Infrastruktura kritike, pjesë e sigurisë kombëtare

Kujtim Dobruna & Bardhyl Salihu

Kur në vitin 2001 Telekomi Gjerman po blinte operatorin amerikan VoiceStream, politikanë të djathtë e të majtë të Amerikës, ekspertë të lëmit të telekomunikimit e të sigurisë dolën haptas kundër këtij transaksioni. Ata shihnin rrezik serioz për sigurinë kombëtare nëse një ndërmarrje aq e rëndësishme vendore e telekomunikimit do të kalonte në duart e një shteti tjetërani pse Gjermania është një shtet mik.

Sot, kur ndërmarrjet kineze po shtrijnë teknologjinë dhe investimet në Perëndim, qeveritë në këto vende, për arsye të njëjta, po planifikojnë masa për të ndaluar investimet e tilla.

Këto ngjarje i kujtojmë sot kur Telekomi i Serbisë po përflitet si kandidati kryesor për të blerë IPKO-n në Kosovë. I njëjti, ka kohë që provon të fusë hundët në infrastrukturën kritike shqiptare. Vite më parë ai kishte provuar të blejëpa suksesTelekomin Shqiptar.

Qeveria e Kosovës duhet të jetë syçelë e të mos lejojë këtë transaksion, i cili do të dëmtonte seriozisht privatësinë e qytetarëve të vendit dhe sigurinë kombëtare. Duhet ditur se Telekom Serbia është pronë e shtetit serb, i cili përmes këtij transaksioni do të fitonte qasje në komunikimet private (në telefon e internet) të më se 1.8 milionë qytetarëve të Kosovës, qofshin ata persona fizikë apo institucione private, shtetërore e të sigurisë. Çfarëdo kritike ndërkombëtare e kësaj ndalese mund të adresohet me shembujt e sipërm.

Përveç fushës së telekomunikacionit, Kuvendi duhet të krijojë kornizë të përshtatshme ligjore për të ndaluar çfarëdo blerje a investimi nga ndërmarrje me kapital a prapavi shtetërore, në çfarëdo fushe tjetër të ekonomisë, nëse cenohet siguria kombëtare.

Që qytetarët e Kosovës të marrin shërbimin më të mirë me çmimet më të volitshme, i gjithë tregu i telekomunikacionit duhet ti hapet konkurrencës së lirë. Rregullat aktuale burokratike dhe procedurat e licencimit e kanë penguar dhe dëmtuar hyrjen në treg të konkurrentëve të rinj nëpërmes investimeve të huaja dhe vendore dhe e kanë krijuar një kuazi-monopol i cili dominohet nga vetëm dy ndërmarrje (Vala & IPKO), të dyja me probleme financiare. Ky shtrembërim i tregut e ka përcaktuar varësinë e qytetarëve në këto dy ndërmarrje duke i thelluar problemet nëse qeveria vendosë të ndalojë investimin e Telekomit Serb e IPKO shuhet si kompani.

Për më tepër, procedurat e licencimit deri tani kanë shërbyer vetëm si mundësi të përshtatshme për afera korruptive sepse i kanë lënë vendimet e konsumatorëve në duart e burokratëve shtetëror. Përcaktimi i brezave të komunikimit mund të bëhet në formë kadastrale duke i caktuar ato si tituj pronësorë. Në rastin e telekomunikacionit, licencimi nuk është në interesin publik sepse konsumatorët janë të aftë të vlerësojnë vetvetiu se cilat shërbime i preferojnë për nga cilësia dhe çmimi—kur ka konkurrencë të lirë në mes ofertuesve.

Këto dy veprime janë të domosdoshme prandaj që të mbrohen siguria kombëtare dhe shërbimet e telekomunikacionit.

