsyetonin perfomancen e dobët ekonomike me mungesën e kompetencave. Pasi sot kjo nuk bën më punë, fajin ia hedhin njohjeve, të cilat ose trumbetohen si super-arritje ose fajësohen si pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit. Nonsens, natyrisht.

Mirëqenia është diçka e brendshme. Luftën kundër korrupsionit nuk mund ta ndalin asnjëri nga vendet që nuk na kanë njohur. Nuk mund ta ndalin as sundimin e ligjit; mbrojtjen e pronës private; zbatimin e kontratave; thjeshtësimin, eliminimin dhe uljen e tatimeve; zvogëlimin e burokracisë dhe keqmenaxhimit të parasë publike; promovimin e investimeve të huaja, ngritjen në Raportin e të Bërit Biznes të Bankës Botërore, etj. Të gjitha këto janë të nevojshme për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie, dhe të gjitha mund të bëhen me 112 apo 21 njohje ndërkombëtare.

3 thoughts on “Rasti i Tajvanit: Pse mirëqenia nuk varet nga njohjet

  1. Si gjithnjë analizë e shkëlqyer.

    Megjithatë, për tu bërë pak avokat i djallit, edhe mund të argumentohet që ShBA-ja ndikoi fuqimisht në formësimin e brëndshëm të Taivanit bashkëkohor, me ç’nënkuptoj edhe orientimin e fortë pro-treg (me tipare korporatiste, po nejse), në kuadër të krijimit të barierës kundër komunizmit në lindje. Është disi e dyshimtë nëse veçse me “forcat e veta” Taivanezët (apo Koreanët, apo Japonezët, apo ndofta Gjermanët) do kishin ngritur një sistem të tillë.

    Ndërkohë që përfshirja Amerikane në Dardani është shumë më e zbehtë dhe herë-herë ngjan sikur fraksioni anti-pavarësi mbizotëron në Uashington.

    Sigurisht që ky nuk është aspak argument për të na shtyrë në përtaci, e të presim “ndikimin” amerikan që ti kthejë Shqiptarët në Zviceranë, apo të justifikojë dështimet tona me ndihmën e vakët të të tjerëve. Fundja, nuk na e ka njeri borxh.

  2. Faleminderit, Etjon.

    Argumenti im ishte qe njohjet e Kosoves si shtet nuk e percaktojne karakterin shteteror te saj. Por ne kete piken tjeter ke plotesisht te drejte. Amerikanet e kane nxitur kapitalizmin ne Tajvan pikerisht per ta permbajtur Kinen dhe komunizmin ne pergjithesi. Ne fakt Kuomintangu, partia nacionaliste kineze e cila e humbi luften civile kunder komunisteve dhe e themeloi tajvanin, ka qene po aq, ne mos me shume, etatiste sa Partia Komuniste. Udheheqesi i saj, Gjenerali Chiang Kai-shek, ka qene anti-kapitalist i ashper dhe i ka sulmuar kapitalistet kineze (ne kuptimin literar, jo ideologjik) po aq sa i ka sulmuar komunistet. Ai ka besuar qe kontrollimi shteteror i industrive dhe ekonomise ne pergjithesi eshte rruga qe duhet ndjekur. Ne kete kuptim, lindja dhe zhvillimi i kapitalizmit ne Tajvan e ndjeke trajektoren e ngjashme me vendet tjera ekonomikisht liberale si Zvicra, te cilat kapitalizmin e kane perqafuar, jo nga ndonje besim ose motiv ideologjik, por nga pasojat rrethanore te ideve tjera te tyre (p.sh. kofederalizmi ne Zvicer, kundershtimi i monarkise ne ShBA, etj.).

    Ne Kosove amerikanet kane qellime tjera. Per momentin ata po mundohen ta perdorin Kosoven si karrem per ta larguar Serbine nje here e pergjithmone nga sfera e ndikimit rus duke e futur ate ne BE dhe gradualisht integruar ate ne strukturat Perendimore. Mireqenia e qytetareve te Kosoves eshte e dores se dyte. Edhe pse, me duhet te them, qe deri ne masen qe amerikanet kane nxitur ndjekjen e politikave ekonomike ne Kosove, ato nxitje kane qene ne drejtim te liberalizmit ne masen me te madhe (p.sh. programi BEEP, me drejtorin dhe zv. drejtorin e te cilit kam biseduar per se afermi dhe mund ta konfirmoje se jane libertariane te denje). Gjithesesi se ne nuk duhet te presim nga ta per t’i ndjekur keto politika, por eshte tejet naive te pritet nga nje demokraci qe t’i adoptoje ato.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s