Debat mbi Formalizmin

Etjon Basha

Rikthehen në veprim armiqtë e përbetuar, Mikroborgjezi dhe Qytetari i Angazhuar, këtë herë për të diskutuar, në vazhdën e postimeve mbi Kompromisin e Madh, konceptin e shtetit formalist të propozuar nga blogeri Mencius Moldbug.

2

Qytetari i angazhuar: duke u hallakatur neper blogje e saite, siç e kam dhe zakon, hasa një fenomen fort të çuditshëm që po i ndodh lëvizjes liberale në ShBA.

Mikroborgjezi: ndihem i prekur nga shqetësimi juaj për lëvizjen tonë.

Qytetari i angazhuar: në fakt duhet të ndiheni i shqetësuar, pasi duket që një pjesë jo e vogël e liberalëve të frymës anarkiste e kanë lënë mënjanë ideologjinë tuaj për t’iu bashkangjitur të ashtuquajturës lëvizje formaliste, apo neo-reaksionare, apo kameraliste, apo ruajaliste, sipas hënës.

Mikroborgjezi: ah po, i famshmi Mencius Moldbug me teoritë e tij interesante dhe postimet disa-faqëshe. Shumë kohë ju merrka puna në shtet sa kohë paskeni mundësi të lexoni kaq shumë.

Qytetari i angazhuar: jam i sigurt që ju përkundër nuk keni as një çast të lirë në punën tuaj private, ndonëse dhe ju e paskeni lexuar blogun. Nejse, përtej kënaqësisë që ndjej kur shosh sesi ideologjia juaj e pakët në ndjekës thërrmohet edhe më shumë, më duhet të pranoj që nuk e kam shumë të qartë teorinë e shtetit formalist.

Mikroborgjezi: nuk është shumë e vështirë, në fakt. Formalizmi është parimi i formalizimit, pra të pranimit hapur të asaj që ekziston në praktikë.

Continue reading “Debat mbi Formalizmin”

Për një reformë reale arsimore (pjesa 2 nga 2)

Etjon Basha

(vijon nga pjesa 1)

Le ta nismi analizën e përfitimeve që zbatimi i sistemit të kuponëve do kish nga këndvështrimi i “partnerit” tonë në kompromis, etatistit mesatar shqiptar.

Për prindërit shqiptarë, përftimi i madh i sistemit të kuponëve do jetë rritja e qenësishme e cilësisë së shërbimit nëpër shkolla. Të vëna para presionit të konkurrencës me mijëra institucione të tjera, shkollat tona 9-vjecare nuk do mund ti lejojnin më vetes luksin e shpërfilljes tërësore të kërkesave të klientëve të tyre të vërtetë, prindërve. Duke pasur si nxitjen ashtu dhe mjetet (menaxhimin autonom të buxhetit të tyre) për tu përmirësuar, është e sigurt që në një kohë fare të shkurtër pamjet e shkollave të shkatërruara që i ekspozojnë nxënësit në mëshirën e elementëve natyrorë dhe ngricës apo dhe i lajmeve mbi kurset private që aksh mësues kërkon si kusht për dhënien e notës do rrallohen në maksimum.

Continue reading “Për një reformë reale arsimore (pjesa 2 nga 2)”

Për një reformë reale arsimore (pjesa 1 nga 2)

Etjon Basha

Kur në një seri të mëparshme shkrimesh diskutova konceptin e Kompromisit të Madh që mund dhe duhet lidhur mes liberalizmit dhe etatizmit në Shqipëri, ceka shkurtimisht edhe fushat ku duhet të përqendrohet kjo marrëveshje. Nëse herën e shkuar pamë se si mund të reformojmë sistemin aktual të pensioneve në mënyrë që të jetë si efiçent në manaxhim ashtu dhe i pëlqyeshëm për shumësinë e madhe të qytetarëve shqiptarë, tash është çasti të shohim si mund të përmirësojmë në të njëjtën hulli sistemin arsimor në Shqipëri.

Aktualisht në Shqipëri çdokush është i detyruar të ndjekë arsimin 9-vjecar i cili ofrohet “falas” (kupto: financohet jo nga përdoruesit por nga taksapaguesit) në shkollat publike. Kundërshtia liberale ndaj një skeme të tillë, fatkeqësisht universale në botën e sotme, është e njohur. Së pari, si çdo detyrim tjetër i qytetarit nga ana e shtetit, edhe arsimi i detyruar është një thyerje e etikës liberale. Së dyti, kostoja e një skeme të tillë është e madhe, si në terma financiarë ashtu dhe në terma oportune (mendoni se sa më mirë do mund të ishin përdorur vitet e shpenzuara nëpër bankat e shkollave shtetërore ku pakgjë mbahet mend pas provimit të radhës). Së treti dhe më e rëndësishmja, arsimi i detyruar publik përdoret së paku pjesërisht si mjet propagande nga ana e shtetit, propagandë ndaj së cilës fëmijë të vegjël në moshë nuk kanë se si të mbrohen. Kështu, është fare e lehtë për shtetin të risë breza të tërë që do bëjnë shumë pak rezistencë ndaj rritjes së vijuar të pushtetit shtetëror në shoqëri.

Reforma e pastër liberale e arsimit 9-vjeçar do ishte e thjeshtë për tu marrë me mend, por qëllimi i këtij postimi është tjetër. Si mund të përmirësojmë sistemin aktual në drejtim të liberalizmit por pa cënuar me tepri ndjeshmëritë etatistë të shqiptarit mesatar?

Continue reading “Për një reformë reale arsimore (pjesa 1 nga 2)”