Pakot fiskale nuk po i rimëkëmbin ekonomitë

Bardhyl Salihu

Veprimet e ngutshme të shteteve anembanë botës për të rimëkëmbur ekonomitë e tyre në krizen e pandemisë po rezultojnë të jenë, ashtu siç pritej teorikisht, të dobëta. Përkundër shumave të mëdha të injektuara në forma të ndryshme, qoftë me uljen e normave të interesit dhe lehtësimin e kredimarrjes, qoftë me dhënien falas të parave kesh, nuk po arrihet rritja e aktivitetit ekonomik. Të gjithë treguesit ekonomikë, perfshirë Bruto Prodhimin Vendor, prodhimin industrial, numrin e të punësuarve, indekset e bursave NASDAQ dhe S&P 500, porositë tek furnitorët, etj., po deshmojnë për një ndikim tejet të zbehtë dhe sipërfaqësor të këtyre masave.

Përse kështu? Sepse shteti nuk ka para të tij. Të gjitha fondet në dispozicion të shtetit janë të marra nga taksapaguesit në radhë të parë (përfshi këtu shtypjen e parave që përbën “taksë të inflacionit” si dhe marrjen e borxhit që përbën “taksë ndaj gjeneratave të ardhshme”). Kjo do të thotë që shteti nuk mund të bëj më shumë se sa t’ua kthej taksapaguesve paratë e tyre—minus shpenzimet administrative dhe paratë e “zhdukura” nga korrupsioni.

Imagjinojeni një vend me dhjetë persona të cilët e themelojnë një shtet dhe ai shtet ua merr secilit nga dhjetë përqind të të ardhurave, do të thotë, i varfëron në atë lartësi. Imagjinojeni sikur në të ardhmen ua kthen një shumë më të vogël se sa ua ka marrë, kinse për ndihmë. Çfarë sensi ka kjo? Shteti vetëm se po mundohet të lehtësojë (jo të zgjidhë) një problem që e ka shkaktuar vet kur i ka mbledhur ato para nga taksapaguesit në radhë të parë. Po t’i mbeteshin këtyre dhjetë personave paratë në xhepat e tyre, do ta kalonin pandeminë me më shumë para se sa tani që po i ri-marrin ato nga shteti në formë të shkurtuar!

Përpjekjet artificiale për rimëkëmbje ekonomike nëpërmes stimujve fiskalë e keqkuptojnë dhe e anashkalojnë problemin themelor të krizës. Ekonomitë nuk janë në rënie sepse shteti nuk po shpenzon para publike në to; ato janë në rënie sepse shteti me masa të izolimit e ka fikur aktivitetin ekonomik dhe në këtë mënyrë ka shkaktuar tronditje gjigante të ofertës. Marrë parasysh që edhe pa masat e izolimit oferta dhe kërkesa janë dobësuar dukshëm për shkak të pandemisë, ky veprim i shtetit e ka gjunjëzuar ekonominë. Siç ngjanë rëndom në politikë, këto masa janë të nxitura më shumë nga ngutia për të bërë diçka popullore—çfarëdo që të jetë ajo—se sa nga rezoni ekonomik.

Rimëkëmbja ekonomike duhet kërkuar nëpërmes kthimit në normalitet. Kjo nënkupton hapjen e ekonomive dhe vazhdimin e përpjekjeve për zbulimin e një vaksine efektive dhe përmirësimin e trajtimeve antivirale. Së bashku me kalimin e kohës dhe përafrimin me imunitetin e tufës, kjo është e vetmja rrugë që shpie drejtë përmirësimit. Pakot fiskale ia kthyen taksapaguesve një pjesë të parave të tyre në kohën kur kishin më së shumti nevojë, por ato nuk i zgjidhin problemet strukturore të ekonomisë. Shtetet bëjnë mirë nëse nuk e teprojnë me to deri në masën që i shpenzojnë edhe paratë që nuk i kanë mbledhur ende dhe kesisoji ia hedhin mbi supe ekonomisë edhe një barrë të rëndë për ta tërhequr në kohë krize.