Dy keqkuptime për modelin skandinav

Të drejtat autoriale i mbanë Gazeta Jeta në Kosovë

Bardhyl Salihu

Shpesh kur në Kosovë diskutohet për modele ekonomike, vendet Skandinave përmenden si shembuj që duhen ndjekur për shkak se shteti social i tyre konsiderohet superior ndaj tregut të lirë dhe kapitalizmit.

Për mendimin tim, këtu fshihen dy keqkuptime. Keqkuptimi i parë është supozimi që modeli Skandinav është kryekëput socialist, kur në fakt ai dominohet nga elementet kapitaliste.

Keqkuptimi i dytë është supozimi që shteti social në Skandinavi ka qenë dhe është i suksesshëm.

Është e vërtetë që në disa aspekte qeveria ka rol të madh në ekonomitë e vendeve Skandinave (të përbëra nga Danimarka, Suedia, Norvegjia, Finlanda dhe Islanda). Për shembull, shpenzimi qeveritar kundrejt Bruto Produktit Vendor është mesatarisht 51% kurse barra tatimore 43%.

Por kjo nuk i bën vendet Skandinave edhe aq të veçanta në këtë kuptim sepse Franca, Belgjika, dhe Greqia shpenzojnë më shumë se sa kjo mesatare. Franca dhe Belgjika kanë gjithashtu barrë më të madhe tatimore kurse vendet si Italia e Austria i afrohen shumë.

Pra shteti social nuk është fare karakteristikë e veçantë e vendeve Skandinave dhe siç do ta dëshmojë analiza e secilit vend, elementet e tregut të lirë janë ato që dominojnë këto sisteme ekonomike.

Së pari është e rëndësishme të shpjegohet që shteti social që ekziston sot në Skandinavi është krijesë moderne, i futur disa dekada pas politikave ekonomike liberale.

Në përputhje me Ligjin e Wagnerit, i cili thotë se madhësia dhe ndërhyrja e qeverive rritet me zhvillimin e vendeve, vendet Skandinave filluan të përballen me fenomenin e shtetit social vetëm pas viteve të ‘60-ta kur ato vetëm se ishin pasuruar.

Për shembull, pas reformave të ministrit të financave Johan August Gripenstedt, Suedia iu hap botës dhe tregtisë së lirë qysh në shekullin e 19-të. Biznesi u la i lirë të veproj në konkurrencë, kurse sektori financiar u derregullua.

Rrjedhimisht, Suedia shijoi shkallën më të madhe të rritjes ekonomike në botë në vitin 1890 dhe kjo vazhdoi deri në vitin 1950, të cilës i ndihmoi natyrisht edhe neutraliteti i vendit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sot Suedia rënditet e 23-ta në botë për liritë ekonomike kurse 2/3 e rrugëve janë nën pronësi private.

Suedia megjithatë e ka provuar shtetin social në vitet ’70-të kur ndërhyrjet radikale të qeverisë në treg e dyfishuan barrën tatimore, shtetëzuan disa industri, rregulluan tregjet, si dhe zgjeruan shërbimet publike në masë të madhe.

Si rezultat i këtyre ndryshimeve, në vitin 1990 Suedia kishte rënë për plot 9 vende më poshtë në listën e BPV-së për kokë banori kurse pagat reale ishin rritur për vetëm një pikë të përqindjes në 20 vite. Qeveria ishte futur në krizë të thellë të borxheve, me ç’rast ndërhyrja e bankës qëndrore për t’i monetizuar vetëm sa shkaktoi inflacion dyshifror.

Edhe sot sistemi shtetëror i kujdesit shëndetësor në Suedi është i njohur si i dështuar për shkak të vonesave teper të gjata (edhe për rastet urgjente), mungesës së kujdesit adekuat, joefikasitetit, etj.

As Danimarka nuk ka model kryekëput të shtetit social. Për shembull, a e dini se Danimarka renditet e 11-ta në botë dhe mbi ShBA-të për liritë ekonomike? ShBA-të, që janë simbol ndërkombëtar i kapitalizmit, kanë më pak liri ekonomike se sa Danimarka.

Danimarka ka një sistem gjyqësor stabil i cili i mbronë të drejtat pronësore si dhe i zbaton kontratat—dy parime këto bazë të kapitalizmit dhe tregut të lirë. Rregullimi mbi sistemin kreditor, tregjet e punës, dhe biznesin është tepër i vogël.

Edhe pse punëtorët fitojnë beneficione kur mbesin të papunë, gjë që është e padëshirueshme sepse i dekurajon ata të kërkojnë punë, bizneset megjithatë nuk pengohen t’i përjashtojnë ata nga puna siç është për shembull rasti eklatant në Francë. Ky sistem i tregut të punës ku punëtoret mbrohen nga një rrjet i sigurisë kurse bizneset e ruajnë fleksibilitetin e tyre njihet si “fleximarket”.

Në fakt dështimet e vetme në Danimarkë janë pikërisht ato në anën e shtetit social, i cili e ka krijuar një kastë të madhe të njerëzve të cilët përfitojnë nga ndihmat sociale pa punuar me vite as edhe një ditë të vetme. Kjo klasë e parazitëve mund të ekzistoj vetëm falë atyre që punojnë dhe paguajnë taksa në sistem, kurse është dekurajuese për zhvillimin ekonomik.

I njëjti tregim është pak-a-shumë në Norvegji dhe Finlandë, të cilat renditen e 27-ta dhe 19-ta në botë kurse kanë më shumë liri të biznesit dhe financiare, mbrojnë më shumë të drejtat pronësore, dhë kanë më pak korrupsion se sa ShBA-të.

Norvegjia natyrisht ka përfituar edhe nga zbulimi i naftës, por një pjesë e madhe e suksesit ekonomik të saj është i bazuar në këto elemente kapitaliste.

Finlanda në anën tjetër ka pasur vetëm një qeveri të majtë në 28 vitet e fundit. Është një vend i cili ka qenë tradicionalisht i ndjeshëm ndaj socializmit, falë antipatisë ndaj Rusisë, të trashëguar nga Lufta e Dimrit në vitin 1940.

Islanda dy partitë kryesore i ka të qendrës-së-djathtë. Në fakt, njëra nga to që sot përbëjnë koalicionin qeveritar ka dalur e para në zgjedhje për plotë 80 vite prej vitit 1929.

As Islanda pra nuk është parajsë socialiste, e cila renditet e 26-ta në botë për liritë ekonomike kurse ka më shumë liri fiskale, liri të investimit dhe mbronë të drejtat pronësore më mirë se ShBA-të.

Pra vendet Skandinave janë shembuj që duhen ndjekur për shkak të suksesit në krijimin e mirëqenies dhe lirive individuale. Mirëpo në Kosovë nuk duhet të keqkuptohen si shembuj të socializmit por si dëshmi që kapitalizmi dhe tregu i lirë janë prapa kësaj mirëqenie edhe në rastet kur shteti social është present.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s